Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nxjerrim energjinë nga kriza brenda 2018

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave për Buxhetin 2015

Të nderuar deputetë,

Nuk dua të hyj tek shifrat konkrete sepse buxhetin e keni parasysh, por dua të flas në përgjithësi, përfshirë në mënyrë akumulative për të gjithë elementët që sjell ky buxhet, përsa i përket Ministrisë sonë dhe të gjithë sektorit energjetik.

Ministria jonë nuk është një ministri që ka një buxhet të madh apo një mbështetje direkte, por për shkak të krizës energjetike, sidomos akumulimit të saj vitet e fundit, Buxheti i Shtetit ka qenë vit për vit më keq i ekspozuar ndaj gropës në energjetikë. Ekspozimi ka ardhur si rezultat i garancive financiare, garancive që ka dhënë qeveria shqiptare, për nevojat e importit të energjisë elektrike apo për të mbushur hendekun financiar që ekziston në sektorin energjetik.

Llogaritet që vitin që kaloi, akumulimi i garancive shkon deri në mbi 200 milion dollar. Po të vazhdonin pa ndërhyrje, me reforma konkrete dhe me reforma të thella siç po i bëjmë përsa i përket ristrukturimit të të gjithë sektorit, ky hendek financiar do të kërkojë akoma më shumë garanci qeveritare. Do të thotë që vlerat do të jenë të papërballueshme për Buxhetin e Shtetit. Buxheti jonë, kësaj radhe përfaqëson mbështetje të të gjithë objektivave që i kemi vënë vetes, si përsa i përket sektorit energjetik në kuadrin e politikave, ashtu edhe përsa i përket garancive që do të japë shteti në lidhje me huamarrjet apo investimet e nevojshme, siç është edhe projekti i Bankës Botërore për rimëkëmbjen e sektorit. Një projekt që përfshin një vlerë prej 150 milion dollarësh, ku do të mbështetet edhe me fondet që do të vijnë nga donatorë të tjerë, por edhe fondet counter parted lokale.

Nga ana tjetër, buxheti mbështetet edhe projekte të tjera për promovimin e eficencës energjetike, ku nëpërmjet donatorëve kemi siguruar financime për të bërë edhe projekte konkrete, siç ka qenë rehabilitimit i disa shkollave vitin e kaluar dhe për vitin tjetër parashikohen investime për të transformuar të gjithë qytetin studenti në një projekt me eficencë energjetike. Për këto janë siguruar fondet lokale pasi pjesa më e madhe e financimeve vjen nga KFV-ja gjermane. Gjithashtu, mbështeten edhe me fonde të nevojshme për zhvillimin e politikave për energjitë e rinovueshme edhe për projektin e Devollit. Pra, kemi të bëjmë me kompensimin e infrastrukturës së nevojshme, gjë që nuk është bërë nga ish qeverisja, zëvendësimi i infrastrukturës së nevojshme për përfundimin e këtij projekti të Devollit. Vit pas viti të parashikohen disa fonde, për këtë vit janë parashikuar 1.2 miliard që do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim në mënyrë që kontributi i shtetit për atë pjesë të munguar të bëhet efektivë dhe njëkohësisht projekti Devollit të përfundojë në vitin 2018, siç parashikohet duke shtuar 20% prodhimin e energjisë elektrike në vend, një projekt i rëndësishëm koncesionar.

Gjithashtu, ka edhe mbështetje të nevojshme përsa i përket sektorit minerar, siç është forcimi i kapaciteteve të repartit të inspektim, shpëtim minierave, ku u bë investimi këtë vit për mjete teknike dhe pajisje të nevojshme. Po ashtu, edhe fondet për transparencën në industrinë nxjerrëse apo edhe fondet që kemi gjetur shtesë nga donator. Realisht, këto kanë qenë politika të iniciuara nga qeveria, ku kemi gjetur mbështetje nga qeveria zviceriane, për ndërtimin e kapaciteteve në fushën e gazit, si dhe ngritjen për herë të parë të institutit të naftës dhe të gazit. Pra, ai institut që dikur u shkri dhe u shkërmoq pa ndonjë arsye, të kemi mundësi me financime tashti me grante nga qeveria zviceriane, ti vëmë në punë këto kapacitete.

Po ashtu edhe mbështetja që do të vijë përsa i përket projekteve që lidhen me TAP-in, kontribute të tyre për diversifikimin e energjisë në të ardhmen, sidomos dhënien jetë të projektit, fatkeq do ta quaja të TEC-i të Vlorës, i cili për shkak të keqplanifikimit dhe menaxhimit të dobët gjatë viteve, si dhe i menduar shumë keq për burimin që kishte të marrë jetë kur Shqipëria të ketë burime gazi.

