Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tregu i gazit në vend

Sigurimi i burimeve primare të energjisë për vendin tonë, për vitin 2012, ka qenë në nivelin 2014.15 ktoe1. Kontributi i hidrokarbureve në 2012 ishte 1068.46 ktoe, ose 53.1 % e totalit. Produktet hidrokarbure kanë një rënie në konsumin e energjisë nga 57.2 % në vitin 1999, dhe 53.1 % në 2012. Prodhimi i gazit natyror në Shqipëri nga viti 1971 është rritur deri në vitin 1980, ku arriti kulmin e tij me 0.4 billion m3. Më pas prodhimi i gazit natyror ra ndjeshëm deri në 1990 dhe më pas u ndal. Në periudhën e dy dekadave të fundit, ky prodhim është përdorur vetëm për konsum në rafineri dhe në vendburimet për prodhimin e gazit dhe naftës.

Kapacitetet e prodhimit të gazit janë në limitet minimale, totali i rezervave të gazit natyror në vend janë 57 milion m3. Në vitin 2012, prodhimi lokal i gazit natyror dhe gazit shoqërues të naftës ka qenë në vlerat e 17 milion m3.

Zhvillimet për këtë sektor në të ardhmen lidhen me realizimin e projekteve të gazsjellësit TAP dhe IAP, ku konsumi i gazit natyror vlerësohet të rritet në nivelet 1.6 BCMY deri në vitin 2030. Pjesa që do të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike, në konsum total të parashikuar të gazit parashikohet të jetë 65-70% në vitin 2030.

Fillimisht, gazi natyror parashikohet të jetë në dispozicion për përdorim të industrive të mëdha dhe të energjisë termike për prodhimin e energjisë elektrike (0.4 BCM në 2020), pra gazi natyror do të konsumohet në të gjithë sektorët e tjerë. Penetrimi i madh në sektorin familjar dhe atë të shërbimit do të fillojë në mes të vitit 2020 dhe do të vazhdojë duke u rritur deri në 2030. Është vlerësuar se kontributi i gazit natyror në konsumin final të energjisë do të arrijë deri në 37%. Kërkesa e gazit natyror për tregun shqiptar në 2030 parashikohet të arrijë në rreth 1.6 miliardë m3.

Projekti TAP do të zhvillojë infrastrukturën energjetike shqiptare dhe do të tërheqë investime të huaja të rëndësishme në vend. Ky projekt do të nxisë aktivitetin ekonomik, duke hapur vende të reja pune dhe duke zhvilluar aftësitë dhe potencialet prodhuese dhe shërbimit në vend. Gazsjellësi do të ndihmojë Shqipërinë të vazhdojë integrimin e saj tregtar dhe fizik me Evropën, duke rritur rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit, duke promovuar stabilitet të vazhdueshëm. Projekti TAP mund të mbështesë gjithashtu Shqipërinë në përmbushjen e nevojave të veta energjetike në të ardhmen, duke zhvilluar një treg të brendshëm energjetik dhe mbështetur zhvillimin e tregut të gazit natyror në Shqipëri.

Si një nga zhvillimet infrastrukturore energjetike më të rëndësishme në Evropë, projekti TAP vlerësohet të ofrojë mundësi për kompani vendase dhe ndërkombëtare lidhur me volumin e punës, si furnitorë dhe ofrues shërbimesh. Projekti TAP gjithashtu do të ndihmojë këto kompani në zhvillimin e aftësive të tyre dhe ekspertizës së nevojshme për zbatimin e këtij projekti, si edhe projekteve të ardhshme në infrastrukturë.

Revista Monitor, 30.10.2014