Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP, detajet e projektit për Shqipërinë

Është vlerësuar se kontributi i gazit natyror në konsumin final të energjisë në Shqipëri, do të arrijë deri në 37%. Kërkesa e gazit natyror për tregun shqiptar në 2030 parashikohet të arrijë në rreth 1.6 miliardë m3. ..

Teksa Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vendosur të autorizojë ndihmën shtetërore për zbatimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik, në raportin e publikuar në Fletoren Zyrtare janë publikuar detaje lidhur me efektet e këtij projekti në vendin tonë, ku vetëm investimi në Shqipëri pritet të jetë 1.5 miliardë dollarë.

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i ri i rëndësishëm, ndërshtetëror, i cili do të transportojë gaz natyror të prodhuar nga vendburimi “Shah Deniz II” në Azerbajxhan, duke e përcjellë tranzit nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë, përtej Detit Adriatik në Leçe (në Italinë Jugore), për t’u lidhur me rrjetin e transportit të gazit në Itali dhe e shpërndarë në vende të tjera të Evropës. Projekti TAP, përveç mundësisë që ofron për “rrjedhje komerciale të gazit”, do të përfshijë edhe “rrjedhjen fizike të gazit në drejtimin e kundërt” në drejtimin e kundërt (reverse flow), që do të lejojë që gazi të drejtohet nga Italia për në Evropën Juglindore, nëse furnizimet me gaz (me energji) do të mungojnë në këtë rajon, ose nëse nevojitet për të mundësuar furnizimin me më shumë sasi gazi në të.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka njoftuar se qëllimi i projektit është të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut, nëpërmjet një gazsjellësi me diametër 48″ në tokë dhe 36″ në det, deri në një terminal pritës në tokë pranë Leçes (Itali), duke mundësuar në këtë mënyrë rritjen e sigurisë dhe diversifikimit të furnizimeve me gaz për tregjet evropiane.

Gjurma e TAP do të jetë afërsisht 870 km, duke u shtrirë afërsisht: në Greqi 550 km; në Shqipëri 210 km; offshore (në det të hapur) në Detin Adriatik 105 km; në Itali 8 km. Kuota më e lartë e shtrirjes së gazsjellësit TAP do të jetë 1800 m në Shqipëri, ndërsa kuota më e ulët do të jetë 810 metra në thellësi të Detit Adriatik.

TAP do të ofrojë rrugën e transportit më të drejtpërdrejtë dhe më me efikasitet ekonomik, duke hapur Korridorin Jugor të Gazit për Europën, që do të përbëjë një sistem të transportit të gazit 4000 km të gjatë me vlera gazifikimi, që shtrihet nga deti Kaspik e deri në Evropë. Pika e fillimit të gazsjellësit në territorin grek është në Kipoi në afërsi të kufirit greko-turk, ku do të ndërlidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), ndërsa pika e daljes në territorin italian në San Foca (Leçe).

Korridori ku do të kalojë projekti TAP në territorin shqiptar shtrihet në 38 bashki dhe komuna të qarkut Korçë, qarkut Berat dhe qarkut Fier. 6. Kapaciteti transportues i gazsjellësit do të rritet nga një vlerë fillestare prej 10 miliardë m3 gaz në vit (BCMY) deri në 20 miliardë m3 gaz në vit (BCMY). Gjurma e TAP hyn në pjesën kontinentale shqiptare në jug të qytetit të Bilishtit, vazhdon në fushën e Devollit dhe të Korçës, më pas kalon në qytetin e Çorovodës, e anashkalon qytetin e Beratit në veri, kalon qytetin e Fierit për në Seman dhe Topojë deri në seksionin shqiptar të daljes në det, nga ku seksioni në det kalon përmes detit Adriatik deri në Leçe të Italisë.

tubi i pare i gazsjellesit tapKomponentët kryesore të projektit TAP në territorin shqiptar në tokë dhe në det, janë si më poshtë:

