Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, çmimi nuk ulet

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka shënuar tre muajt e fundit një nga rëniet më të forta historike. Sipas BBC, nga 106 dollarë për fuçi në korrik, nafta bruto shitet aktualisht me 85 dollarë, ose 20 për qind më pak.

Por pavarësisht kësaj ulje kaq të fortë në rend dyshifror, në tregun e brendshëm çmimi i naftës nuk ka rënë me asnjë lek. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, nga korriku deri në shtator, çmimi mesatar me pakicë i naftës dhe benzinës nuk ka shënuar asnjë rënie, por është luhatur i pandryshuar në rreth 183 lekë për litër në rang vendi.

Kjo tendencë vazhdon edhe përgjatë këtij muaji, siç konfirmohet nga europian “Fuel Prices”, një agjensi që publikon çmimet me pakicë të karburanteve për gjithë vendet e Europës. Njëra nga arsyet se pse tregu nuk reflekton uljen e çmimeve lidhet me kursin e këmbimit të dollarit, pasi nafta blihet në monedhën amerikane.

Por të dhënat tregojnë se ky faktor nuk shpjegon dot as gjysmën e efektit të rënies së çmimit në bursa. Pasi, nëse në bursa nafta ka rënë me 20 për qind gjatë tre muajve të fundit, sipas Bankës së Shqipërisë për të njëjtën periudhë, dollari është forcuar me vetëm 8 për qind. Sipas përllogaritjeve, edhe duke marrë parasysh zhvlerësimin e lekut ndaj dollarit, sërish çmimi i naftës duhet të ishte ulur me të paktën 8 lekë për litër në pikat me pakicë. Kjo nuk është hera e parë kur tregu i karburanteve nuk reflekton uljen e çmimeve.

Madje, në më shumë se një rast, për shkak të dyshimeve për abuzim, ai është vënë nën hetim. Por deri më tani, institucionet publike kanë dështuar të mbrojnë qytetarët kostot abuzive. Qoftë autoriteti i konkurrencës apo edhe ministria e financave, e cila sipas ekspertëve duhet të hetojë të gjitha transaksionet në treg nga dogana deri tek pakica.

Top Channel, 15.10.2014