Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Arrestohet tregtari i karburanteve Rira

Policia e Elbasanit, arrestoi dje në mëngjes tregtarin e karburanteve Xhevat Rira, i kërkuar për veprën penale të mashtrimit dhe të krijimit të skemave piramidale. Arrestimi u krye, një ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan, kishte miratuar kërkesën e prokurorisë së Elbasanit, për të vendosur masën e sigurisë arrest me burg për Rirën, i akuzuar për veprën penale të mashtrimit dhe të krijimit të skemave piramidale mashtruese. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, konfirmuan dje arrestimin e Rirës, mbi bazën e vendimit të arrestit të Gjykatës, pas një hetimi të përbashkët të policisë dhe të prokurorisë së Elbasanit ndaj tregtarit të karburanteve ndër të parët e këtij lloj aktiviteti në vendin tonë. Ndaj tij, mësohet se kanë depozituar kallëzime 9 persona të ndryshëm që sipas prokurorisë i kanë dhënë para, Rirës që nga viti 2000, dhe në vazhdim ndërsa në total sipas tij, personat kanë paguar më tepër se 30 milionë lekë të reja, për të cilat ata kanë marrë nga një deklaratë dore, jashtë
zyrave noteriale. Rira madje ka mbajtur edhe titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Ukrainë.

“Pas një hetimi paraprak të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Xhevat Rira, administrator i subjektit tregtar “Rira sh.a”, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Krijimit të skemave mashtruese dhe piramidale”, parashikuar nga neni 143/a/2 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës u ekzekutua nga ana e forcave të Policisë së Shtetit, paraditen e së Martës”, tha prokuroria në deklaratën e saj. Sipas të njëjtit burim Rira iu merrte hua personave të ndryshëm, me premtimin se brenda një afati kohor të përcaktuar do t’ua kthente me interesa, më të larta nga ato bankave të nivelit të dytë në vend. Hetuesit thanë se i dyshuari Rira, pasi u merrte paratë me fajde, nuk ua kthente këto para, duke i mashtruar për një kohë të gjatë dhe deri sa, kohët e fundit, u shmangej personave që i kishin dhënë hua. Kallëzuesit e Rirës kanë deklaruar se ai kishte përfituar prej tyre shuma të mëdha në vite të ndryshme. Shuma e parave ishte midis vlerave 2.5 milionë deri në 5 milionë lekë.

Kallëzuesit thonë se Xhevat Rira kishte pasur aktivitet tregtim të karburanteve dhe se ky person pas vitit 2000 kishte pasur një aktivitet të lartë huamarrës në zonën Përrenjas- Librazhd, duke u mare hua personave dhe individëve të ndryshëm, vlera të ndryshme parash për t’i vënë ato në qarkullim në aktivitetin e tij. Këto para merreshin përkundrejt interesave të larta, dhe me të larta nga ato që ofronin bankat e ndryshme të nivelit të dytë që operonin në Republikën e Shqipërisë, por në gusht të vitit 2008, janë ndërprerë pagesat e interesave. Që nga kjo kohë e në vazhdim këta persona, kanë bërë një sërë takimesh me Rirën, ndërsa ai ka premtuar se paratë do t’jua kthente por më pas ai u është fshehur huadhënësve dhe kallëzuesve dhe ka shmangur edhe takimet e drejtpërdrejta me ta. Sipas hetimit, i akuzuari, ka kryer aktivitet huamarrës nga individët duke u dhënë atyre vërtetime për shumat huave, datën dhe përqindjen e interesit, pa afat kohor të përcaktuar. Në vitin 2004, ai iu ka marrë hua 4 personave, në vitin 2006 një personi, në vitin 2007 dy personave dhe në vitin 2009 një personi tjetër. Nga këta rezulton se një personi të vetëm i ka marrë hua në shuma të ndryshme në vitin 2004, 2005 dhe 2009.

Hetuesit e kanë marrë deklarime edhe punonjësve të RIRA sh.a, të cilët kanë deklaruar kjo shoqëri ka pasur një aktivitet të gjerë ne fushën e tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe pika shitje të shpërndara pothuajse në të gjithë territorin e Shqipërisë. Fillimisht shoqëria kishte pasur tregues të mirë financiarë, por me pas si shkak i keqmanaxhimit dhe investimeve të pajustifikuara, kishte pësuar rënie deri në falimentin total. Po ashtu ata kanë pranuar edhe faktin e huamarrjes së Rirës tek të tretët, ndërsa njëkohësisht ai kishte kredi në banka të ndryshme të nivelit të dytë në vend. Policia dhe prokuroria kanë kërkuar të ballafaqohen me Rirën, por ai nuk është paraqitur para tyre. “Janë verifikuar në bankat e nivelit te dytë të gjitha llogarite bankare të hapura në emër të Xhevat Rirës apo të subjektit RIRA sh.a. Ka rezultuar se nuk kanë gjendje likuiditet në banka dhe se ato llogari janë të bllokuara nga bashkia e Tiranës, bashkia e Elbasanit etj, lidhur me detyrime të papaguara nga ky subjekt”.

Kallëzuesit i kanë dhënë hua Xhevat Rirës apo firmës RIRA sh.a këto vlera:

Personi 1 – 3 milionë lekë
Personi 2 – 5.5 milionë lekë
Personi 3 – 5 milionë lekë
Personi 4 – 3.5 milionë lekë
Personi 5 – 3 milionë lekë
Personi 6 – 800 mijë lekë
Personi 7 – 20 mijë euro
Personi 8 – 5 milionë lekë
Personi 9 – 2.5 milionë lekë

(Shënim: Emrat e personave nuk mund të bëhen publike në këtë fazë të hetimit)

Gazeta Shekulli, 26.11.2014