Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miliona mund të kursehen nga ndriçimi rrugor

13,000 llampa rruge janë të instaluara në rrugët e Tiranës dhe ~800,000 Euro/vit shpenzohen për ndriçimin e rrugëve në kryeqytet. Për të pakësuar kostot e ndriçimit Bashkia e Tiranës ka nisur një projekt-vendim në Këshillin Bashkiak për të ndryshuar ndriçimin rrugor në llampa LED, çka do të ulte ndjeshëm konsumin.

Por instalimi i llampave LED kërkon një investim të konsiderueshëm fillestar, si dhe shpenzime mirëmbajtjeje në vijimësi.

Ndriçimi realizohet natën, mesatarisht 12 orë/ditë, nga të cilat 6 orë në ditë, ose gjysmën e kohës, mes orëve 12.00-6.00 të mëngjezit. Kështu, Tirana, për të ndriçuar rrugë, shëtitore e parqe pothuaj të boshatisura, shpenzon 400.000 euro/vit.

Por në orë të caktuara të natës dhe në zona të caktuara llampat mund të shuhen. Kjo ide është zbatuar në vende të tjera, të cilat nuk janë aspak në prag të kolapsit energjitik, siç është Shqipëria. Në Angli, sipas një sondazhi të realizuar në vitin 2014, 1 në 3 bashki i shuan llampat e rrugës në orët e thella të natës, për të shkurtuar shpenzimet e ndriçimit.

Bashkia e Kentit, Angli, është duke zbatuar një projekt-pilot të shuarjes së llampave të rrugës., siç shpjegon në faqen zyrtare të saj. Arësyet janë ulja e kostos së ndriçimit, të emetimeve të karbonit, si dhe të ndotjes nga drita. Kjo bashki ka rreth 116,000 llampa, dhe një numër popullsie të ngjashme me të Tiranës. Gjatë fazës së parë të projektit ajo shoi 2500 llampa rruge gjatë një viti.

Gjatë fazës së dytë ndriçimi publik do të shuhet në orët 12.00-5.30 (1.00-6.30 gjatë verës) të mëngjezit dhe do të përfshijë 70,000 llampa, ose 60% të gjithë ndriçimit publik. Bashkia nuk do të heqë ndriçimin publik në zonat shumë të rrahura nga trafiku, në zonat me kamera sigurie të policisë etj. Këto masa të pakësimit të orëve të ndriçimit do të zbatohen dhe për llampat LED.

Në dhjetëra bashki në SHBA, si në Detroit psh., të cilat kanë vështirësi financiare në pagesën e faturës së dritave, janë hequr me mijëra llampa rruge për të kursyer.

Bashkia e Tiranës mund të marrë në konsideratë marrjen e masave të ngjashme për ndriçimin publik.

Shuarja e dritave natën mund të shtojë krimin e rrugës, aksidentet. sipas kritikëve të këtyre masave. Por ka dhe anë pozitive si pakësimi i ndotjes nga drita artificiale, pakësimi i emetimeve të karbonit etj. Prandaj shuarja mund të fillojë me projekte pilot, të cilat do të identifikonin anët pozitive dhe negative të ndryshimit, duke bërë dhe analizë kosto-përfitim.

Përpos llampave të rrugëve të bashkive që ndriçojnë askushin në orët e thella të natës, kemi dhe automjetet që ndriçojnë rrugët ditën me diell si detyrim ligjor. Sikurse është shkruar në një artikull të mëparshëm ndriçimi i detyrueshëm ditën i rrugës sjell miliona euro kosto të shtuara në vit. Ndriçimi nga automjetet ditën mund të kufizohet vetëm gjatë muajve të dimrit, ose të hiqet fare. Është një rregull që e kemi kopjuar nga vendet veriore, pa menduar se atje dielli është më i zbehtë, ne kemi kushte të tjera si gjeografike ashtu dhe ekonomike.

Rritja e çmimit të dritave për familjarët si dhe ndëshkimi i vjedhjes së energjisë do të shtojë kursimin në familjet shqiptare. E njëjta frymë kursimi duhet të përshkojë dhe organet vendore e ligjvënësit.

Ekolëvizja, 26.11.2014