Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, investime 100 mln $ për rrugët

Konsorciumi i gazsjellësit Trans-Adriatik pritet të investojë në pranverën e vitit të ardhshëm rreth 100 milionë dollarë për ndërtimin e rrugëve dytësore dhe rajonale.

Burime nga ky konsorcium bëjnë të ditur se, ndërtimi i rrugëve është parashikuar të kryhet në të gjitha ato zonat nga ku do të kalojë gazsjellësi, në mënyrë që, të mundësohet aksesi për ndërtimin e veprës. Gjatë fillimit të vitit të ardhshëm, TAP-AG do të zhvillojë tenderë për ndërtimin e akseve rrugore duke nënkontraktuar kompani të ndryshme, kryesisht shqiptare. Ndërkohë, që gjatë këtyre ditëve pritet të përfundojë edhe procesi i shpronësimeve dhe marrjes së tokave me qira në zonat nga ku do të kalojë gazsjellësi.

Një ditë më parë, drejtori ekzekutiv i këtij konsorciumi, Kjetil Tungland, zhvilloi një takim me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, pikërisht për të diskutuar mbi zbatimin e projektit në terren. Vepra që pritet të përfundojë gjatë vitit 2019 është investimi më i madh i huaj në vendin tonë. Gazsjellësi Trans-Adriatik do të transportojë gazin nga fushat e Shah Deniz në Azerbajxhan drejt Europës, duke kaluar nga Greqia, Shqipëria dhe Italia.

Në Shqipëri, ky gazsjellës do të shtrihet 104 kilometra në tokë dhe rreth 60 kilometra në rrugë detare. Kapaciteti fillestar i transportimit të gazit do të jetë 10 miliard metër kub në vit, me mundësinë për të dyfishuar këtë kapacitet në vitet në vijim. Ndërkohë që, në zonën e Fierit është parashikuar edhe ndërtimi i një stacioni për rezervimin e gazit të lëngshëm, ndërsa vendi ynë përveç investimeve dhe tarifave të transportit, do të përfitojë edhe një sasi gazi të caktuar në vit e cila do të përdoret kryesisht për industrinë dhe termocentralin e Vlorës.

Scan TV, 22.11.2014