Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ulet mosha e pensionit të minatorëve

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri mbajtur sot në Kuvend, në lidhje me projektligjin “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera”.

Të nderuar deputetë,

Ky projektligj që paraqitet nga qeveria është një projektligj i mirëpritur, i rëndësishëm dhe i jep zgjidhje një problemi të vjetër të shtresës së minatorëve, një zotim elektoral shumë i rëndësishëm për ne dhe që realisht po bëhet realitet.

Megjithëse ka pasur shumë skeptikë, kjo po ndodh sot dhe për këtë vërtet që duhet përgëzuar Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duhet përgëzuar edhe bashkëpunimi me shoqatat përkatëse të cilat bënë të mundur gjetjen e një konsensusi dhe gjetjen e një zgjidhje që vërtet ju adreson nevojat e tyre.

Ulja e moshës me 5 vjet është adresimi i duhur për një profesion të vështirë. Në fakt unë si Ministër përgjegjës që mbuloj industrinë minerare e di shumë çdo të thotë, por edhe shumë njerëz këtu, aq më tepër shumë kolegë deputetë të cilët vijnë nga ato zona, e dinë shumë mirë që industria minerare është një industri e vështirë. Puna në minierë është një punë e vështirë, jo vetëm në Shqipëri, por kudo, në çdo vend të botës. Është punë që shoqërohet edhe me humbje jetësh, është punë që ka aksidente, me kushte të vështira dhe vërtet këta njerëz sakrifikojnë për të dhënë për ekonominë shqiptare. Unë them është përgjigjja e duhur, është projektligji i duhur dhe realisht ndjehemi krenar që ky zotim po bëhet realitet.

Nga ana tjetër një shqetësim të madh që ka pasur shoqëria shqiptare, por dhe minatorët në përgjithësi, kanë qenë kushtet e vështira teknike në të cilat ata punojnë, kushtet e vështira në industrinë minerare, e cila në përgjithësi në Shqipëri ka vuajtur nga mungesa e investimeve dhe kryesisht janë punime nëntokë. Pra, një pjesë e industrisë është nëntokë dhe nëntoka ka probleme realisht të mëdha, sepse ka edhe miniera të tjera, në vende të tjera, por janë punime karrierash, punime sipërfaqësore, të cilat rrezikun e kanë më të vogël. Pikërisht duke qenë një nga synimet tona si qeveri, që në fillim i kushtuam vëmendje aspektit të sigurisë teknike në punë. Një nga masat e para që mori qeveria qe kontrolli i imët, sidomos në zonën e Bulqizës, duke bërë të mundur që në muajin tetor të pezullohet i gjithë aktiviteti minerar, për të kaluar të gjithë koncesionarët në filtër në atë zonë. Kuptohet ajo zonë ka trashëguar shumë probleme, është një zonë me mbivendosje dhe para dy-tre javëve më parë ky parlament miratoi ndryshimet e reja të ligjit minerar, të cilat do të bëjnë të mundur fshirjen njëherë e mirë të çdo leje minerare e cila ka mbivendosje. Ashtu siç do të vendosen standarde të reja për gjithë të drejtat e nënkalimeve në galerinë e Bulqizës, që ka qenë një burim i vazhdueshëm problematike, aksidentesh, dhe aktivitet i paligjshëm.

