Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bejtja: Kostot e energjisë në buxhet eliminohen më 2018

Intervistë me ZV/Ministrin e Energjisë Z. Ilir Bejtja

Në vitin 2018, qeveria planifikon që sektori i energjisë të mos transmetojë kostot në buxhetin e shtetit. Zv.ministri i Energjetikës, Ilir Bejtja tha se, bilanci i Operatorit të Shpërndarjes do të mund të përmirësohet mesatarisht çdo vit me rreth 12 miliardë lekë që është efekti i vjedhjeve. Me përmirësim që këtë vit të arkëtimeve me mbi 6.5 miliardë lekë, të ardhurat në total arrijnë në 18 miliardë lekë. Ky nuk është target vetëm për një vit, por për fazën e parë të reformës së energjisë elektrike, shtoi zyrtari i energjetikës. Synimi është që në vitin 2018, OSHEE të mos ketë më bilanc negativ dhe të ketë përmirësuar brenda kërkesave të programit humbjet teknike. Bejtja pohoi se, sapo është miratuar një program investimesh me ndihmën e Bankës Botërore, që në total kap shifrën e 275 milionë dollarëve deri në 2018, kryesisht për pjesën operative dhe të shpërndarjes, por objektivi i qeverisë është që të investohen në të gjithë sistemin, pra gjenerim, transmetim dhe shpërndarje rreth 450 milionë dollarë deri në 2020. Zv.ministri pohoi se, tarifat e sotme janë larg së mbuluari të kostove të energjisë elektrike. Sipas tij, edhe tarifat e reja nuk do të arrijnë t’i mbulojnë këto diferenca akoma për disa vite, derisa sistemi të ketë ulur deri në minimumin e mundshëm humbjet në rrjet. “Ne planifikojmë që kjo situatë do të fillojë të bëhet pozitive në 2018 për t’u konfirmuar si rezultat në 2019”, tha ai.

Zoti Bejtja, qeveria, kohët e fundit, është përfshirë në aksion për të ulur vjedhjet e energjisë. Çfarë vlerash monetare prisni dhe sa do të ulen humbjet në përqindje?

Sot që flasim, humbjet në sistemin e energjisë elektrike, të materializuara në sektorin e shpërndarjes, janë mesatarisht 38-39% në total, nga e cila, rreth 19% është vjedhje. Kjo e përkthyer në vlerë monetare arrin rreth 18 miliardë lekë në vit, ose rreth 150 milionë euro. Një pjesë e saj është e lidhur me abuzimin dhe pjesa tjetër me investimet e munguara në sistem dhe me nivelin e lartë të humbjeve teknike. Pra ajo që ne presim nga ky aksion, që në fakt nuk është i tillë, por unë do ta quaja tashmë një veprim i përbashkët i përditshëm i OSHEE dhe Policisë së Shtetit, i cili nuk do të ndalet deri sa vjedhjet të jenë identifikuar plotësisht, vjedhësit të jenë dënuar dhe energjia e hedhur në sistem do të jetë 100% e faturuar, është eliminimi njëherë e përgjithnjë i kulturës absurde të mospagimit të detyrimeve nga ana e qytetarëve, ose e një pjese të tyre, dhe një situatë krejt e ndryshme në sistemin e energjisë elektrike në vend. Pra, shkurt, humbjet nga vjedhjet ‘zero’, arkëtimet në nivelet e vendeve të BE-së, më shumë investime në sistem dhe ulje të paktën në nivelin e vendeve të rajonit të humbjeve teknike nëpërmjet më shumë investimesh, një ndërmarrje të shëndoshë ekonomikisht dhe e aftë të ofrojë shërbime me cilësi për vendin, dhe mbi të gjitha, një efekt të synuar maksimalisht, të dënimit të korrupsionit dhe krimit ndaj mallrave e të mirave publike, efekti i dëmtimit të të cilave përkthehet në më pak mirëqenie e mundësi rritje për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Nga ky aksion, sa do të përmirësohet bilanci i sektorit të kompanisë së shpërndarjes (OSHEE) dhe sa do të përkthehet kjo në përfitim për buxhetin e shtetit?

