Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ministri Gjiknuri takim me homologun norvegjez

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi një vizitë dy ditore në Norvegji ku u prit nga Ministri i Naftës dhe Energjisë Z. Tord Lien.

Mes dy ministrave u diskutua mbi hapësirat e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e energjisë. Z.Gjiknuri shprehu kënaqësinë për prezencën e investimeve serioze norvegjeze në sektorin e energjisë, nëpërmjet Projektit të Statkraft – Devoll Hydropower, me dy HEC-et në Banjë dhe Moglicë, projekt i cili pritet të rrisë prodhimin e energjisë elektrike në vend me rreth 20% më tepër.

Ministri Gjiknuri vuri theksin në eksperiencën dhe asistencën që Shqipëria mund të marrë prej shtetit norvegjez, në ngritjen e kapaciteteve, krijimin e tregut të përbashkët të energjisë elektrike me Kosovën, si dhe në specializimin në Norvegji të stafit teknik shqiptar në fushën e hidrokarbureve dhe veçanërisht në atë të gazit.

Në kuadrin e fillimit të procedurave të licencimit të blloqeve të reja të naftës dhe gazit në Shqipëri, Ministri norvegjez nënvizoi rëndësinë e kryerjes së studimit gjeo-sizmik të zonave të pa-eksploruara, për sigurimin e të dhënave të nevojshme, që do të çonin në një shfrytëzim dhe prodhim efektiv të rezervave të naftës dhe gazit.

Dy ministrat diskutuan edhe për aksesin ndaj fondit të investimeve norvegjeze nëpërmjet mekanizmit të promovimit të investimeve. Z.Gjiknuri bëri një përmbledhje të masave që janë duke u ndërmarrë në Shqipëri dhe vëmendjen e veçantë që Kryeministri Edi Rama i ka kushtuar rimëkëmbjes dhe shëndoshjes së sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

gjiknuri takimi me ministrin norvegjezGjatë qëndrimit në Norvegji, Z.Gjiknuri takoi edhe Përfaqësuesit e Lartë të kompanisë Statkraft, Presidentin dhe CEO-n, Z.Christian Rynning-Tonnesen. Përfaqësuesit e kompanisë thanë se Statkraft është duke ndërtuar 20 Hidrocentrale të reja, prej të cilave një nga më të rëndësishmit është projekti shqiptar i Devollit me dy HEC-e në Banjë dhe Moglicë. Projekti i HEC Banjë, me fuqi të instaluar 73 MW pritet të përfundojë në 2016, ndërsa projekti i HEC Moglicë me fuqi të instaluar prej 183 MW pritet të përfundojë në 2018.

Ndërtimi i këtyre HEC-ve po realizohet me një fuqi punëtore prej rreth 1200 punonjësish, numër i cili pritet të rritet deri në 2000 në vitet në vijim, përveç 70 punonjësve të stafit teknik dhe menaxherial të shoqërisë. Z. Rynning-Tonnesen informoi gjithashtu se me ndërtimin e pritshëm të qendrës dispeçer të projektit të Devollit, në qytetin e Gramshit do të punësojë rreth 60 persona staf teknik.

Gjatë takimit, në mënyrë të veçantë u diskutua për implementimin e rikonstruksionit të rrugës Banjë – Gramsh prej shoqërisë Devoll Hydropower, për të cilën në një kohë shumë të shkurtër dhe në bashkëpunim me qeverinë shqiptare do të vendoset për variantin më optimal nga tre skenarët e mundshëm të projektit.

Ministri Gjiknuri, lidhur me shëndoshjen e sistemit energjetik, paraqiti programin e investimeve që po ndërmerren me ndërtimin e unazës së jugut në 110 kV, ndërtimi i unazës energjetike të Tiranës, fillimi i punimeve për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV me Kosovën dhe lancimin e projektit të interkonjeksionit në 400 kV me Maqedoninë. Kësaj politike sektoriale i shërben edhe liberalizimi i mëtejshëm, të cilit i vjen në ndihmë edhe kuadri i ri ligjor sektorial dhe modeli i ri i tregut të energjisë që po përgatitet.

Në kuadrin e asistencës që mund të jepet nga pala norvegjeze u sugjerua edhe eksperienca ndërkombëtare e shoqërisë në sistemin e shpërndarjes, lidhur me uljen e humbjeve jo-teknike dhe rritjen e arkëtimeve, në veçanti eksperienca pozitive në Indi, e cila rriti arkëtimet në mënyrë thelbësore në një kohë të shkurtër.

gjiknuri takimi me statkraftMinistri Gjiknuri zhvilloi gjithashtu një takim me Presidenten e GIEK, Znj. Wenche Nistad, dhe përfaqësues të tjerë të lartë të këtij instituti. GIEK është një institut Norvegjez shtetëror, i cili promovon eksportet Norvegjeze të shërbimeve, mallrave dhe investimeve, duke dhënë garanci financiare të shtetit Norvegjez. GIEK ka dhënë 10 miliard euro garanci për industrinë, prej të cilave 85% janë për sektorin e hidrokarbureve.

Palët gjetën me interes bashkëpunimin e mëtejshëm midis Shqipërisë dhe Norvegjisë për rritjen e pranisë së investitorëve norvegjez në fushën e energjisë, bazuar në modelet e aplikuara prej palës norvegjeze edhe në vende të tjera.

Gjatë qëndrimit në Norvegji, Ministri Gjiknuri zhvilloi takime me drejtuesit e disa shoqërive të rëndësishme norvegjeze të cilat operojnë në fushën e energjisë elektrike dhe hidrokarbureve, të cilat shprehën interes për investime në Shqipëri.

energjia.al 24.10.2014