Megjithatë, të fokusohemi tek pjesa më e rëndësishme, përsa i përket sektorit elektroenergjetik, sektor i cili thashë ka qenë burimi kryesor i gropës financiare dhe që ka shkaktuar kërcënime për stabilitetin financiar dhe buxhetor të vendit. Aktualisht jemi në një fazë tepër intensive, masat që kemi marrë, janë masa që po japin rezultat. Pra edhe përdorimi i forcave të rendit ka qenë jashtëzakonisht i nevojshëm për të vendosur ligjshmërisë në pjesën më të errët që ka qenë humbja për shkak të vjedhjeve të energjisë elektrike.

Rezultatet e para janë domethënëse dhe janë të dukshme. Edhe përmirësimet këtë vit kanë qenë të dukshme nisur edhe nga vështirësitë që kemi pasur për faktin sepse morëm sektorin nën kontroll mbas mbylljes së një konflikti të tejzgjatur me palën çeke, i cili do ta ekspozonte sektorin në rreziqe financiare të padëshirueshme në të ardhmen. Mbi të gjitha nuk do të na jepte mundësinë, nëse nuk do ta kishim mbyllur si konflikt, që të fillonim reformën dhe të nisnim investimet, pasi askush nuk ishte i gatshëm të investonte në sektorin energjetik pa mbyllur atë konflikt të hapur.

Çfarë ka sjellë kjo?! Vetëm këtë vit kemi një rezultat prej 66 milion dollarë të grumbulluar më shumë nga pjesa e arkëtimeve, do të thotë që arkëtimet janë përmirësuar, duke arritur në një shkallë afërsisht 85%, ndërkohë që mos harrojmë në vitin 2012 arkëtimi vajti edhe në masën 64%, edhe për shkak të politikave, më dukeshin të mira nga ana populiste, por jashtëzakonisht dëmtuese. Këtu mund të përmendim sidomos amnistinë që u bë në vitin 2012 për faljen e faturave e cila solli një valë të tërë reagimi për mos pagimin e faturës dhe solli që sektori të zhytej akoma më shumë në një gjendje të vështirë financiare dhe në mungesë të financave, pra vetë kompania.

Nga ana tjetër, kemi një reduktim humbjesh krahasuar me vitin e kaluar në një vlerë të përafërt prej 7%. Muaji tetor arriti në një rekord uljes të humbjeve dhe pa llogaritur këtu efektet e masave të fundit që kemi marrë, arriti humbja në 34%.

Shpresojmë që këtë muaj trendi të jetë akoma më shumë zbritës, do të thotë që mesatarja e këtij viti ne synojmë që të shkojmë shumë më poshtë 40% siç ka qenë plani, por të shkojmë me një mesatare tek 38% apo edhe më poshtë të humbjeve në përgjithësi. Nga të cilat për ta kuptuar të gjithë janë humbje teknike dhe jo teknike ku vjedhja zë gjysmën e kësaj vlere. Ky ka qenë synimi ynë kryesor që vjedhja të mos jetë një barrë kryesisht për konsumatorët, që ka sjellë edhe atë hendek të madh dhe diferencë të madhe, apo të themi një gropë të madhe financiare që ka sjellë sektori, që vazhdimisht kërkon financime nga buxheti i shtetit dhe që i bën tarifat e energjisë jo që mbulojnë kostot e tyre.

Mund t’ju them konkretisht disa të dhëna të fundit, për shkak të masave të marra janë shumë domethënëse . Për këtë muaj është vërejtur një ulje e konsumit të energjisë elektrike, kjo është shumë domethënëse, është ulje në gati 15%. Do të thotë njerëzit tregojnë më shumë kujdes me konsumin e energjisë elektrike dhe kemi një rritje të faturimit në masën 10%. Do të thotë ka filluar legalizimi, në qoftë se do të përdor këtë term, i informalitetit në energji. Kjo e kombinuar edhe me pagesa më të larta, që shkojnë deri në vlerë 20 milion dollarë vetëm në këtë periudhë, fillojnë dhe e sjellin sistemin në një tendencë pozitive. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm dhe ne jemi të vendosur, qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë, dhe nuk ka asnjë mëdyshje nuk mund të tërhiqemi më nga kjo qasje e re e shtetit me konsumatorët e energjisë elektrike. Ata që janë të ndershëm do të mbështeten edhe me shërbimet e nevojshme, pikërisht këto para për sistemin elektroenergjetik duhen për investime, ashtu edhe për të dhënë mesazhin e qartë që nuk ka më informalitet në sektorin e energjisë elektrike.

