Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tahiri inspekton aksionin e OSHEE

Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri inspektoi operacionin policor kundër vjedhjes së energjisë elektrike, në zonën e Tiranës së Re. Ministri tha se aksioni do të shtrihet në çdo cep të Shqipërisë dhe nuk do të ndalet deri në prerjen e lidhjes së fundit të paligjshme të vjedhjes së energjisë.

Prononcimi i Ministrit Tahiri për mediat:

MINISTRI TAHIRI: Sot vazhdon operacioni i Policisë së Shtetit dhe Operatorit të Shpërndarjes për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë atyre që vjedhin energjinë elektrike. Është një operacion që konsiderohet shumë i suksesshëm për nga rezultatet e ditës së parë. Do vijojmë në çdo cep të Shqipërisë për të prerë çdo mundësi të vjedhjes së energjisë elektrike dhe për të çuar përpara përgjegjësisë penale, jo vetëm ata që vjedhin energjinë elektrike, por edhe ata që kanë lehtësuar ose kanë bashkëpunuar, për të ndihmuar hajdutët e energjisë elektrike. Këta janë punonjësit e OSHEE, të cilët në vend që të garantonin të mirën publike që është energjia elektrike, kanë bërë të kundërtën, por kanë bashkëpunuar me hajdutët duke i sjellë dëm shtetit, duke shkaktuar pabarazi ndërmjet qytetarëve para ligjit, pra do të thotë, disa e paguanin me kursimet e tyre familjare disa jo, disa e vidhnin dhe nga ana tjetër duke shkaktuar një dëm shumë më të madh që është bota informale në këtë rast me vjedhjen e energjisë elektrike dhe parregullsinë ose paligjshmërinë në tërësi. Ky është një operacion që do vijojë kryesisht siç e kemi nisur nga sipërmarrësit, konkretisht, rasti pas meje është ekzaktësisht ajo që kemi bërë edhe dje dhe që do vazhdojmë të bëjmë. Një sipërmarrës që e vjedh energjinë elektrike për përfitim. Këtu Policia e Shtetit ka arrestuar përgjegjësin e vjedhjes pra atë që duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe njëkohësisht punonjësin e Operatorit të shpërndarjes që duhet t’i identifikonte por që nuk e ka bërë madje ka bashkëpunuar për vjedhjen e energjisë elektrike. Kjo është vlera jonë për të garantuar që të gjithë gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit. Kjo është mënyra jonë jonë për t’i dhënë fund njëherë e mirë Shqipërisë informale, kjo është mënyra jonë për t’i dhënë fund njëherë e mirë vjedhjes së energjisë elektrike dhe për të garantuar që ky mall si gjithë të tjerët nuk është mall pa zot, por është një e mirë publike që duhet garantuar nga shteti dhe nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi.

GAZETARI: Z.Tahiri, sa persona janë arrestuar?

MINISTRI TAHIRI: Shifrat i merrni te komunikata zyrtare e Policisë së Shtetit.

GAZETARI: Z.Tahiri, a ka mënyra tjera për ta zgjidhur apo do shkojmë deri te arrestimet? A kemi vende në burgje për t’i mbajtur gjithë këta njerëz?

MINISTRI TAHIRI: E kam dëgjuar shpesh merakun se a ka kapacitet Policia e Shtetit për të bërë këtë operacion? A është kjo mënyra për të zhdukur vjedhjen e energjisë elektrike?! Këtë merakun që kishit ju tani që a ka vend në burgje, nuk e kisha ndeshur ndonjë herë! E rëndësishme është të shqetësohemi të gjithë për një alarm publik, siç është vjedhja e energjisë elektrike me pasoja mjaft të rënda për qytetarët dhe kosto e vjedhjes masive dhe kolektive të energjisë elektrike që sipas përllogaritjeve shkon 150 milionë euro në vit, që janë investime të munguara për ju, për qytetarët. Do të thotë, është shembulli më i mirë i pabarazisë para ligjit kur disa e shkelin ligjin me të dyja këmbët dhe disa të tjerë e respektojnë ligjin me sa munden. Shqetësimi ynë dhe shqetësimi juaj, siç unë besoj është shqetësimi i të gjithë qytetarëve të ndershëm, në këtë vend, është të garantojmë që të gjithë janë të rregullt dhe të gjithë respektojnë ligjin. Në momentin kur t’i japim fund vjedhjeve të energjisë elektrike, atëherë edhe ky operacion do pushojë.

energjia.al  29.10.2014