– Një tubacion 48″, afërsisht 210 km i gjatë, i futur nëntokë që përshkon vendin nga kufiri Greqi – Shqipëri deri në stacionin e kompresorëve në Topojë Fier (SK03);

– Një tubacion 36″, nga stacioni i kompresorëve në Topojë Fier (SK03), deri tek dalja nga toka në det në brigjet e detit Adriatik, afërsisht 60 km i gjate në territorin detar të Shqipërisë;

– Stacion matës/kompresimi në afërsi të Bilishtit, Korçë (SK02), objektet dhe rrjeti elektrik i lidhur me të (linjë e tensionit të mesëm, afërsisht 1.5 km e gjatë) pranë kufirit Shqipëri – Greqi;

– Stacion kompresimi (SK03) dhe rrjeti elektrik i lidhur me të (linjë e tensionit të mesëm, afërsisht 8 km e gjatë) pranë qytetit të Fierit;

– Afërsisht 10 stacione valvulash të bllokimit (BVS) përgjatë gjurmës në tokë, në intervale prej një maksimumi 30 km, për të ndërprerë rrjedhën e gazit në rast mirëmbajtjeje, apo emergjence;

– Rrugët hyrëse për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e tubacionit dhe infrastrukturës së tij;

– Punime të tjera të përkohshme si sheshet për vendosjen e tubave, kampet e punëtoreve, etj.

Pranë kufirit Shqipëri-Greqi, një stacion matjeje do të zgjerohet duke u shndërruar në një stad të mëvonshëm në një stacion kompresori (SK02), për të rritur kapacitetin e gazsjellësit në 20 mmk/vit. Përtej daljes në det, e cila është afërsisht 6 km në perëndim të SK03, gazsjellësi do të shtrihet afërsisht 60 km në det drejt kufirit Shqipëri-Itali në vijën e mesme të detit Adriatik. Gjithashtu do të ndërtohet dhe një terminal (TPG) për pritjen e gazsjellësit në Leçe të Italisë. Në përputhje me praktikën më të mirë ndërkombëtare, do të instalohen stacione të valvulave të bllokimit në intervale prej rreth 20 km përgjatë gazsjellësit tokësor për të ndërprerë rrjedhjet e gazit në rast mirëmbajtjeje ose ndërhyrjesh me emergjencë.

Kompania TAP AG është themeluar në datën 13.3.2007 me seli në Baar, Zvicër. Investitori ka përgjegjësi të ndërtojë dhe mundësojë operimin e gazsjellësit Trans Adriatik. Kompania kryen aktivitetin e transmetimit të gazit natyror si në seksion tokësor ashtu dhe në atë detar. d) Financimi: buxheti dhe kohëzgjatja

Investimi total për transportimin e gazit nëpërmjet Korridorit Jugor të Gazit është llogaritur të jetë rreth 40 miliardë USD. Ndërkohë vlera e investimit të gazsjellësit TAP në Shqipëri do të jetë rreth 1,5 miliardë USD, duke përfshirë ndërtimin e rrugëve për ndërtimin e tubacionit, ndërtimin e tubacioneve në tokë dhe në det, rregullim infrastrukture në Shqipëri, ndërtimin e stacioneve të kompresorëve, ndërtimin e terminalit (TPG) për pritjen e gazsjellësit në Itali, ndërtimin e valvulave, blerjen e tokave të cilat do të ndikohen nga kalimi i rrugëve, tubacionit apo stacioneve të kompresorëve, etj.

Financimi i investimit do të jetë nga aksionarët e kësaj kompanie: BP, SOCAR, Statoil, Fluxys, Total, E.ON dhe Axpo. Projekti TAP do të zbatohet në dy faza. Faza e I-rë, parashikon një kapacitet të gazsjellësit për transportin e 10 BCMY. Faza e II-të, parashikon rritjen e kapacitetit deri në 20 BCMY.

Revista Monitor, 30.10.2014