Tashmë, qeveria ka marrë masat duke krijuar edhe një Njësi Speciale Operacionale pranë Task Forcës e cila e fillon operacionin në ditët në vijim. Ajo do të kontrollojë edhe punën e operatorit të shpërndarjes, sepse siç ë e kemi thënë bashkëpunimi shpeshherë është krejt i dukshëm mes punonjësve të operatorit të shpërndarjes dhe keqbërësve të energjisë, do ti quaja të tillë, sepse të tillë janë dhe nuk mundet që ata të operojnë pa ndihmën e punonjësve të operatorit.

Tashti që flasim janë mbi 35 punonjës të operatorit të shpërndarjes të cilët janë proceduar penalisht, pjesa më e madhe e tyre janë në burg, për shkak të bashkëpunimit me këta konsumatorë të paligjshëm të energjisë, as emrin konsumatorë se meritojnë sepse në fund të fundit janë hajdutë të energjisë elektrike. Realisht këto masa nuk janë të vetmet. Është e mira pse buxheti do të jetë më pak i ekspozuar ndaj sektorit të energjisë elektrike, se në themel ky është qëllimi. Nuk është qëllimi Buxheti i Shtetit të mbështesë sektorin energjetik.

Sektori energjetik është një sektor që duhet të mbajë veten, gjë që ka dështuar për 24 vjet. Pse?! Sepse energjia ka qenë nën kosto, energjia është shpërdoruar, është vjedhur, mbi energjinë janë bërë eksperimente siç është edhe shitja e katër hidrocentraleve, e katër aseteve shumë të çmuara që shërbenin për një bilanc shumë të mirë energjetik për vitin 2012 dhe realisht shtetit i humbën asetet të nevojshme. Po ashtu, edhe politika të paplanifikuara të dhënies së koncesioneve, të cilat ne po i sjellim në shinat e ligjit. Si po i sjellim, pasnesër në qeveri kalojnë edhe vendimin përkatës, duke ristrukturuar tarifat që ju blihet energjia koncesionarëve privatë të hidrocentraleve. Pasi energjia e blerë nga ta, e para nuk ishte reflektuar në tarifë një pjesë e mirë e tyre, gjë që bënte që KESH-i vazhdimisht të futej në borxhe të mëtejshme duke rënduar ekspozimin e Buxhetit të Shtetit ndaj Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Kjo ka sjellë edhe një aplikim të tarifës më të lartë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare dhe ne kemi zgjedhur një dialog me ta, duke siguruar që edhe atyre t’ju likuidojmë diferencat e krijuara, pra të gjitha detyrimet e prapambetura, por nga ana tjetër çmimet e energjisë të futen në parametra më të afërt të tregut. Do të thotë tregu ndërkombëtar me një bonus por që janë shumë të afërta se çmimet e importit, apo më të ulta se çmimet e importit dhe duke ndryshuar modelin e tregut nëpërmjet legjislacionit të ri të energjisë, i cili do t’ju vijë shumë shpejt në parlament dhe konsiston në faktin që do të ndryshojë i gjithë modeli i tregut. Do të thotë hidrocentralet private do të furnizojnë direkt Operatorin e Shpërndarjes dhe Korporata Elektroenergjetike Shqiptare do të mbetet vetëm për prodhimin e energjisë, duke mbështetur klientët tariforë, pra ky është edhe synimi kryesor i saj.

Çfarë do të thotë kjo?! Do të thotë që korporata do të fillojë të shëndoshet më shumë financiarisht, do të shkëputet detyrimi i saj për të përballuar politika që normalisht duhet të shkojnë te Operatori i Shpërndarjes, apo politika incentivuese, duke shërbyer një bazë e mirë për të rritur burimet e reja të energjisë. Shqipëria ka një sfidë të madhe në vitet në vijim, është një problematikë e akumuluar që kthehet në një sfidë për vitet e mëvonshme.

Shqipërisë i duhet burimet brenda, por në mënyrë që burimet e brendshme të shtohen, pra prodhimi i energjisë elektrike në Shqipëri të shtohet dhe Shqipëria të mos jetë e varur në 40 e ca përqind të saj nga importi, duhet të nxisim investimet. Nxitja e investimeve bëhet me dy elementë , duke pasur mbi të gjitha një klimë më të mirë për investimet dhe këtë po e bëjmë me rregullat dhe me legjislacionin e ri të energjisë elektrike, që do të ketë rregulla më të thjeshtë për investime në fushën e energjisë.

