Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kompanitë e naftës, detyrimet në cash

Kompanitë hidrokarbure do ta paguajnë në para cash pjesën e tyre të naftës dhe gazit që i detyrohen “Albpetrolit”. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka përgatitur projektvendimin “Për autorizimin e ‘Albpetrol’ sh.a. për të marrë në para vlerën korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së ‘Albpetrol’ sh.a., që i takon në bazë të zbatimit të marrëveshjeve hidrokarbure të lidhura me kontraktorët për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese të naftës e gazit”. Kjo i jep rrugëzgjidhje edhe detyrimit të prapambetur prej mbi 100 milionë dollarëve të kompanive që shfrytëzojnë vendburimet e naftës, i krijuar gjatë 10 vjetëve.

Humbjet fizike

Marrja në para e sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol” sh.a., eliminon tërësisht ose pjesërisht edhe firot e transportit, kostot e magazinimit, ruajtjes dhe përpunimit, kostot e transportit nga pika e lëvrimit në depozitat e “Albpetrol” sh.a., kostot për sigurimin e naftës në depozita, si dhe problemet në lidhje me mungesën e kapaciteteve depozituese, të cilat aktualisht janë rreth 50 000 m3, duke përfshirë këtu kapacitetet e marra me qira. Humbjet fizike në naftë krijohen kryesisht si pasojë e vjedhjeve, firove teknike, aksidenteve teknike. Nga 7259 tonë naftë të humbura në vitin 2013, kompania “Albpetrol” ka njoftuar për këtë vit të ulë humbjet në nivelin e 650 tonëve. Pra, humbjet janë të pranishme edhe në rast se përmirësohet menaxhimi.

Rreziqet e uljes së çmimit

Propozimi për tërheqjen në para të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol” sh.a., konsiderohet se ka efektivitet ekonomik. “Albpetrol” sh.a. e shet prodhimin e vet dhe atë të siguruar nga shoqëritë, palë në marrëveshje hidrokarbure, në bazë të procedurës së ankandit. Çmimi minimal fillestar i ankandit të shpallur është i varur nga çmimi Brent në bursë dhe çmimi fitues i ankandit. Edhe pse vlera është më e lartë ose e barabartë me çmimin minimal me të cilin është shpallur ankandi, rezulton të jetë më e vogël në raport me çmimin e kuotuar të naftës bruto në Brent. Kjo diferencë vjen për shkak të karakteristikave më të ulëta cilësore të naftës që prodhohet nga vendburimet tona. Prandaj, shitja nëpërmjet procedurës së ankandit të sasisë takuese të naftës bruto, bëhet tek operatorët vendas të tregtimit me shumicë dhe jo drejtpërdrejt te rafineritë, gjë që nënkupton se çmimi i përfituar është çmimi që ofrohet me rezervë nga ana e operatorëve të tregtimit me shumicë. Pra, në këtë kuptim, çmimi i ofruar në procedurat e ankandit nga operatorët e tregtimit me shumicë, përfshin brenda edhe kostot që u shkaktohen këtyre të fundit, si rezultat i shitjes së kësaj sasie nafte bruto nga operatorët e tregtimit me shumicë deri te destinacioni final që është rafineria e përpunimit. Gjithashtu, si rezultat i tërheqjes në natyrë të kësaj sasie nafte bruto dhe ndjekjes së procedurave të ankandit, “Albpetrol” përballet me disa rreziqe potenciale, të cilat mund ta cenojnë negativisht nga pikëpamja financiare. Konkretisht, nga momenti i krijimit të depozitimit prej mbi 20 000 tonë, si kërkesë minimale e zhvillimit të ankandit, deri në momentin e lëvrimit te blerësi potencial që shpallet fitues nga procedurat e ankandit, kalon një periudhë shumë e gjatë kohe për shkak të procedurave, si në procesin e ankandit ashtu edhe në realizimin në praktikë të shitjes. Në këtë proces të gjatë, “Albpetrol” sh.a. merr një risk të madh përsipër, për shkak të lëvizjes së çmimit Brent dhe kohës së gjatë të nevojshme për të mbajtur mallin të depozituar, e cila mbart edhe një kosto të konsiderueshme depozitimi dhe po kështu pëson firo. Në rast të tërheqjes në para të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol” sh.a., risku i luhatjes së çmimit u ngelet operatorëve dhe, nga ana tjetër, nuk kërkon angazhime të tjera nga “Albpetrol” sh.a. në lidhje me procesin e magazinimit, transportimit dhe shitjes. Ndërkohë, veçohet se shoqëritë hidrokarbure që janë të licencuara në tregun shqiptar të hidrokarbureve, për shkak të aksesit shumë më të lartë në tregjet ndërkombëtare, volumit shumë të madh tregtar, si dhe procedurave fleksibël e jo burokratike, kanë mundësi që të realizojnë shitjen e naftës bruto direkt në tregjet ndërkombëtare me çmime më të larta se çmimet që mund të përfitojë shoqëria “Albpetrol” sh.a. gjatë ndjekjes së procedurave të ankandit.

Marrëveshjet

Bazuar në ligjin “Për hidrokarburet”, shoqëria “Albpetrol” sh.a. ka lidhur marrëveshje hidrokarbure me disa shoqëri, të cilat operojnë në fushën zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve nga vendburimet ekzistuese. Aktualisht janë duke u zbatuar 16 marrëveshje hidrokarbure, të cilat kanë të përcaktuar klauzola që lidhen me mënyrën e marrjes së sasisë së prodhimit të gjykuar dhe pjesës së prodhimit të “Albpetrolit”, prodhim i cili, sipas parashikimeve të marrëveshjeve, duhet të merret në natyrë, me përjashtim të vendburimit të Kuçovës dhe vendburimeve të gazit ku prodhimi i gjykuar mund të merret edhe në cash me marrëveshje të palëve. Në bazë të këtij projektvendimi, propozohet që të autorizohet “Albpetrol” sh.a., që të marrë vetëm në para vlerën korresponduese të sasisë së prodhimit të gjykuar dhe të pjesës së “Albpetrol” sh.a., që i takon në bazë të marrëveshjeve aktuale. Ndërkohë që për të mundësuar në praktikë realizimin e tërheqjes në para të këtyre të drejtave të “Albpetrol” sh.a., është parashikuar një përgatitje e udhëzimit të veçantë nga ana e ministrisë për të bërë edhe një harmonizim të klauzolave të marrëveshjes hidrokarbure, si dhe të marrëveshjeve të licencimit.

Gazeta Shqip, 17.12.2014