Në tetor, pas atij pezullimi që ju bë të gjithë industrisë minerare në Bulqizë, u bë e mundur të imponohen standarde. Mbi të gjitha mbi koncesionarin kryesor, sepse industria e kromit tashmë është e kontrolluar në pjesën më të madhe nga një koncesionar privat, i cili zotëron pjesën më të madhe të prodhimit dhe të gjithë procesin e ciklit të kromit. Pikërisht për shkak të vendosmërisë së kësaj qeverie, u bë e mundur, për herë të parë, mbas mbi 10 vjet që ka ai koncesion, aktivizimi i disa investimeve të rëndësishme me atë koncesionar. Rreziku në minierë do të jetë i vazhdueshëm, probleme do të ketë, por duhet të shikojmë se çfarë është bërë. U bë i mundur investimi në sistemin e ajrimit, që nuk ishte bërë ndonjëherë. U bë i mundur fillimi i hapjes së galerive të reja, për të shfrytëzuar pjesë të tjera të kromit, gjë që nuk ishte bërë e mundur për 10 vjet. Pra ky koncesionar, një nga dështimet më të mëdha që ka pasur, pikërisht se nuk ishte zotuar për hapjen e galerive të reja për të shfrytëzuar mineralet e kromit. U bë e mundur rivënia në punë e pjesës tjetër të zinxhirit të industrisë përpunuese. Traverbangu i Klosit, reparti i seleksionimit, të gjitha këto investime të kryera privatë, por duke qenë të një natyre partneritet publik-privat, detyra e shtetit kjo është, mbikëqyrja. Shteti nuk investon direkt në miniera, por mbikëqyr. Mbikëqyr duke i kërkuar zbatimin e kushteve të kontratës. Realisht sa është bërë në këtë vit për atë industri, nuk është bërë në 10 vitet e kaluara të marra së bashku. Këtë e tregojnë faktet, qoftë nga vlera e investimeve në industrinë e kromit dhe të bakrit, qoftë edhe nga masat e marra për sigurimin teknik. Gjithashtu, qeveria duke e pasur në vëmendje aspektin e ruajtjes së jetës së minatorëve, ka investuar edhe në mjetet e duhura për ushtrimin e këtij kontrolli. Për herë të parë u investua në Repartin e Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, nuk kishte marrë ndonjëherë investim. U investua me mjete, njerëzit u pajisen me veshje speciale, madje do të blejmë edhe disa mjete të reja për ndërhyje speciale. Aksidentet në minierë do të vazhdojnë, nuk e ndal dot të ardhmen, por e rëndësishme është që të jepet ndihma e duhur. Mbi të gjitha po i imponohet industrisë minerare për herë të parë atë që kërkon ligji, që të gjithë minierat në Shqipëri të kenë masat e tyre për ndërhyrjen e shpejtë. Gjë që deri tani nuk ishte bërë, prandaj shpeshherë kemi pasur aksidente tragjike, të ndodhura edhe për shkak të mungesës së aftësisë të industrisë private për t’iu përgjigjur në kohë atyre aksidenteve.

Vetëm gjatë 10 muajve të vitit 2014 janë kryer 673 inspektime, trefishi i gjithë inspektimeve që janë bërë në vitet e kaluara, pikërisht për t’ju ardhur në ndihmë minatorëve, standardeve të jetës së tyre dhe për të respektuar rregullat teknike. Madje me ndryshimet e reja që po bëhen për ligjin, që ka të bëjë me mbrojtjen e jetës së punonjësve të nëntokës, do të përfshijmë edhe punimet e tjera të nëntokës. Gjë që fatkeqësisht ka qenë e pa mbuluar në asnjë ligj, siç janë punimet, tashmë e dimë që po zhvillohen shumë vepra industriale apo hidrocentrale, të cilat kanë gërmime nën tokë, kanë tunele. Nesër janë tunele të ndryshme, qoftë edhe për infrastrukturë civile. Të gjitha këto kanë qenë jashtë vëmendjes së shtetit. Pikërisht për të rritur kompetencat e këtij institucioni dhe për të siguruar jetën e njerëzve që punojnë aty, që nuk mund të jenë vetëm minatorë, çdo punim nëntoke ka rreziqet e veta, për herë të parë po përfshihen edhe këto dhe shteti do ti mbështesë edhe me financime.

Siç jemi krenar që atë premtim që dhamë një vit më parë kur sapo morëm qeverinë, për fillimin e mbylljeve të galerive të braktisura. Fatkeqësisht në Shqipëri ka një fenomen që ne duhet ta dimë dhe është një rrezik potencial edhe në vitet në vijim. Minierat braktiseshin, koncesionarët nuk zbatonin detyrimet e rehabilitimit, gjë që me ligjin e ri e kanë të detyruar gjatë jetës së minierës. Shfrytëzimi pjesor, do të thotë edhe rehabilitim pjesor. Për herë të parë po futet kjo gjë, mbase me pak rezistencë nga industria, për shkak edhe të ndonjë kostoje të rritur. Por mbi të gjitha vlerësuam, që është shumë e rëndësishme, mjedisin dhe mbrojtjen e jetës së minatorëve. Çfarë do të thotë kjo?! Që gjatë kohës që punon, do të rehabilitosh në mënyrë të pjesshme mjedisin.

Nga ana tjetër problemin e mbetur të galerive të hapura. E mbani mend që para një viti humbën jetën disa njerëz në Pogradec. Vetëm këtë vit me investime të Buxhetit të Shtetit, janë mbyllur 121 gryka dhe prapë kemi parashikuar fonde për këtë vit, për ta eliminuar në vitet në vijim. Brenda këtij mandati shpresojmë të eliminojmë të gjitha grykat e hapura, të cilat janë një burim i vazhdueshëm aksidentesh. Kjo është bërë falë një vullneti të qeverisë për ta trajtuar këtë problem, i cili ka qenë aty me vite dhe asnjë nuk e ka vrarë mendjen më parë.

