Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Studimi i SHGJSH, orientues për projektet zhvillimore

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri në konferencën “Gjeologjia, gjeoresurset dhe gjeoreziqet në Qarqet e vendit”:

Të nderuar pjesëmarrës!

Fatkeqësisht, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar është në listën e atyre institucioneve publike që shpesh nuk merr vëmendjen e duhur nga media dhe opinioni publik. Rreziqet gjeologjike, erozioni, rrëshqitjet apo shembjet e tokës janë një problem i vazhdueshëm ndaj nuk mund të neglizhohet shkenca që i studion pikërisht këto fenomene.

Shpreh besim se studimi që prezantohet sot, ndihmon edhe për të ndërgjegjësuar opinionin lidhur me rëndësinë e punës së gjeologëve dhe ndikimin që ka kjo shkencë në zhvillimin e vendit.

Pak muaj më parë, mazhoranca miratoi reformën e re administrative-territoriale, e cila natyrshëm do ta bëjë më efektiv pushtetin lokal duke e sjellë atë më afër qytetarëve. Ndërkaq, studimi që kemi përpara synon t’i vijë në ndihmë organeve të qeverisjes vendore për të hartuar politika zhvillimore ekonomike dhe për administrimin më të mirë të territorit ku ato kryejnë aktivitetin e tyre.

Qarqeve të vendit dhe njësive përbërëse të tyre u vihen në dispozicion të dhëna të plota për gjeologjinë, për mineralet, materialet e ndërtimit, burimet e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, gjithë problematikën e rreziqeve gjeologjike.

Ky është një hap padyshim me rëndësi në drejtim të hartimit të projekteve të përbashkëta zhvillimore, në partneritet me organet e qeverisjes qëndrore dhe biznesin vendas e të huaj, për të rritur të ardhurat, për të rritur nivelin e punësimit dhe ulur fenomenin e varfërisë.

Ky studim i shërben edhe investitorëve vendas e të huaj për tu orientuar drejt zonave ku ekziston mundësia më e madhe për të zbuluar rezervat e pasurive nëntokësore.

I takon tanimë pushtetit vendor që të tregohet i kujdesshëm për të respektuar në mënyrë strikte kriteret teknike në dhënien e lejeve të ndërtimit e të administrimit të territorit në gjithë problematikën e tij. Nuk duhet ta harrojmë se nga mosnjohja apo shkelja e rregullave teknike, moskryerja e mosmarrja në konsideratë e studimeve gjeologjike, për objekte e zona të caktuara, kanë ndodhur probleme të mëdha duke u shembur ndërtesa e grup ndërtesash deri lagje e zona të tëra, private dhe publike.

Neglizhimi i studimeve gjeologjike ka çuar gjithashtu në dëmtime në ndërtesa, rrugë e tunele të ndërtuara me fonde publike.

Për ta afruar Shërbimin Gjeologjik sa më afër problematikave të komunitetit, kemi filluar punën për reformimin e tij, në pikëpamje ligjore, strukturore dhe programore, mbi bazën e nevojave tona por edhe të përvojës së shërbimeve gjeologjike Europiane ku shërbimi ynë është i anëtarësuar.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, ne miratuam strukturën e re të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar, duke ngritur për herë të parë një strukturë të re, atë të gjeologjisë detare. Gradualisht, me mbështetjen e nevojshme të kësaj strukture, me specialistët dhe mjetet e duhura do të fillojmë studimet gjeologjike edhe në det.

Shumë shpejt do të dërgojmë në Parlament edhe projektligjin e ri për SHGJSH-në. Reformimi programor i shërbimit tonë gjeologjik, ka të bëjë me orientimin që shteti, pra qeveria nëpërmjet ministrisë, i jep këtij instuticioni për të kryer studime apo për të përgatitur strategji zhvillimi që i nevojiten vendit.