Bilanci do të mund të përmirësohet mesatarisht çdo vit me rreth 12 miliardë lekë, që është efekti i vjedhjeve, me përmirësim që në vitin e parë, 2014, të arkëtimeve me mbi 6.5 miliardë lekë, pra një e hyrë e synuar prej më shumë se 18 miliardë lekësh. Ky nuk është target vetëm për një vit, por për fazën e parë të reformës së energjisë elektrike. Synimi është që në vitin 2018, OSHEE të mos ketë më bilanc negativ dhe të ketë përmirësuar brenda kërkesave të programit humbjet teknike.

Buxheti i shtetit këtë vit ka marrë përsipër një kosto prej 20 miliardësh, që në vend të shkojë për shërbime të tjera publike i dedikohet borxhit në energjetikë, çfarë zgjidhjesh keni menduar ju që kjo kosto mos të rëndojë taksapaguesit e ndershëm?

Pikërisht, edhe programi dhe aksioni për eliminimin e vjedhjeve të energjisë elektrike është hapi i parë i rëndësishëm që ne kemi ndërmarrë, pra të ulim në maksimum humbjet nga vjedhja. Kjo është një betejë që shqiptarët së bashku me ne duhet ta luftojnë e ta fitojnë me vetveten. Ndërkaq, qeveria do të ndërmarrë të gjithë hapat administrativë e ligjorë që kjo kosto negative të mos reflektohet në asnjë tarifë dhe të mos rëndojë në kurriz të shqiptarëve, atyre që janë pagues të rregullt të energjisë. Do të vazhdojmë të ulim humbjet totale drejt atyre të justifikuara teknikisht. Do të vazhdojmë të investojmë për këtë qëllim, si në shpërndarje, ashtu edhe në transmetim dhe prodhim të energjisë, dhe këtë sapo e kemi nisur me investimin e Bankës Botërore.

Ministria e Financave pohon se, problemet që ka krijuar sektori i energjisë elektrike kanë sjellë buxhetin në limitet e funksionimit. Si mund të parandalohet kjo situatë që po çon në kolaps të gjithë ekonominë e vendit?

Është realitet që keqadministrimi i sistemit dhe vendimet e marra nga qeverisja e kaluar e kanë bërë situatën mjaft të rëndë dhe përpjekjet tona thjesht me menaxhim më të mirë të sistemit nuk mjaftojnë. Duhen investime, të cilat tashmë janë nënshkruar dhe garantuar e do të fillojnë menjëherë, duhet këmbëngulje për përmirësimin e performancës së OSHEE-së që nuk na mungon, duhet mbështetje totale e qeverisë për OSHEE që tashmë është bërë realitet, dhe duhet pa diskutim mbështetje e gjerë mbarëqytetare për të gjithë njerëzit e sistemit dhe për të luftuar fenomenet negative të shoqërisë sonë akoma në demokratizim në shumë aspekte, për të bërë realitet ndryshimet e pritura, por edhe për të garantuar qëndrueshmëri dhe për të dhënë siguri që këto fenomene nuk do të përsëriten më. Dhe, mbi të gjitha, këto që thashë, sundimi i ligjit në të gjithë territorin e Shqipërisë, do të bëjë të mundur suksesin në këtë reformë.

Sektori i shpërndarjes, duke veçuar masat që po merren në terren kundër humbjeve, ka ende hapësira për miradministrim të brendshëm. Në raportin vjetor të ERE-s thuhet se janë lëshuar mbi 3 milionë fatura me lexim “zero”. Sa të ardhura shtesë do të sillte përfshirja e tyre në sistem?

