Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Meta-Yazdgerdi: TAP, i rëndësishëm për Europën

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Drejtorin për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore të Departamentit të Shtetit, z. Thomas Yazdgerdi.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta pasi i uroi suksese në detyrën e re, i shprehu z. Yazdgerdi mirënjohjen e Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA në procesin e integrimit evropian, në NATO dhe në forcimin e parametrave demokratikë të vendit dhe të rajonit.

Drejtori i Departamentit të Shtetit për Çështjet e Evropës Jug-Qendrore z. Thomas Yazdgerdi shprehu mirënjohjen e SHBA për rolin gjithnjë aktiv dhe konstruktiv të Shqipërisë si në NATO ashtu edhe në rajon, dhe theksoi se mbështetja amerikane për përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë do të jetë e pakursyer.

Z. Meta dhe z. Yazdgerdi ndanë bindjen e përbashkët se niveli i shkëmbimeve politike dhe parlamentare mes dy vendeve reflekton dinamikën e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe SHBA, forcimi i të cilave i shërben stabilitetit dhe sigurisë të të gjithë rajonit të Ballkanit.

Z. Meta vlerësoi rolin e rëndësishëm të SHBA në rajon dhe vuri në dukje se Shqipëria, si një vend me peshë të veçantë dhe me marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë fqinjët e saj, inkurajon forcimin e ndërlidhjes infrastrukturore, energjitike dhe ekonomike mes të gjithë vendeve të Evropës Jug-Lindore. Në këtë kuadër u vlerësua Projekti TAP si i rëndësisë strategjike për sigurinë energjitike të të gjithë Evropës si dhe ndërtimi i korridoreve të rëndësishme brenda rajonit të Evropës Jug-Lindore.

energjia.al 17.12.2014