Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, druri burim kryesor ngrohjeje

Druri vazhdon të jetë burimi kryesor për ngrohje në familjet rurale dhe urbane në Kosovë. Sipas një studimi, rreth 83% e zonave urbane dhe 97% e zonave rurale shfrytëzojnë masën drusore si lëndë djegëse, ndërkaq kërkesat arrijnë në 2.05 milionë metër kub dru në vit. Këto rezultate janë bërë të ditura nga studimi i biomasës drusore në Kosovë i realizuar nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me FAO-n.

Sekretari i MBPZHR-së, Kapllan Halimi tha se : “Një ndër prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë ka qenë edhe sektori pyjor, të cilin gjatë viteve të fundit e kemi përkrahur në forma të ndryshme, me qëllim që pylltarinë ta kthejmë në njërin ndër sektorët që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit”.

Nike Krajnc, eksperte ndërkombëtare për biomasën drusore dhe konsulente e FAO-së u shpreh se kjo analizë e bërë në Kosovë ka për qëllim të rrisë kontributin e sektorit pyjor në ekonominë kombëtare përmes shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore, duke marrë parasysh rolin shumëdimensional të pylltarisë. “Në bazë të rezultateve që kanë dalë nga studimi ynë del se amvisëritë janë shfrytëzuesit më të mëdhenj të drurit si lëndë djegëse, ku sipas këtij studimi del se amvisëritë rurale shfrytëzojnë 8.2 metër kub dru për djegie, ndërsa ato urbane shfrytëzojnë 6.7 metër kub dru. Krahas amvisërive, edhe shkollat janë shfrytëzues të drurit si lëndë djegëse, ku për këtë lëndë djegëse shpenzohen më shumë se 4.7 milionë euro në vit”, tha ekspertja Krajnc.

Revista Monitor, 18.10.2014