Janë rreth 397 mijë abonentë familjarë që faturohen nga 0-100 kilovatorë në muaj, që është një konsum i pamundur fizikisht, kur kjo arrihet vetëm duke mbajtur llambat ndezur e jo më të kryesh shërbime jetësore në familje, dhe midis tyre, rreth 240 mijë që faturohen mesatarisht me ‘zero’ kilovatorë muaj, që është akoma më absurde. Janë shifra që flasin qartë për manipulim të rrjetit dhe abuzim me energjinë elektrike, ose me deformim total të qëllimshëm të ‘konsumit’ të energjisë elektrike. Llogaritjet do mund të na çonin në gabime dhe shifra të pasakta, por di t’ju them që shifra e këtyre familjarëve zë rreth 40% të totalit të abonentëve familjarë. Pra, imagjinojeni vetë se sa mund të jetë totali i manipulimit. Verifikimi dhe saktësimi i konsumit të tyre së bashku dhe me pajisjen me sahate atje ku ato mungojnë, apo duke përfshirë edhe lidhjet e reja të mundshme që duhen realizuar në ato vende ku energjia thjesht vidhet, do të bëjnë të mundur një konsum më të kontrolluar të energjisë elektrike, besoj një ulje të kërkesës për energji elektrike, dhe eliminim integral total të humbjes së sotme financiare prej 150 milionë eurosh të sistemit.

Aktualisht, qeveria, nëpërmjet kompanive OST, KESH dhe OSSHE, është duke kërkuar rritjen e tarifave të energjisë. Sa lekë të ardhura shtesë duhet të sjellë në buxhetin e OSHE-së rritja e çmimit të energjisë?

Këto kompani janë që të tria në kushtet cost recovery, pra vendosin ose kërkojnë tarifa, të cilat mbulojnë kostot e tyre të justifikuara dhe të ligjshme. Të tre operatorët janë duke u përballur me kosto më të larta se sa të ardhurat që mund të arkëtojnë me tarifat ekzistuese. Por tregu është totalisht i deformuar, si lidhur me nivelin e lartë të konsumit të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve familjarë, 57.5% të totalit të energjisë së hedhur në sistem, ashtu edhe brenda konsumatorëve familjarë, ku kemi një segment që sot harxhon mbi 60% të energjisë dhe faturohen mbi 300 kilovatorë në muaj, mesatarja e konsumit të të cilëve është 536 kilovatorë j (këta janë kryesisht ata që paguajnë në rregull energjinë elektrike) dhe rreth 40% faturohen nen 300 kilovatorë në muaj, ose mesatarisht 146 kilovatorë që tregon për një manipulim total të këtij konsumi, kur kemi parasysh që konsumatorët në nevojë kanë qenë deri tani të subvencionuar nga shteti për 200 kilovatorë, si shifër që nga viti 2009 është konsideruar si sasi minimale e nevojshme për të përballuar jetesën. Pyetja natyrshëm vjen, “Mos është ulur nevoja për energji elektrike?”. Konsumi, në fakt, është rritur nga familjarët për çdo segment. Niveli i tyre i modernizimit dhe automatizimit nëpër shtëpi është rritur, kanë më shumë pajisje që punojnë me energji elektrike. Po kështu, edhe energjia e injektuar nga sistemi në rrjet është e rritur çdo vit, dhe sot, në raport me 2009-n të paktën me 15%. Pra deduksioni ose konkluzioni është fare i qartë, “energjia vidhet, shpërdorohet, nuk paguhet dhe është e faturuar shumë nën kosto”. Shumë shpejt do të dëgjojmë edhe komunikimet e ERE lidhur me tarifat e mundshme. Do të deklarohemi zyrtarisht ndaj ERE për qëndrimin tonë si ministri në emër të qeverisë shqiptare lidhur me këto tarifa, duke kërkuar pa tolerancë që të mos ketë asnjë efekt negativ mbi grupet vulnerabël, rreth 215 mijë familje (pensionistë kryefamiljarë abonentë, familje në asistencë sociale, të verbër, paraplegjikë e tetrapligjikë, punonjës buxhetorë me pagë minimale nën 35 mijë lekë dhe kategoria e re e futur në skemë, shurdhmemecët). Pjesa tjetër që mund të preket pak nga ndryshimet, nëse ato do të vinin në nivelet që opozita ose media së fundmi ka deklaruar ose trumbetuar, që si segment, siç ju thashë më lart, konsumojnë mesatarisht rreth 146 kilovatorë në muaj, do të mund të kishin një efekt prej rreth jo më të madh se 450 lekësh në muaj. Duke pasur parasysh që do të qëndrojmë fort si ministri dhe qeveri që tarifa pa fashë, të jetë sa më pranë realitetit të ndërmarrjeve, dhe qytetarët të mos penalizohen në tarifë për mungesën e performancës së sistemit, mendojmë që tarifa e energjisë për familjarët do të jetë shumë më e ulët nga sa deklarojnë opozita dhe mediat dhe efektet do të jenë akoma më të ulëta. Sa për faktin se sa të ardhura do të sjellë në buxhetin e shtetit, besoj se efekti do të mund të matet pasi shtrembërimet që ka sjellë fasha të shmangen dhe situata e konsumit të energjisë elektrike të jetë reale. Për momentin, përfitimet në buxhet do të vijnë nga ulja e vjedhjeve dhe përmirësimi i gjendjes teknike dhe uljes së humbjeve teknike.

