Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Europa i mbijeton reduktimit të gazit

Napoleoni dhe Hitleri iu nënshtruan dimrit të hidhur rus në përpjekje të zgjerimit territorial në Europë. Tani, Vladimir Putin duket se po eksporton një grimë të të ftohtit rus si pjesë e strategjisë për të zhvendosur kufijtë e Europës në favor të tij. Në ditët e fundit ka pasur reduktim në rrjedhën e gazit që Gazprom, një firmë shtetërore ruse, furnizon Poloninë, Austrinë dhe Sllovakinë, ndoshta për t’i paralajmëruar ata që të mos rieksportojnë asgjë drejt Ukrainës.

Rusia ofron një të tretën e gazit në të cilin vendet e tjera europiane mbështeten për ngrohje, prodhim të energjisë elektrike dhe “ushqimin” e industrisë. Deri tani, supozimi mes qeverive perëndimore europiane dhe përdoruesve të gazit industrial është se në qoftë se marrëdhëniet me Rusinë përkeqësohen më tej, ka pak rrezik për një ndërprerje të plotë dhe afatgjatë në furnizime, derisa qeveria e Rusisë është po aq e varur nga të ardhurat e eksportit të gazit.

Megjithatë, një ndërprerje afatshkurtër në muajt e ardhshëm, teksa po afrohet dimri, nuk është aq e pamendueshme. Për fat të mirë, shumica e vendeve europiane do të jenë në gjendje të mbijetojnë. Objektet e tyre të magazinimit të gazit janë rreth 90%, pasi dimri i kaluar ishte i butë dhe ato shtuan diçka më shumë gjatë verës. Vitin e kaluar, Europa importoi 155 miliardë metra kub gaz rus; rezervat tani qëndrojnë në 75 BCM. Shpërndarësit e energjisë europiane do të kenë disa muaj në dispozicion për të gjetur furnitorë alternativë.

Norvegjia, një prodhues i madh, mund të prodhojë pak më shumë. Ngadalësimi i ekonomisë së Kinës dhe rihapja e disa fabrikave bërthamore të Japonisë do të thotë më shumë gaz të lëngshëm natyror (LNG) në dispozicion për tregjet më nevojtare, edhe pse i kushtueshëm. Europa ka kapacitet të importojë më shumë se 200 BCM të LNG në vit, nga të cilat përdoren vetëm 20%. Plane të rastit hartuar nga BE-ja mendohet se kanë përfshirë reduktimin e gazit ndaj industrisë për të ruajtur furnizimet për ngrohjen e banesave dhe gjenerimin e energjisë.

Gjysma e importeve të gazit të Europës transportohen përmes tubave që kalojnë nga Ukraina dhe Rusia ka ndërprerë rrjedhjen e tyre disa herë që nga viti 2006, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi çmimet me ukrainasit. Nëse ajo e bën sërish diçka të tillë, ajo mund të pompojë më shumë gaz në tubacionet që anashkalojnë Ukrainën. Problemi është se këto tubacione nuk arrijnë vendet më të varura nga gazi rus, të tilla si Hungaria, Bullgaria, shtetet baltike dhe Finlanda. Qeveria e koalicionit finlandez ka rrezik të bjerë për shkak se Partia e Gjelbër po kërcënon të heqë dorë nga planet e blerjes së një reaktori bërthamor rus, për të cilin ajo thotë se do të rrisë dhe nuk do ta reduktojë varësinë ndaj Rusisë.

Vendet e BE-së po marrin disa masa në rast të reduktimeve afatshkurtra por pothuajse nuk është bërë asgjë për të reduktuar varësinë afatgjatë ndaj Rusisë. Mund të bëhet më shumë: qeveritë mund të inkurajojnë ndërtimin e më shumë tubacioneve ndërkufitare për të lidhur konsumatorët me burimet e furnizimit, duke përfshirë edhe terminalet e papërdorura të importit të LNG; mund të sigurohet më shumë kapacitet për magazinim; dhe mund të shfrytëzohen vendet me rezerva të shistit argjilor. Deri më tani nuk është bërë asgjë nga këto.

Revista Monitor, 19.10.2014