Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rriten nivelet e hidrocentraleve

Reshjet e një dite më parë kanë sjellë një rritje të prurjeve ujore të liqeneve në tre hidrocentralet më të mëdha të lumit Drin.

Të dhënat më të fundit nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se, kuota e prurjeve ujore është rritur ndjeshëm, ndërsa niveli në liqenin e Komanit është diçka më pak se një metër poshtë kufirit maksimal të lejuar. Niveli i prurjeve dytësore në këtë liqen arrin në 221 metër kub ujë në sekondë, ndërsa lartësia e ujit në liqen arrin në 174.1 metër, ndërsa niveli maksimal është 175 metra.

Niveli në liqenin e Fierzës arrin në 283.3 metra ndërsa prurjet në 196 metër kub ujë në sekondë. Niveli në liqenin e Vaut të Dejës, derdhjet e të cilit janë edhe më kritiket përsa i përket krijimit të situatave emergjente në zonën e NënShkodrës, arrin në 74.3 metra, ndërsa kufiri maksimal është 76 metra. Prurjet dytësore në këtë hidrocentral paraqiten gjithashtu në vlera të larta, rreth 276 metër kub ujë në sekondë.

Megjithatë, korporata garanton se, situata hidrike në vend është nën monitorim të vazhdueshëm dhe janë marrë të gjitha masat për sigurimin e digave në këto hidrocentrale. Ndërkaq, edhe Operatori i Sjpërndarjes së Energjisë është në gadishmëri të plotë dhe grupe specialistësh kanë qenë në terren që nga mbrëmja e djeshme për riparimin e avarive të shkaktuara nga moti i keq.

Nënstacioni i shpërndarjes së qytetit të Lezhës gjatë orëve të mbrëmjes është stakuar duke lënë qytetin pa energji, si një masë e marrë vetë nga Operatori për rritjen e sigurisë dhe jo e një defekti teknik.

Scan TV, 20.11.2014