Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vetëm 1 vit burg ish-zyrtarëve të Albpetrol

Gjykata e Fierit jep vendimin…

Gjykata e Fierit ka dënuar vetëm me nga një vit heqje lirie pesë ish-zyrtarët e Albpetrolit, të cilët u akuzuan nga prokuroria e këtij rrethi, se në cilësinë e anëtarëve të komisionit të kolaudimit kanë firmosur dokumentacionin për blerjen e një autosonde që ishte jashtë funksionimit, në vend të një të reje, duke sjellë një abuzim prej gjysmë milioni dollarësh. Ndërkohë, gjykata ka vendosur të shpallë të pafajshëm për mungesë provash administratorin e shoqërisë së kontraktuar nga Albpetroli për mundësimin e blerjes së autosondës në Kinë. Kështu, gjykata ka vendosur të deklarojë fajtor për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe dënimin me nga një vit e gjashtë muaj burgim katër të pandehurit Hill Gjeka, Vilson Ndoni, Dhionis Çeço dhe Gramos Kodhelaj. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për secilin prej katër ish-zyrtarëve të Albpetrolit, i vendosur prej gjykatës, është nga një vit. Ndërsa ndaj të pandehurit Vladimir Xhaferraj, gjykata ka vendosur ta dënojë me një vit e pesë muaj burgim, i cili në aplikim të gjykimit të shkurtuar është dënuar përfundimisht me 11 muaj heqje lirie. Gjykata ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të këtij të fundit dhe pezullimin e dënimit të mbetur dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”, duke e detyruar të paraqitet për 18 muaj në shërbimin e provës. Pasi gjykata ka vlerësuar provat e prokurorisë ndaj të pandehurit Shpëtim Rama, ka konkluduar në pafajësinë e tij, duke mos e pranuar kërkesën e bërë nga organi i akuzës për dënimin me 11 vjet heqje lirie. Gjatë konkluzioneve përfundimtare, prokuroria kërkoi dënimin me nga pesë vjet burgim për të pandehurit Hill Gjeka, Vilson Ndoni dhe nga tre vjet heqje lirie ndaj të akuzuarve Vladimir Xhaferraj, Dhionis Çeço e Gramos Kodhelaj. Ndërkohë, mbrojtësit e të pandehurve Hill Gjeka, Vilson Ndoni, Dhionis Çeço dhe Shpëtim Rama kanë kërkuar pafajësinë e tyre, ndryshe nga avokatët e të akuzuarve Vladimir Xhaferraj dhe Gramos Kodhelaj, të cilët kanë kërkuar deklarimin fajtor të klientëve të tyre, por caktimin e masave më të lehta të dënimit. Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit rezultoi se pesë zyrtarët e prangosur, të cilët kanë qenë anëtarët e komisionit në kolaudimit të Albpetrolit, kanë marrë në dorëzim si të re një autosondë jashtë funksionimit, e cila është blerë prej kompanisë naftënxjerrëse për shifrën e rreth 476 mijë dollarëve. Sipas prokurorisë, marrja në dorëzim e autosondës me kullë 30 tonëshe është bërë në kundërshtim me specifikimet teknike të pasqyruara në kontratën e firmosur mes Albpetrol sh.a. dhe shoqërisë Abajera sh.p.k. Kjo kontratë është lidhur në vitin 2009 dhe është zbatuar rreth 17 muaj me vonesë, duke thyer çdo afat të përcaktuar. Objekt i kontratës ka qenë blerja e një autosonde kullë 30 tonëshe, me vlerë 47 640 000 lekë, para të cilat do të lëvroheshin brenda një afati 90-ditor. Nga hetimet e organit të akuzës, ka rezultuar se janë kryer një sërë shkeljesh në shpërdorim të detyrës që prej lidhjes së kontratës e deri në marrjen në dorëzim të objektit të prokuruar. Kështu, mësohet të ketë rezultuar se porositja e mjetit është kryer jashtë afateve kontraktore dhe nuk është dorëzuar në afat, malli është pranuar i pashoqëruar me dokumentacionin e kërkuar dhe janë mbajtur procesverbale të cilat nuk përputhen me gjendjen reale të mjetit etj. Nga verifikimi i kryer prej ekspertëve të caktuar nga prokuroria, është konkluduar se, aktualisht mjeti nuk është i pajisur me leje qarkullimi dhe targa nuk figuron e regjistruar në sistemin elektronik të DRSHTR Fier. Por, ky fakt nuk është evidentuar në dokumentacionin e firmosur nga komisioni i kolaudimit, të përbërë nga pesë zyrtarët e sipërcituar të Albpetrolit.

Gazeta Shqip, 28.10.2014