Ne nuk mund të lejojmë që institucionet tona, kërkimore e shkencore, pavarësisht nga mënyra e organizimit dhe e varësisë së tyre të punojnë në boshllëk. Ndaj, ky studim i shërben këtij qëllimi, reformimit dhe angazhimit konkret të këtij institucioni në zhgjidhjen e problemeve të vendit në fushën e gjeoshkencave.

Investitorët privatë në Shqipëri, vendas dhe të huaj duhet që ta shfrytëzojnë potencialin e Shërbimit Gjeologjik, studimet dhe rekordet që ka ky institucion për të orientuar drejt sipërmarrjen e tyre.

Që të eleminojmë probleme me kosto shumë të mëdha për qytetarët dhe për ekonominë e vendit, përpara se të miratojmë projekte të çdo objekti, ne duhet të kemi studimin gjeologo-inxhinierik, si instuticioni më i besuar dhe këshilltar tekniko-shkencor i shtetit për këtë qëllim.

Kemi përcaktuar në projekt-ligjin e ri të Shërbimit Gjeologjik se çdo objekt inxhinierik që ka të bëjë me gërmimin në tokë, të ketë një dokumentacion të plotë gjeologjik si në projektim edhe në zbatim. Duhet tu kërkojmë gjeologëve të punojmë shumë në këtë drejtim, por edhe duhet ti dëgjojmë e të zbatojmë kushtet teknike që ato përcaktojnë në studimet e tyre.

Një tjetër element mbeten pasuritë ujore. Ujërat tona nëntokësore rrezikohen tu pakësohen rezervat e tyre nga ndërhyrjet e pa studiuara ose abuzive, nga individë e subjekte private e publike jashtë çdo kushti e rregulli të përcaktuar. Nuk mund të bëhen shpime për ujë kudo e nga kushdo, pa leje apo me leje abuzive në basenet e ujërave nëntokësore. Janë këto bazene që sot e në perspektivë do mund të furnizojnë popullatën, industrinë, bujqësinë, ndaj nuk mund të tolerohet ky element.

Organet e qeverisjes vendore nuk duhet që të lejojnë veprime të tilla, ndërtime objektesh mbi bazenet e ujërave nëntokësore që i ndotin dhe i shkatërrojnë ato.

Nuk duhet ta harrojmë se krahas administrimit të territorit mbetet problem dhe ndotja e tij. Padyshim këtu ndikojnë edhe faktorët natyrorë, por shumë të theksuara janë edhe ndotjet që vijnë nga veprimtaria e mungesa e kujdesit njerëzor.

Në studimin e Qarqeve edhe ky problem trajtohet me shumë hollësi për secilin qark, duke pasqyruar gjendjen e duke dhënë rekomandime për eliminimin dhe ruajtjen e çdo njësie nga ndotjet që kanë efekt jo vetëm lokal, por shumë më gjerë.

Përveç studimeve për përcaktimin e shesheve perspektive për kërkim-zbulimin e rezervave të reja të naftës e gazit, kromit dhe bakrit, nga kompanitë vendase dhe të huaja, duke marrë shkas nga kjo Konferencë, Shërbimit Gjeologjik Shqiptar do ti japim detyrë, që të fillojë studimin kompleks gjeologjik edhe për 61 njësitë vendore të përcaktuara në reformën territoriale, sipas standarteve të studimit të Qarqeve, por në shkallë më të detajuar.

Toka shqiptare ka dhuratë nga perëndia veç pasurive të tjera edhe një numër të madh e të shumëllojshëm, pothuajse në çdo qark të vendit, gjeomonumentet të cilët i japin një bukuri të mahnitëshme natyrës tonë. Evidentimi, përshkrimi, promovimi dhe ruajtja e këtyre monumenteve të natyrës, të krijuar nga miliona vjet më parë, janë pasuri e papërsëritshme dhe me interes për të nxjerrë edhe përfitime nga turizmi, nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Duke e mbyllur, falenderoj edhe njëherë specialistët e strukturat e Shërbimit Gjeologjik Shqiptar për punën cilësore që kanë bërë në hartimin e këtij studimi.

Faleminderit!

energjia.al 24.11.2014