Tashmë e dimë që për shkak të mungesës së kushteve teknike, por edhe për shkak të mungesës së investimeve qeveria ka revokuar mbi 170 leje. A e dini sesa është numri total i lejeve minerare të dhëna?! Rreth 1700 leje minerare janë dhënë në Shqipëri. Aktualisht arritëm të bëjmë më në fund administrimin, edhe me pastrimin e shumë lejeve, fatkeqësisht të vdekura, por që figuronin në letra, sot nuk shkojnë më shumë se 801, për shkak të këtij pastrimi që e bëmë këtë vit. Një pjesë e mirë e tyre kanë qenë fiktive, një pjesë tjetër ka të bëjë me pastrimin që ju bëmë për shkak të revokimit të licencave të atyre që e meritonin të revokoheshin dhe nuk ka asnjë padrejtësi këtu. Të gjitha ato subjekteve që nuk kanë respektuar rregullat i është revokuar leja, si edhe për herë të parë u fut praktika që kur ka pasur humbje jetësh, dhe ju e shikoni që është diçka shumë e kontrollueshme dhe gjithkush mund ta shikojë këtë veprimtari publike, sa herë që ka pasur aksidente, humbje jete në minierë është pezulluar puna dhe i janë revokuar licencat. Ky ka qenë standardi i vendosur nga Ministria pikërisht për të dhënë një sinjal të fortë, që sa herë ka aksidente shteti duhet të veprojë, dhe jo thjesht ta kalonte me një ngushëllim nga ana e autoriteteve shtetërore.

Gjithashtu e rëndësishme për industrinë minerare është zhvillimi. Pra, Shqipëria ka burime minerare, por burimet minerare siç janë të rëndësishme për të ardhurat, kanë edhe një të metë të madhe, që ne duhet ta dimë dhe e mira është ti themi ca gjëra. Janë të varura nga tregu ndërkombëtar. Shpeshherë pavarësisht se prodhimi rritet, siç edhe është rritur këtë vit më shumë, fatkeqësisht tregu ndërkombëtar i minerareve ka pësuar rënie, për shkak të ekonomisë botërore. Do të thotë që shpesh këto të ardhura luhaten për shkak të vlerës së importeve. Prandaj jemi munduar që të nxisim investimet në një pjesë të përpunimit brenda, në mënyrë që ky zinxhir vlerash të shtohet dhe një pjesë e mirë e kapitalit, jo vetëm të investohet në Shqipëri, por edhe një pjesë e të ardhurave më lartë të mbeten në Shqipëri sipas vlerës së shtuar në zinxhirin e gjithë procesit të industrisë minerare.

E thashë edhe në fillim, kemi bërë të mundur që këtë vit të hapen më shumë uzina të koncentratit të kromit, më shumë reparte të seleksionimit të kromit. Edhe për ferro kromin ka tashmë një investim tjetër, një kërkesë, unë këto ditë do të procedojë në Ministri, për ndërtimin e një uzine tjetër të ferro kromit në Elbasan, nga një investitor privat. Kjo do të thotë që do të rritet kapaciteti i përpunimit të kromit në Shqipëri, që do të thotë më shumë para, jo vetëm më shumë investim në Shqipëri, për vlerën e lartë që do të marrë ky eksport, kur eksportohet si material i përpunuar. Më shumë para për shtetin shqiptar, edhe për ekonominë shqiptare.

Këto janë masa vërtet të dukshme. Nuk është gjithçka, ambiciet janë shumë të mëdha, por industria minerare është një industri e vështirë, por e rëndësishme është që kur kthejmë kokën prapa të vlerësosh dhe të shikosh progresin. Kjo është gjëja më e rëndësishme që ne kemi marrë si qeveri dhe deri tashti jemi krenar, jo vetëm për një gjë shumë të mirë që po ju vjen shtresës së minatorëve me miratimin e këtij ligji, por nga ana tjetër edhe me investimet që po kryhen në këtë sektor, tashmë të mirëdisiplinuar dhe nën kontroll të plotë. Pikërisht këtu jemi që viti pas viti ta bëjmë më mirë këtë punë që edhe industria të zhvillohet, por edhe jeta e minatorëve të mbrohet siç i takon nga ligji.

Faleminderit!

energjia.al 06.11.2014