Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

TAP nxjerr Ofertat për Tender

Trans Adriatic Pipeline AG (TAP) ka nxjerrë Ftesën e parë madhore për Tender (ITT) për ndërtimin e seksionit tokësor të gazsjellësit. Kjo është një kontratë e Prokurimit të Ndërtimeve Inxhinierike (EPC), që mund të ndahet ne kontrata të tjera, në varësi të ofertave. ITT-ja ndjek fazën e para kualifikimit për kompanitë e ndërtimit të pjesës tokësore që u hap në maj të këtij viti.

Fushëveprimi i kontratës ose kontratave të tubacionit tokësor përfshin inxhinierinë, prokurimin dhe ndërtimin e rreth 760 km të pjesës tokësore të gazsjellësit prej 48 inç (1.2 m) diametër që përshkon Greqinë dhe Shqipërinë. Kompanitë që po ftohen të tenderojnë janë organizata ndërkombëtare të ndërtimit të gazsjellësve, përfshirë këtu edhe kompani nga vendet pritëse të TAP-it

Ndërtimi i Gazsjellësit Trans Adriatik planifikohet të nisë në vitin 2016, dhe për momentin planifikohet të ndahet në 5 segmente (ose seksione), tre prej të cilëve do të jenë në Greqi dhe dy në Shqipëri. Lartësia më e madhe e tubacionit do të jetë në nivelin e 1800 metrave mbi nivelin e detit në Shqipëri dhe përgjatë gjurmës së tij gazsjellësi do të kryqëzohet me shumë rrugë e lumenj.

TAP-i planifikon që të japë kontratën për tubacionin tokësor në tremujorin e tretë të vitit 2015. Ftesat e ardhshme për Tender (ITT) që do të nxirren nga TAP-i, do të jenë EPC-ja për stacionet kompresorë në Greqi dhe në Shqipëri, gjithashtu edhe prokurimi i njësive të kompresorëve për stacionet dhe prokurimi i valvulave sferike me diametër të madh. TAP planifikon t’i nxjerrë këto ITT në tremujorin e fundit të vitit 2014.

Knut Steinar Kvindesland, Drejtor i Prokurimeve i TAP tha: “Kontrata për ndërtimin e seksionit tokësor të gazsjellësit TAP është kontrata më e madhe që TAP planifikon të japë. Përzgjedhja e ofertuesve që janë ftuar të tenderojnë vjen pas një procesi rigoroz para kualifikimi. Aftësia e ofertuesve për të përmbushur standardet e larta të TAP-it lidhur me Shëndetin, Sigurinë dhe Mjedisin si dhe aftësia për të treguar se ata kanë “politikë pa asnjë dëmtim” kanë qenë dhe do të jenë pika kyçe për përzgjedhjen e ofertuesve.

Kontraktorët EPC të TAP-it do të kenë gjithashtu përgjegjësinë të përzgjedhin nën kontraktorët e tjerë të mundshëm për zbatimin e pjesëve specifike të detyrave të kontratës. Kjo mund të sjellë punësim të rritur dhe mundësi të shtuara biznesi, duke dhënë kështu kontribut për prosperitetin ekonomik të vendeve ku kalon TAP-i.

Për më tepër informacion mbi procesin e prokurimit të TAP-it dhe për kontratat që kompania planifikon të japë, ju lutemi vizitoni: http://www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies

Nëse jeni nën kontraktor dhe nëse jeni të interesuar të punoni për një nga kompanitë që TAP do të përzgjedhë për kontratat e tij, ju lutemi vizitoni http://www.tap-ag.com/project-opportunities/for-companies/interested-in-working-as-subcontractor për të regjistruar të dhënat tuaja, që do t’i përçohen më tej kompanive të ftuara për tenderim në procesin e prokurimit të TAP-it.

energjia.al 15.10.2014