Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vjedhja e energjisë dhe karburanti, flet Rama

Kryeministri i vendit, z.Edi Rama ishte i ftuar dje për një intervistë në emisionin Top Story të gazetarit Sokol Balla për të folur për një sërë çështjesh. Biseda u fokusua në vizitën e kryeministrit në Beograd, por u fol edhe për taksën e qarkullimit të naftës dhe aksionin kundër vjedhjes së energjisë:

Sokol Balla: …Ok. T’i rikthehemi asaj që ju pyeta. Nacionalizmi nxitet kur ekonomia e një vendi nuk është e shëndetshme. Kjo është verifikuar në të shkuarën e afërt të Ballkanit. Mendoni se ky nacionalizëm po shihet mirë nga shumica sepse rezultatet në ekonomi nuk janë ato që priten?

Edi Rama: Rezultatet në ekonomi janë ekzaktësisht ato që priteshin. Por sigurisht, ajo për të cilën ne punojmë është që në 4 vite të arrijmë rezultatet që duam. Këto janë rezultatet që priteshin brenda parashikimeve dhe e përsëris se kemi marrë një ekonomi të rrënuar e copë copë, ku nuk kishte shenjë rritjeje dhe këtë vit e mbyllim me rritje brenda parametrave të parashikuar. Me një performancë tërëisht të kënaqme për të ardhurat, me mundësinë që të kemi jo rritje taksash por çlirim dhe incentivë në shumë drejtime. Nëse nuk do kishim hyrë në këtë proces reforme sot do ishim në një gjendje skandaloze si pasojë e një trashëgimie skandaloze. Drejtoresha e Bankës Botërore tha: ‘ajo që qeveria ka realizuar është realitet i një arritjeje shembullore’. Po ashtu, sa për rritjen e taksave që thuhet, ne kemi rritur dhe do rrisim taksën për cigaret, jo për të ngarkuar konsumatorin por për të dekurajuar konsumimin e një lënde vrastare në një shoqëri me shumë strese dhe gjëra. Jam i bindur që familjet na përkrahin plotësisht sepse po kontribuojmë që t’u shtohet jeta. Kemi rritur me 10 lekë taksën e qarkullimit të naftës, që vjet kur u vu na u tha se do bllokohej tregëtia, do bllokohej Shqipëria, etj. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Sot kemi një çmim nafte më të ulët se ç’ishte dhe të mos harrojmë që është një taksë që nuk ngarkon më të dobëtit dhe ka 2 qëllime: uljen e ndotjes së madhe dhe dekurajimin e marrjes së makinës për të shkuar, le të themi, nga Piramida tek Universiteti, sikurse ndodh. E treta, kemi rritur për të balancuar taksën nga të ardhurat dytësore. Askush nga të pranishmit këtu në panel nuk ka rritje taksash dhe ne jemi besnikë të zotimit tonë: kush ka më shumë paguan më shumë, se ndryshe si do ta bëjmë këtë shtet? Gjithë këta që janë këtu do përfitojnë nga buxheti i vitit të ardhshëm dhe rritja e këtyre tre taksave.

Sokol Balla: Mund të thoni të njëjtën gjë për faturat e energjisë?

Edi Rama: Po, mund ta them pa tjetër. Gjithë ata që janë këtu, që janë pensionistë kryefamiljarë, që janë me ndihmë ekonomike apo me aftësi të kufizuara do të kenë rritje të pagesës së shtetit në xhep. Pra, s’ka asnjë efekt heqja e fashës. Heqja e fashës është heqja e mburojës për hajdutët. Nuk mund të pretendojmë të bëjmë gjërat që duam nëse pranojmë të vjedhim veten tonë siç kemi bërë për vite të tëra. Të gjithë do ta paguajnë energjinë dhe nuk do ketë asnjë kompromis dhe asnjë kthim pas. Është një operacion që vazhdon çdo ditë. Çdo ditë në tryezën time vjen raporti i operacionit nga OSHEE. Sa më shpejt ta bëjmë këtë proces, aq më shpejt do të dalim në një territor tjetër, sepse me vjedhje i heqim vetes ato të ardhura që ne pretendojmë…

Top Channel, 13.11.2014