Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ankesa ndaj KEDS për faturime të dyfishta

Të shumtë kanë qenë qytetarët, të cilët janë ankuar për faturën e muajit tetor pranë KEDS. Ata pretendojnë se i është dyfishuar fatura krahas konsumit të tyre mujor. Por, nga ana tjetër, punonjës nga KEDS e mohojnë këtë fakt, duke deklaruar se tashmë po afron dimri dhe faturimi është krejtësisht normal.

“Rritja e numrit të ankesave vlerësohet të jetë praktikë normale gjatë sezonit të dimrit kur ne përballemi me më shumë prishje në rrjet, si dhe një numër i ankesave është për shumën në faturë, gjë që prapë ndodh gjatë dimrit kur fillon aplikimi i tarifave dimërore të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, ka thënë Guri Shkodra, Zyra e Informimit, në KEDS, transmeton Zëri.

Por, konsumatori, Ahmet Jashanica nga lagjja “Lakërishte”, ka thënë se kurrë nuk ka paguar gjatë sezonit veror më tepër se 18 euro. Kurse ai thotë se në sezonin dimëror po paguan shuma trefish më shumë. “Tani paguaj 42 euro, fatura e fundit për muajin tetor. Harxhimet e njëjta i kam”, ka shtuar ai.

Kurse nga KEDS-i thonë se orët digjitale janë të klasit të parë, dhe se nuk ka vend për gabime. “Orët digjitale janë të klasit të parë të saktësisë dhe KEDS-i është i obliguar të bëjë blerjen e orëve, tipi i të cilave është aprovuar nga MTI-ja paraprakisht”, ka thënë ai. Shkodra ka thënë se të gjitha orët janë të certifikuara, testuar dhe licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe orët digjitale vlerësohen të jenë teknologjia e fundit në treg për matje të energjisë elektrike.

Revista Monitor, 06.11.2014