Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Peleshi flet për gjendjen e energjisë

Zëvendëskryeministri i Shqiperisë, Niko Peleshi ka folur në studion e emisionit “Të bësh ekonomi” të gazetares Aurora Sulçe për gjendjen e sektorit energjetik, ndryshimin e çmimit të energjisë vitin e ardhshëm, mënyrën sesi do të zbatohet reforma e re administrative territoriale dhe gjendjen e përgjithshme të ekonomisë.

Numri dy i qeverisë ka zbardhur vizionin për zhvillimin e territorit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe atë se çfarë do të ndodhë me taksat vitin e ardhshëm.

Zoti Peleshi, kanë përfunduar negociatat në Uashington me FMN dhe Bankën Botërore për energjinë. Është rënë dakord për çmimin?

Ashtu siç tashmë dihet, energjia për shumë kohe do të mbetet patatja e nxehtë e ekonomisë dhe financave shqiptare. Kemi trashëguar një sektor problematik, me një zinxhir borxhesh që arrijnë në 1 miliard dollarë. Kjo do të thotë se një reformë është e domodoshme. Nga ana tjetër, performanca e kompanisë së Shpërndarjes është trashëguar e dobët. Treguesit e saj ende të bëjnë të skuqesh. Pika më e nxehtë, ku ne nuk mund të justifikohemi më është performanca dhe humbjet, jo vetëm ato në rrjet që kërkojnë investime të medha, por vjedhjet. I kemi trashëguar në nivelin 50%, sot janë 31.7%. Por sërish janë ende të larta.

Sa është targeti që vendosi Task Forca në janar, kur edhe u krijua?

Jemi brenda objektivave të Task Forcës. Pretendojmë ta mbyllim me pak se 35% humbje deri në fund te vitit. Ka rënie të humbjeve, por ende jemi larg momentit, ku mund te mburremi me performancen.

Do këtë rritje të çmimit të energjisë?

Ne nuk e kemi orientuar për asnjë moment reformën dhe shëndoshjen financiare të kompanive energjetike të rritja e çmimit. Opsioni i ristrukturimit të çmimit është duke u diskutuar. Nuk bëhet fjalë për rritje të çmimit. Bëhet fjalë për ristrukturim dhe heqje të fashës 300 kwh dhe kjo nuk bëhet për rritje të ardhurash, por për të ulur abuzimet. Kjo fashë është shkak abuzimesh. Qytetaret shpesh herë në bashkëpunim edhe me punonjësit e korporatës e ulin konsumin mujor të energjisë në 300 kilovat ore. Kjo është abuzive.

Çon kjo heqje e fashës indirekt në rritje çmimi?

Ne finale ne nuk presim rritje të të ardhurave nga ristrukturimi. Çmimi qe do te vendoset nuk është konkluduar. Nuk kemi konkluduar për ndonjë formule që të nxjerrë çmimin ende. Të gjitha familjet e varfra, do të mbrohen. Ajo qe duket se do te fitohet nga strukturimi i cmimit, do të rishpërndahet. Por nuk ka ende një skemë finale. Ajo që synohet është më shumë transparence.

FMN dhe BB i lanë 1 vit kohë qeverisë shqiptare të menaxhonte më mirë sektorin energjetik. Tashmë ato kërkojnë ndryshime tarifore. Mendoni se nuk u menaxhua mire sektori derisa kërkohet ndryshim çmimi?

Unë nuk mund të them se nuk ka rezerva që mund të ishin konsumuar drejt një performancë më të mirë. Por shifrat janë shumë pozitive. Nga tetori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti janë arkëtuar 65 milion dollarë më tepër, shumë kjo që kursehet në buxhet dhe konvertohet në shërbime dhe investime për qytetaret. Nuk vendosem objektiva me ambicioze se kaq, pasi në momentin që erdhëm në pushtet, nuk ishte zgjidhur çështja e CEZ. Negociata të forta në bashkëpunim me Bankën Botërore që përfunduan me sukses dhe i vumë kapakun një gjendje që mund të mbante të varur kompaninë energjetike të shpërndarjes për vite të tëra, do e bënte jo interesante për investitorët e huaj dhe nuk do të mund të siguronim kredi për investime. Janë rreth 200 milion dollarë që mund të arkëtohen në një situatë ideale, nëse do të kishim vetëm humbjet teknike.

Si është aktualisht gjendja në sektorin energjetik?

Humbjet janë 31.7% , përmenda edhe borxhet. Rrugët që po ndjekim janë dy: E para puna pa kompromis për uljen e humbjeve, marrja përsipër e riskut politik për të goditur vjedhësit. Task Forca ishte një gjë, por masat do të forcohen me tepër. Masat ligjore që do t’i kushtëzojnë disa shërbime me pagimin e faturave dhe kjo është e drejtë dhe e ndershme, pasi nuk mund të penalizojmë qytetarët, kur nuk paguan biznesi. Por nga ana tjetër edhe forca goditëse e këtij krimi do të rritet. Arrestimet do të vijojnë.

Keni çuar dosje të tjera?

Ka një numër të madh dosjesh. Nuk mund të them se prokuroria nuk ka punuar, por numri i dosjeve të trajtuara mund të ishte me i madh. Ka rëndësi edhe mënyra sesi hartohen dosjet. Kemi bashkëpunim me Prokurorin e Përgjithshme. Duhet kuptuar se vjedhja e energjisë është krim.

Kur do të bëhet shtetëzimi i aksioneve të OSHE?

Do të bëhet shpejt, jemi të interesuar vetë të parët. Do të kemi skema të reja të menaxhimit të ndërmarrjes që po mendojmë. Nënkuptoj përfshirjen në menaxhim të kompanive të huaja. Një ndër opsionet që po trajtojmë është kontrata në bashkëmenaxhim, por jo privatizim. Kjo do të bënte imunizimin ndaj presionit politik dhe do të reduktonte abuzimet e punonjësve të kompanisë.

I trembeni akuzave se po sillni serish një të huaj për një punë që mund ta bënte një shqiptar? Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka deklaruar se korrupsioni është në sistem, çka do të thotë që mund të vijë një i huaj dhe të mund të korruptohet.

Ne synojmë ndryshimin e sistemit dhe vendosjes së një profesionisti në menaxhim. E vura theksin edhe më lart të imunizimi ndaj presionit politik.

Ka interes nga kompanitë e huaja për këtë skemë, duke pasur parasysh eksperiencën e CEZ në Shqipëri?

Akoma nuk e kemi testuar, por fakti që Banka Botërore u afrua me investime dhe kemi siguruar ende financime të tjera, na bën të mendojmë se edhe investitorë të tjerë kanë interes. Ka fizibilitet të madh, ka kthyeshmëri të lartë investimi në këtë sektor.

Revista Monitor, 16.10.2014