Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri merr pjesë në konferencën e UBIFRANCE

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri mori pjesë në Konferencën e mbajtur në Paris me temë “Dita e Shqipërisë”. Aktiviteti organizohej nga UBIFRANCE, Agjencia Franceze për Zhvillimin e Aktiviteteve Ndërkombëtare të Investimeve të Shoqërive Franceze.

Konferenca kishte për objektiv kryesor afrimin e mëtejshëm të biznesit francez në vendin tonë. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, Ministrja e Inovacionit Zonja Milena Harito dhe Ministri i Transporteve Z.Edmond Haxhinasto diskutuan me sipërmarrësit për fushat respektive që mbulojnë duke ju përgjigjur pyetjeve konkrete.

Në fjalën e tij, Ministri Gjiknuri u ndal tek mundësitë që ofron vendi për investime efektive në sektorët e energjisë dhe industrisë ndërsa përmendi dhe faktin se tanimë ekzistojnë kornizat e përshtatshme ligjore për të garantuar sigurinë e investimeve.

Z.Gjiknuri u ndal tek investimet në energjetikë duke deklaruar se Shqipëria është e pasur me burimet ujore. Ministri tha se Qeveria Shqiptare është në diskutime me investitorët e interesuar potencialë për mundësinë e realizimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike.

Më tej, Ministri u ndal tek investimet në linjat e interkonjeksionit, linja me Kosovën dhe më pas edhe planet për linjën me Maqedoninë. Në këtë aspekt, Z.Gjiknuri tha se lidhja me vendet fqinje përmes këtyre linjave do të mund të zgjerojë mundësitë për tregtimin e energjisë së gjeneruar nga burimet e reja, një shans i mirë ky për investitorët privatë që duan të angazhohen në këtë fushë. z.Gjiknuri mori shembull firmën norvegjeze Statkraft e cila po ndërton një projekt të rëndësishëm në Kaskadën e Devollit.

“Lidhje më të mira do të thotë më shumë mundësi për tregti, do të thotë çmime më të qëndrueshme, si për konsumatorin ashtu edhe mundësi për të gjithë investitorët për tregtimin e energjisë”, u shpreh Z.Gjiknuri.

Ministri njohu investitorët edhe me reformën e energjisë të cilën po e ndërmerr qeveria shqiptare duke insistuar se synohet nxjerrja sa më shpejt e sistemit nga problemet financiare dhe liberalizimi i 40% të tregut të energjisë brenda vitit 2018.

Z.Gjiknuri ftoi investitorët francezë që krahas interesimit të tyre për fushën e energjisë të tregojnë vëmendje edhe ndaj zhvillimeve të fundit në industrinë minerare dhe sektorin e hidrokarbureve. Një element i veçantë sipas tij është padyshim projekti i gazsjellësit TAP, mundësitë që ofron ai për investime të huaja në kuadër të gazifikimit të vendit.

energjia.al  21.11.2014