Me një planifikim të mirë dhe jo duke bërë investime të cilat nuk kanë efektivitet në sistemin energjetik, pra janë prodhime të cilat nuk ndikojnë në bilancet energjetike, përkundrazi shkaktojnë disbalanca dhe humbje. Mbi të gjitha mbi një disiplinë financiare, sepse asnjë nuk do të investonte në sektorin energjetik nëse nuk do të kishim cash floë, para të garantuara dhe sektor likuid. Kjo arrihet nëpërmjet disiplinimit të pagesës një, dhe e dyta duke filluar liberalizimin e tregut.

Gjë që po e bëjmë, duke filluar vitin tjetër me klientët e lidhur në 35kv, pra ata klientë të cilat janë industrialë dhe që kanë fabrika, qendra komerciale dhe janë të lidhur direkt në tension të mesëm do të fillojnë të dalin të sigurojnë energjinë e tyre. Deri në fund të vitit 2015 nëpërmjet edhe investimit që do të bëjmë në sistemin e matjes, të dispeçerimit dhe duke e kthyer Operatorin e Sistemit të Transmetimit tamam në zemrën e sistemit tamam për të rregulluar edhe matjen për këta klientë që dalin nga rrjeti i rregulluar, do të fillojë do të ulet barra për të mbështetur klientët e rregulluar.

Do të thotë që këta investitorë privatë, këto kompani private do të fillojnë ta blejnë energjinë në tregun e lirë. Kjo sjell dy efekte shumë të mira. E pra liron barrën e operatorit, duke e ngushtuar problemin kryesisht tek klientë familjarë apo ata të lidhur në tensionin e ulët siç janë edhe biznese të vogla nëpër qytete. E dyta, krijon mundësi për tregtim energji dhe për blerjen e energjisë nga investime private. Gjithë këto hidrocentrale nesër që do të ndërtohen, siç përmenda Devollin dhe disa projekte të tjera, shpresojmë në të ardhmen Skavica, prandaj duhet Korporata Elektroenergjetike Shqiptare e shëndoshë, pasi është një projekt që lidhet me gjithë kaskadën, do të ketë mundësi që prodhimi i tepër i energjisë tregtohet nga këta konsumatorë.

Garancitë financiare që do të japë qeveria do të jetë drejt infrastrukturës energjetike, siç janë linjat e tensionit të lartë, linjat e tensionit të mesëm. Pse? Sepse Shqipëria ka nevojë të lidhet me tregun rajonal. Ju e dini që në 2016 do të përfundojë linja me Kosovën, do të fillojmë edhe lidhjen me Maqedoninë, do të rregullojmë edhe ringun e Shqipërisë së mesme, pra Tiranës dhe ku është pjesa qendrore, ku është përqendruar aktiviteti ekonomik, që është edhe konsumi më i lartë. Kjo do të sjellë infrastrukturë të plotë dhe shpresojmë që deri në 2020 Shqipëria të ketë një infrastrukturë të plotë përsa i përket tensionit të lartë dhe tensionit të mesëm.

Investimet e tjera do të jenë në sektorin e shpërndarjes. Sektori i shpërndarjes është ai që nuk ka pasur investime, ka qenë në një situatë katastrofale, është një rrjet kryesisht i viteve 70. Humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha teknike që shkojnë deri në 20%, për shkak edhe të mungesës së investimeve totale në këtë sektor. Prandaj edhe kredia e BB, por edhe investime të tjera nga institucione financiare , shpeshherë edhe me garanci qeveritare, do të shkojnë që të bëhen investimet e nevojshme në sektorin e shpërndarjes. Ky është një plan i qartë i qeverisë për të investuar deri në 400 milion dollarë, deri në vitin 2020 për sistemin elektroenergjetik.

