Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

650 mijë lidhje të paligjshme energjie?!

Ashtu sikurse u paralajmërua një ditë më parë, forcat e rendit dhe të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike kanë nisur operacionin e ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe arrestimin e atyre që rezultojnë si përfitues abuzivë.

Operacioni është parashikuar të jetë intensiv dhe masiv, me synim ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme. Referuar të dhënave nga OSHEE, në mbarë vendin vlerësohet se janë 650 mijë lidhje të paligjshme. Shifra është tej mase e lartë nëse kemi parasysh numrin e banorëve që ka Shqipëria dhe faktin se numri i kontratave të energjisë elektrike arrin në 1.1 milion.

Referuar deklarimeve të kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e lancimit të operacionit, vjedhësit më të mëdhenj të energjisë elektrike nuk janë në zonat periferike por pikërisht qendra e vendit Tiranë-Durrës, ku është përqëndruar aktiviteti ekonomik e politik e ku vëmendja e institucioneve shtetërore është e më e lartë.

Nëse krahasojmë shifrat e numrit total të lidhjeve të paligjshme që vlerësohet se janë në mbarë vendin, e duke marrë parasysh edhe se zona Tiranë-Durrës ka 60 për qind të lidhjeve të paligjshme, atëhere mund të dilet në konkluzionin se numri i lidhjeve të paligjshme në këtë zonë mund të jetë rreth 400 mijë.

Ndaj edhe operacioni në zonën Tiranë-Durrës duket se do të jetë pjesa më intensive e delikate e operacionit. Operacioni I nisur një ditë më parë, si fazë të parë të tij parashikon ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme tek bizneset, për të kaluar më pas tek konsumatorët familjarë.

Scan TV,  28.10.2014