Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

‘Zvogëlohet’ investimi në kaskadën e Devollit

Shtatë vjet më parë, kur ish-kryeministri Berisha paraqiti për herë të parë projektin e ndërtimit të disa hidrocentraleve në Kaskadën e lumit Devoll, ai foli me superlativa për investimin në fjalë, që tani duket se ishin shifra tejet të fryra. Duke folur këto ditë në Tiranë lidhur me realizimin e projektit, Christian Rynning-Tennesen, president i kompanisë norvegjeze “Statkraft” deklaroi se projekti është një investim mbi 500 milionë euro dhe parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve, atë të Banjës në Gramsh dhe Moglicës në Korçë.

“Aktualisht kemi 1.200 vetë që punojnë në hidrocentralet tona këtu, në Shqipëri dhe ne do të qendrojmë këtu për një kohë të gjatë”, bëri me dije Rynning-Tennesen.

Të gjitha këto të dhëna bien në kundërshtim me prezantimet që i ka bërë vetë Sali Berisha, kur ishte në krye të qeverisë shqiptare, projektit të Kaskadës së Devollit. Më 28 qershor 2013, kur ishte kryeministër në detyrë, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, ai shkruante në Facebook: “Ky është investimi më i madh që është kryer ndonjëherë në Shqipëri, një investim në tërësi prej rreth 1 miliard euro, pra investimi më i madh që është bërë ndonjëherë në Shqipëri”. Gjithashtu Berisha shtonte se “punimi në Kaskadën e Devollit do të ketë dhe një të mirë tjetër, që do të sigurojë punësim për 5 mijë qytetarë. Ajo do të punësojë direkt dhe indirekt mbi 5 mijë vetë, në njërën nga zonat më të varfëra të vendit”.

Ndërsa në vitin 2007, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Ujit, që miratoi përdorimin e rezervave ujore për HEC-et mbi Devoll, Berisha ishte shprehur se do të ndërtoheshin tre hidrocentrale me 1 miliard euro investime. Duke shtuar se do të filonte puna për ndërtimin e HEC-it të Skavicës mbi Drin, rinovimi i TEC-it të Fierit, si dhe do të rifillonte ndërtimi i HEC-it të Kalivaçit.

Madje, më parë, vetë Berisha kishte folur për 10 HEC-e të madhësive të ndryshme mbi Devoll, duke filluar nga Lozhani i Korçës.

Sipas pohimit të vetë drejtuesit të kompanisë ndërtuese, investimi është 50 për qind më i ulët se sa ka pohuar ish-kryeministri, ndërkohë që fjala është vetëm për dy hidrocentrale. Ndërkohë, nga 5.000 vetë të punësuar, shifra e të zënëve me punë “rrudhet” në një të katërtën e tyre, vetëm 1.200 vetë.

Shqiptarja.com 26.10.2014