Dikasteri juaj ka kërkuar që çmimi i energjisë që KESH blen ndaj prodhuesve të vegjël duhet të ndryshojë. Sa duhet të jetë ky çmim nga niveli aktual, në mënyrë që të funksionojë sistemi pa krijuar borxhe?

Çmimi aktual për vetë referencën që bën në krijim të tij ka sjellë kosto për sistemin. Tani që prodhimi i HEC-eve të vogla private është rritur ndjeshëm, duke zënë rreth 23% të energjisë së faturuar dhe rreth 13% të totalit të energjisë së hedhur në sistem, këto kosto janë rritur aq sa deformojnë ndjeshëm kostot totale të energjisë elektrike deri tek konsumatori final. Synimi ynë është t’i sjellim këta prodhues në kushte të padiskriminuara tregu, në mënyrë që të mos rëndojnë në koston totale të energjisë elektrike dhe njëkohësisht të rrisim aftësinë likuiduese të sistemit ndaj tyre, duke eliminuar njëherë e mirë problemin e vonesave në pagesë të krijuar tashmë prej dy vitesh.

A rrezikoni një faturë të re borxhesh, që mund të vijnë nga kontratat e prishura me HEC-et e vogla për sa i përket çmimit që ata i shesin aktualisht KESH-it. Po borxhet e krijuara deri më tani nga KESH, si do të shlyhen?

Nëse ndërmarrim ndryshimet e duhura dhe energjia e tyre shitet me çmime tregu, ato nuk do të mbeten më me vonesa në pagesa për energjinë e prodhuar dhe të hedhur në rrjet. Ndërkaq, qeveria është duke marrë masat që borxhi i akumuluar ndaj tyre, të ndalet sot dhe të likuidohet plotësisht brenda një periudhe sa më të shkurtër, duke shfrytëzuar burimet e të ardhurave të pagrumbulluara që ne kemi në sistem nga të gjithë periudhat e mëparshme, si dhe nga të gjithë hapat dhe përmirësimet që do të sjellë reforma.

Banka Botërore ka ekzaminuar një borxh gati 500 milionë dollarë në bilancet e OSSHE. Çfarë duhet bërë që ky borxh të zerohet dhe në çfarë viti kompania do të ketë bilancin e pastër?

