Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: Gati plani i investimeve në energji

Fjala e mbajtur nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në interpelancën e kërkuar prej deputetit Vangjel Tavo

Të nderuar deputetë,

I nderuar Kryetar,

Falënderoj zotin Tavo për mundësinë që më jep dhe për pyetjet që ngriti, megjithëse e mira do të ishte që këto fatura që u përmendën ti kisha patur në dispozicion më përpara.

Gjithsesi, ja vlen që të japim shpjegime, për të kuptuar edhe se çfarë probleme ka poshtë, si e gjetëm realitetin, sa të thella janë problemet, dhe e vërteta se do të duhet kohë që të riparohen.

Me këtë nuk dua të them se shqetësime nuk ka. Njëkohësisht, jo gjithçka që u tha këtu mund të mos përputhet me realitetin apo se shërbimet poshtë në Gjirokastër nuk janë në vëmendje të Ministrisë, apo ti përgjigjen qytetarëve siç duhet. Megjithatë, më lini që të shpjegoj ku e kemi gjendjen e sektorit, se përpara se të ngremë problemet duhet të kuptojmë se sektori energjetik është një sektor që do të dojë shumë kohë të japë rezultatet e veta përsa i përket shërbimeve.

Ju e dini shumë mirë se kur erdhëm në pushtet, gjendja e sektorit energjetik ishte katastrofike, një kompani e cila kishte mbi 50% humbje, me të ardhura minimale, me arkëtime që ishin në minimumin e tyre historik, sidomos viti 2012-2013. Kjo bënte që në fund, sidomos periudhën Tetor-Nëntor, kompania nuk kishte para edhe për të paguar pagat e jo më të paguante KESH-in, OST-në, furnizuesit e tjerë, apo të kishte fonde për investime të mëtejshme.

Ky është një realitet që duhet ta pranojmë dhe duhet ta dimë. Që të ngrihesh në energji do të duhet kohë dhe do të duhen investime. Arsyeja pse kanë munguar investimet, sidomos pas viteve 2012-2013, ka të bëjë së pari me faktin se kontrata e privatizimit dështoi dhe nuk ka pasur financime për të mbuluar një shërbim më cilësor për qytetarët. E dyta, ishte e pamundur për kompaninë CEZ Shpërndarje të gjente kapital për të investuar e përmirësuar infrastrukturën e saj e për të dhënë shërbime më cilësore. Kjo, jo vetëm për Gjirokastrën, por për të gjithë Shqipërinë.

Kompania tanimë quhet OSHEE dhe vetëm ditën e sotme është mundësuar të përmbyllet procedura dhe shteti shqiptar të jetë pronar i 100% të aksioneve.

Pse kemi qenë të alarmuar për sektorin energjetik, pse e kemi thënë me kohë që sektori energjetik ka qenë një sektor i neglizhuar? Këtë nuk e kam thënë unë, e ka thënë Banka Botërore, këtë e ka thënë Komuniteti i Energjisë, të gjitha institucionet ndërkombëtare e kanë thënë qartë se gjatë viteve të fundit nuk është bërë asgjë me sektorin energjetik. Që energjetika të përmirësohet do kapitale të mëdha, do investime të mëdha. Kjo ka qenë arsyeja që donim të zgjidhnim një konflikt të hapur, pasi e kishim të pamundur për të gjetur kapital financiar, për të investuar, për të përmirësuar këto shërbime.

Për të lexuar interpelancën e plotë KLIKO këtu.

energjia.al 16.10.2014