Kjo do të sjellë ulje të humbjeve teknike, qëndrueshmëri më të madhe financiare dhe duke imponuar me politikën e re disiplinën e pagesave do të bëjmë që humbjet në energji, siç i kemi vënë qëllim vetes të reduktohen çdo vit me 5%. Nga pikëpamja e aktivitetit ekonomik, Operatori i Shpërndarjes të jetë një kompani e cila nuk do të kërkojë më mbështetje nga shteti. Kjo nuk arrihet vetëm me rritje tarifash, për të konsumuar edhe shumë hamendësira politike që hidhen, synimi jonë ka qenë që të lëvizim paralel. Tarifa të ristrukturuara në mënyrë të tillë që të mbyllen dritaret e abuzimit pa ndikuar kryesisht tek konsumatorët familjarë. Nga ana tjetër investimet e nevojshme të reduktojnë edhe politikat që fola, qoftë edhe duke përdorur agjencitë ligj zbatuese, të ndikojnë në uljen drastike të humbjeve, në mënyrë që sistemi të shkojë në ato parametra që është i pranueshëm. Është një sfidë e vërtetë, sistemet energjetike janë të vështira, reformat në energji nuk janë të vështira vetëm për Shqipërinë, janë të vështira për të gjitha vendet. Gjithë vendet e rajonit kanë probleme të mëdha të sektorit energjetik. Shqipëria ka pasur probleme jashtëzakonisht të mëdha jo vetëm në mungesën e investimeve dhe në sistemin e saj arkaik, por mbi të gjitha edhe nga politikat populiste, politika antikombëtare shpeshherë me shitje asetesh apo edhe privatizime të pamenduara. Fatkeqësisht ne vuajmë një gropë të madhe financiare e cila dihet tashmë shkon mbi 1.1 miliard dollarë, e cila do të mund të mbushet dhe rregullohet vetëm nëpërmjet masave të forta që ne kemi ndërmarrë.

Kjo është një ekspoze e përgjithshme përsa i përket sektorit elektroenergjetik. Ndërkohë që për sektorët e tjerë, Ministria e linjës mbulon edhe burimet natyrore. Industria minerare ka një rritje të prodhimit të vazhdueshëm. Kemi vënë një disiplinë shumë të fortë në sektorin minerar, duke eliminuar shumë licenca fiktive apo aktivitete të cilat zhvilloheshin ilegalisht, duke pastruar regjistrin e minierave nga 1700 leje që figuronin, por që pjesa më e madhe nuk dihet se çfarë ishin, sot janë në më pak se 800, do të thotë që ata që punojnë dihet kush janë dhe kontribuojnë. Kuptohet industria minerare ka një vulnerabilitet për shkak të tregjeve ndërkombëtare. Mund të ketë edhe nonsense të tilla që rritet prodhimi, por bien të ardhurat për shtetin për shkak të influencave që ka tregu ndërkombëtar, siç ka ndodhur vitet e fundit. Fatkeqësisht ekonomia botërore nuk po ngrihet dhe kjo do të thotë të ardhura më të pakta nga industria minerare.

Pikërisht prandaj po nxitet prodhimi vendas i industrisë minerare. Edhe me paketën e re fiskale kemi synuar përpunimin e minerale në vend. Jo vetëm për kromin, por për të gjithë ferrometalet kjo duhet të jetë praktikë standard për të nxitur prodhimin dhe shenjat janë të mira. Po rriten kapacitetet e prodhimit të ferrokromit në vend, ka disa aplikime. Së fundi kemi proceduar edhe aplikimin për fabrikë shtesë në Elbasan nga një investitor tjetër privatë, do të thotë që i ka të gjitha mundësitë Shqipëria që në krye të disa viteve të plotësojë të gjithë ciklin e brendshëm të përpunimit të kromit. E njëjta gjë duhet të ndodhë me bakrin, e njëjta gjë duhet të ndodhë për mendimin tim edhe me naftën, megjithëse nafta është goditur shumë rëndë nga ulja e çmimeve në tregun ndërkombëtar, një ulje drastike. Por mundësitë për prodhimin vendas janë të mira dhe fatmirësisht në Shqipëri vitin e fundit kemi përpunuar 260 mijë ton naftë në vend. Është hera e parë që në Shqipëri përpunohet kjo sasi e tillë dhe vërtet është një arritje që duhet vlerësuar dhe ky është drejtimi që ne duhet të shkojmë në mënyrë që të rrisim vlerën e shtuar për ekonominë shqiptare.

Kjo ishte një ekspoze e gjithë sektorit, thashë që jemi në një program intensiv përsa i përket reformave dhe kryesisht vendin e parë e zë ajo elektroenergjetike që është sfida më e madhe. Por të paktën kemi një plan konkret, kemi një legjislacion të ri, i cili shumë shpejt do të kalojë, një model të ri tregu, i cili do të fillojë rregullimin e tregut, por njëkohësisht të shoqëruar me masat dhe politikat qeveritare do të sjellë stabilitetin e nevojshëm financiar në mënyrë që sektori energjetik të dalë nga ajo gjendja e sëmurë që është dhe të fillojë të ecë me këmbët e veta.

Faleminderit, jam i hapur për çdo pyetje.

energjia.al 25.11.2014