Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Edi Rama shkon në LUFTË

Kishte një aneks të rëndësishëm të jetës së vendit, në të cilin ishte planifikuar të ndërhyhej. Prej vitesh, harta politike e Shqipërisë kishte një përkitje të çuditshme: raporti mes atyre që paguanin dhe nuk paguanin energjinë elektrike dhe preferencat e tyre politike. Por ky është një diskutim tjetër. Problemi që dilte përpara qeverisë shqiptare ishte se gropa që krijohej mes shitjes së energjisë që shteti apo privatët prodhonin dhe pagesës që i bëhej asaj shkonte në rreth 150 milionë euro në vit. Që vinin kryesisht nga mospagesa e energjisë elektrike. Dhe kështu, mbas një paralajmërimi sipas stilit të tij në Kuvend, Edi Rama nisi ndoshta betejën më epike të mandatit të tij. Atë të ndëshkimit të abuzuesve të energjisë elektrike. Duke e nisur me ata që i qunte biznese që paguanin sikur ishin abonentë familjarë në rastin më të mirë dhe për të vazhduar më pas me abonentët e vërtetë familjarë, kryesisht në zonat informale. Njerëz që nuk kishin paguar kurrë energji elektrike në jetën e tyre papritur panë se jo vetëm energjia ju ndërpritej, por edhe se arrestoheshin. Rezultati: për herë të parë krijohen rradhë në sportelet që paguhet energjia, mijëra lidhje të paligjshme të ndërprera dhe dhjetra të arrestuar. Raporti mes kostos njerëzore dhe përfitimit është vështirë të bëhet, por një gjë është e qartë. Më së fundi është kuptuar se dhe në Shqipëri dhe për këdo se energjia është mall, që ka një zot dhe si i tillë duhet të paguhet. Madje për një gjë të tillë mund të humbet edhe vendi i punës. Kështu ndodhi me dhjetra gardianë burgjesh dhe e njëjta gjë do të ndodhë dhe me shumë punonjës policie dhe të tjerë. Veprime në kufi të ligjit, por përtej kufirit të zbatimit moral të tij: kush vjedh, ndëshkohet.

Mbas energjisë, uji. E paralajmëroi dhe siç duket, do të jetë vetëm çështje kohe kur do të nisë operacioni kundër atyre që abuzojnë me ujin. “Një histori e tmerrshme që duhet të marrë fund. Një gropë edhe më e madhe se gropa e energjisë”, thotë Rama, që tashmë ka përcaktuar se vullnetin e tij për të rivendosur ligjshmërinë në vend e mbështet tek lufta që nuk njeh llogari. Një luftë që ai po e bën sikur nuk do të këtë më kurrë një ballafaqim elektoral. Sepse siç pohon dhe vetë së paku, i intereson ndërtimi i shtetit përpara llogarive elektorale.

Opozita është ana më fatkeqe e kësaj historie. Pothuaj viktima perfekte e saj. Për shkak të moskuptimit. Për shkak të zakonit të vjetër të të gjitha opozitave në Shqipëri që kundërshtojnë çdo hap që bëjnë qeverisjet. Duke nisur me Lazaratin. Ishte qesharake sulmi që i bëhej atëherë nga Tirana policisë që ndodhej në jug të vendit. “Pse qëllojnë në ajër mijëra fishekë?”, çuditi atëherë gjithë dynjanë Doktori. Por asnjë fjalë për rivendosjen e rendit në atë skaj problematik. Mund të ishte afruar dhe opozita të bëhej pjesë e atij suksesi shqiptar, por sa nga naiviteti, sa nga pamundësia, ajo e la qeverinë të vetmuar në suksesin e saj. E njëjta gjë me arsimin e lartë. Atë sistem idiot piramidal diplomash e ndërtoi opozita e djathtë në tetë vjetët që qeveriste vendin. Shkatërrimi i saj, për aq sa u bë, e gjeti opozitën sërish në udhëkryq. Foli thjesht për faturën sociale, por pa treguar nëse në thelb qeveria kishte të drejtë apo jo në çmontimin e kiokave universitare.

Nuk ndryshoi as në përballjen e saj me aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje. Opozita nuk pranoi rivendosjen e kontrollit mbi territorin, por u fokusua në detaje të llojit, prishje selektive apo kur është ndërtuar e çfarë po prishet. Sërish shumë larg thelbit të çështjes, opozita u tregua më pak se vështrimshkurtër. Kurse në rastin e energjisë elektrike, ajo po luan me kartën sociale. Duke folur për dramat e panumërta që ekzistojnë realisht të dhjetra familjeve vërtet të varfëra që po jetojnë në errësisë. Por sërish pa kapur thelbin dhe sërish duke bërë opozitën mistrece: kundërshto në bllok çfarë bën kundërshtari! Megjithatë ka dhe një të vërtetë tjetër që mbetet: për herë të parë në gjithë vitet pluralizëm, opozita që frymëzon Berisha ka mbetur në mbrojtje. Hapin e parë e bën kundërshtari. Opozita e Bashës, pastaj, është tjetër gjë. Dhe Rama në këto momente, më shumë se çdo gjë tjetër mund të numërojë si fitore të tij pensionin përfundimtar politik që i dha armikut të tij të hershëm me të cilin u ndesh për herë të parë në dhjetor 1990, plot 24 vjet më parë. Atëherë e përzunë, sot, mbasi i morri zyrën, i morri dhe revanshin.

Revista Java, 16.12.2014