Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konfliktet mes HEC-eve private dhe fermerëve

Prej më shumë se 1 viti, me ndërtimin e ethshëm të HEC-eve të vogla, konfliktet mes tyre dhe fermerëve për përdorimin e ujit janë shtuar. Shumica e HEC-eve të vogla janë me devijim, duke futur ujin në tubacione disa km të gjata e duke bllokuar aksesin e fermerëve ndaj ujit.

Në Polis, Librazhd, fermerët janë në konflikt me HEC Gurshpata 2; në Finiq, Sarandë, fermerët e misrit ankohen për HEC Bistrica 3; në Zerqan, Bulqizë, është HEC Valikardha që rrezikon vaditjen e tokave bujqësore.

Kësaj liste mund ti shtojmë dhe HEC Lena, në komunën Martanesh, kundër të cilit janë ankuar fermerët që vadisin tokat bujqësore nën veprën e marrjes së HEC-it.

Fisi Kënga, pronar i tokave bujqësore nën veprat e marrjes, ankohet se firmat ndërtuese të HEC-it kanë kryer punime në tokat e tyre pa marrë leje, do të nxjerrin jashtë funksionit 3 mullinj të vjetër në pronësi të fisit, si dhe do të marrin ujin që vadit tokat e tyre bujqësore.

Në konfliktet me HEC-et fermerët ndjehen të pafuqishëm, sepse, megjithëse sipas ligjit vaditja gëzon prioritet ndaj energjisë, “çelësin” e ujit e ka HEC-i. Në Finiq të Sarqandës, gjatë verës HEC Bistrica 3 u premtonte fermerëve se do jua lëshonte ujin me sot me nesër. Por pas kalimit të shumë ditëve pa ujë, dëmet në parcelat me misër ishin shumë të larta.

Lejet e përdorimit të ujit lëshohen nga këshilli i basenit ujor, si për HEC-et dhe për organizatat fermere të përdorimit të ujit, por nuk ka asnjë mekanizëm të shpejtë se si të zgjidhen konfliktet mes tyre. Fermerët shpesh janë më keq të organizuar dhe më të paditur rreth të drejtave që u jep ligji, në krahasim me bizneset e HEC-eve.

Fushata e ndërtimit të HEC-eve vazhdon. Konfliktet me fermerët do të shtohen dhe kërkojnë zgjidhje.

Ekolëvizja, 17.12.2014