Borxhi, siç e kam shpjeguar dhe më lart, është borxh i keq i maturuar ndër vite, të cilin ne do ta rikuperojmë, duke rritur arkëtimet dhe duke eliminuar burimin që akoma e krijon atë. Shpresojmë që në vitin 2019, sistemi të mos krijojë më borxh të keq dhe të ardhurat që do të gjenerohen nga faturat korrente të rritura për shkak të eliminimit të humbjeve dhe ato të grumbulluara nga faturat e prapambetura në vite, të likuidojnë plotësisht këtë detyrim, duke ia kthyer këto para buxhetit të shtetit për t’i investuar atje ku ka nevojë shoqëria shqiptare.

Qeveria këmbëngul se, tarifat e energjisë ndaj biznesit duhen ndryshuar. Ç’do të thotë kjo dhe çfarë ndryshon dhe në çfarë vlere monetare përkthehet?

Energjia për biznesin ka kohë që nuk ndryshon dhe nuk indeksohet, kur të gjithë mallrat dhe shpenzimet e tjera kanë ndryshuar dhe janë totalisht të reflektuara në kosto dhe rezultatet financiare të bizneseve apo institucioneve buxhetore e jobuxhetore. Në këtë këndvështrim mendoj se, tarifat e energjisë elektrike duhet të ndjekin një tjetër ritëm rregullimi, atë të tregut, dhe jo të trajtohen sikur të ishin konsum përfundimtar si ai që bëjnë familjarët. Ata i marrin mbrapsht të gjitha paratë e shpenzuara për energji elektrike, si për çdo mall apo shpenzim tjetër që paguajnë. Se sa do të ndryshojnë, këtë do ta përcaktojë ERE. Nga ana tjetër, ashtu si për konsumatorët familjarë, qeveria do të monitorojë procesin, për të garantuar që të mos ketë asnjë tarifë abuzive e të pabazuar në kosto për ta ofruar energjinë elektrike edhe për konsumatorët jofamiljarë.

Nëse ky vit do të ketë mungesë reshjesh dhe për pasojë lind nevoja për konsum emergjent, çfarë masash keni parashikuar?

Në kredinë e Bankës Botërore është parashikuar një fond rezervë prej 30 milionë dollarësh për të garantuar blerje energjie në import, që konsumi i saj të mos mungojë asnjë çast për konsumatorët shqiptarë (brenda vendit).

Banka Botërore, në studimin për këtë çështje thotë se, nëse çmimi i energjisë nuk rritet deri 30%, kostot do të mbeten të pambuluara dhe për rrjedhojë, borxhet do të vijojnë? A jeni dakord me këtë konkluzion?

Nuk jam i sigurt për shifrën, por konfirmoj se, tarifat e sotme janë larg së mbuluari të kostove të energjisë elektrike. Besoj se, edhe tarifat e reja nuk do të arrijnë t’i mbulojnë këto diferenca akoma për disa vite, deri sa sistemi të ketë ulur deri në minimumin e mundshëm humbjet në rrjet. Ne planifikojmë që kjo situatë do të fillojë të bëhet pozitive në 2018 për t’u konfirmuar si rezultat në 2019-n.

A ka një plan të ri investimesh në sistemin energjetik dhe çfarë parashikon ai?

Siç edhe keni dëgjuar, sapo kemi miratuar një program investimesh me ndihmën e Bankës Botërore që në total kap shifrën e 275 milionë dollarëve deri në 2018, kryesisht për pjesën operative dhe të shpërndarjes, dhe programi e objektivi i qeverisë është që të investohen në të gjithë sistemin, pra gjenerim, transmetim dhe shpërndarje rreth 450 milionë dollarë deri në 2020. Kjo është dhe koha që ne mendojmë se i duhet sistemit të jetë i qëndrueshëm, pra të mbajë veten, dhe të garantojë shërbim brenda standardeve të rajonit të energjisë elektrike, pra cilësi e rritur dhe furnizim i sigurt nga një sistem që nuk gjeneron më rezultate negative për t’u përballuar nga taksapaguesit shqiptarë me shërbime të munguara në sektorë të tjerë të jetës.

Revista Monitor, 24.11.2014