Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri në Itali, nderohet nga ‘Norman Academy’

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi një vizitë në Romë ku takoi Presidentin dhe Drejtorin e Përgjithshëm të GSE ( Enti Rregulator Italian i Energjisë ), z. Nando Pasquali.

Takimi u zhvillua në një frymë të plotë bashkëpunimi konstruktiv. Z. Pasquali bëri një ekspoze të plotë të aktivitetit dhe rolit të GSE në rregullimin, shitjen dhe operimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike duke pasur një rol vendimtar për mbrojtjen dhe rregullimin e interesave të konsumatorit dhe të tregut të energjisë.

Ministri Gjiknuri u ndal në fjalën e tij tek situata energjetike në Shqipëri, prioritetet dhe sfidat që ka përpara Qeveria. Ai vuri theksin mbi mundësitë e bashkëpunimit me GSE Italia në marrjen e eksperiencës për rregullimin, operimin dhe shpërndarjen në një treg që synon një liberalizim të qëndrueshëm. Në kuadrin e zbatimit të Paketës së III të Energjisë, Ministri Gjiknuri tha se e shikon shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me Italinë dhe GSE për marrjen e konsulencës dhe eksperiencës së tyre.

Po ashtu u diskutua dhe mbi rëndësinë e aparaturave të matjeve në sistemin e shpërndarjes sidomos të atyre “smart” në funksion të uljes së humbjeve dhe rritjes së arkëtimeve.

Një tjetër takim, Ministri e zhvilloi me eurodeputetin Aldo Patricielo, i cili është edhe anëtar në Komisionin e Energjisë së këtij Parlamenti. Patricielo vuri theksin në investimet e shumta italiane në Shqipëri, ku të një rëndësie specifike janë ato në fushën e energjisë.

Gjatë bisedës u diskutua mbi progresin e projektit TAP dhe hapat konkret e konstruktiv që po bëhen nga Italia për materializimin e procedurave për këtë projekt. Ministri Gjiknuri evidentoi plotësimin e kushteve dhe detyrimeve nga ana e shtetit shqiptar për nisjen sa më të shpejtë të punimeve për këtë projekt.

z. Gjiknuri kërkoi mbështetjen e Parlamentit Europian për sektorin e energjisë në Shqipëri dhe mori angazhimin e eurodeputetit për ta adresuar në kohën e duhur këtë kërkesë pranë Komisionit për Energjinë në PE.

Gjatë qëndrimit në Romë, Ministrit Gjiknuri ju dha Çmimi i lartë “Capitolino D’Oro” si dhe “Anëtar Nderi” i Norman Academy. Ky çmim i është dhënë personaliteteve me kontribute të shquara në fusha të ndryshme të të drejtave të njeriut, artit, kultures, ekonomisë. Çmimi i dedikohej kontributit të z.Gjiknuri në fushën e politikës dhe në drejtimin e sektorëve shumë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Ministri mori pjesë edhe në ceremoninë e mbajtur në Qendrën e Aeronautikës në Romë ku ju dha çmimi Ndërkombëtar Bonifacio VIII nga Akademia Bonifaciana, për kontribute të spikatura në politikë.

Gjatë këtyre ceremonive, Ministri Gjiknuri bëri një ekspoze të situatës energjitike në Shqipëri si dhe ju përgjigj interesit shumë të madh të të ftuarve, me pyetje dhe takime të shumta veçanërisht me investitorët Italian.

energjia.al 20.10.2014