Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mungojnë ekspertët e gazit për projektin TAP

Projekti TAP do të nisë punimet në fillim të 2015-ës dhe aktualisht vëmendja më e madhe është në përzgjedhjen e stafit që do të merret me ndërtimin e projektit të gazifikimit.

Drejtori i Politikave dhe Zhvillimit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Industrisë dhe Energjisë, Dritan Spahiu, shpjegon se ekspertët e gazit në vendin tonë janë të paktë, pasi vitet e fundit ky sektor nuk ka funksionuar, por interesi i studentëve ka filluar të rritet për këto drejtime.

“Një pjesë e ekspertëve janë larguar nga Shqipëria, por tashmë me rivitalizimin e sektorëve të naftës, duke pasur parasysh prezencën e shumë kompanive të huaja në Shqipëri, po rikthehet interesi tek ky sektor. Ministria është duke finalizuar një projekt me qeverinë zvicerane për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, në sektorin e gazit për 4 vitet e ardhshme”, shprehet Spahiu.

Por në bazë të marrëveshjes, projekti TAP ka parashikuar një fond prej 2 milion eurosh për ngritje kapacitetesh dhe trajnime personeli. Aktualisht në këtë projekt ka staf shqiptar por edhe të huaj.

“Në kompaninë TAP ka shqiptarë por ka edhe të huaj. Ekziston një filial në Shqipëri ku edhe drejtori i përgjithshëm është shqiptar. Ekziston një projekt me vetë kompaninë TAP për ngritjen e kapaciteteve. Gjithashtu ekziston edhe një marrëveshje për përfitimet lokale, ku një financim do të jetë për ngritjen e kapaciteteve dhe një finacim për përfitimet lokale”, thekson më tej Dritan Spahiu.

Projekti i gazsjellësit TAP do të kalojë në 37 njësi vendore dhe pritet të ndikojë në uljen e çmimit të gazit.

Ora News, 14.10.2014