Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Inaugurohet linja 110kv Ersekë – Përmet

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga zv.ambasadorja e Republikës Federale Gjermane në Tiranë Znj. Anke Holstein, përfaqësuesi i bankës gjermane KfW Z. Christoph Tiskens dhe administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit Engjëll Zeqo morën pjesë në inaugurimin e ndërtimit të linjës 110 kV në segmentin Ersekë-Përmet.

Ministri Gjiknuri e konsideroi ndërtimin e linjës Ersekë-Përmet me shumë rëndësi për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike të gjithë zonës së jugut. Sipas tij, ky investim por edhe shumë të tjera që do të kryhen në vitet e ardhshme do të krijojnë infrastrukturën elektrike të përshtatshme për zhvillimin e turizmit në zonën e bregut të detit Jon.

Z.Gjiknuri theksoi se falë mbështetjes së Bankës Botërore, KfW dhe donatorëve të tjerë të interesuar për sektorin energjitik, me vizionin e saj të ri, qeveria do të kthejë prioritare investimet në këtë fushë, për të mundësuar brenda pak vitesh shndërrimin në një sektor fitimprurës, likuid dhe motor të zhvillimit ekonomik të vendit.

Zv.ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Zonja Anke Holstein vlerësoi se investimi në linjën Ersekë-Përmet ka rëndësi për sistemin e transmetimit por gjithashtu ka një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të zonës dhe në veçanti të turizmit.

Zv.Presidenti i parë i bankës gjermane, Z. Christoph Tiskens theksoi se KfW do të vazhdojë të mbështesë projektet zhvillimore të sistemit elekroenergjitik, me qëllim modernizimin e sistemit, si pjesë e rrjetit energjitik të Europës Juglindore.

Ndërkaq, administratori i OST-së Engjell Zeqo sqaroi se linja Ersekë-Përmet, ashtu sikurse investimet e tjera në Unazën e Jugut do të mund të ndikojnë në reduktimin e humbjeve në rrjet.

Sipas tij, këto investime do të çojnë në rritjen e rezervës së furnizimit pasi prej 20 vitesh, kjo unazë ka qenë e kërkuar dhe përfolur por sot është bërë realitet përmes vullnetit të qeverisë shqiptare dhe ndihmës së qeverisë gjermane dhe bankës KfW.

ministri gjiknuri inauguron linjen erseke permetMinistri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri: “Ky nuk është projekti i vetëm. Mbështet edhe shumë zona që kanë zhvillim turistik dhe që në perspektivë do të kenë investime në turizëm. Do të pasohet me një investim tjetër shumë të rëndësishëm në nënstacionet e Orikumit dhe Himarës, gjë që do të përfundojë infrastrukturën energjitike për gjithë zonën e bregut. Gjithashtu, në vitet në vijim, qeveria shqiptare i ka vënë qëllim vetes që sektori i energjisë të marrë investime të mëdha. Kemi vënë re se ka qenë një sektor i neglizhuar, shpesh herë me dështime, me një privatizim të dështuar, probleme themelore sa i përket pagesave dhe likuiditetit që ka sjellë një situatë jo të mirë të trashëguar. Megjithatë, jemi duke e qasur problemin siç duhet. E kemi marrë në një situatë të vështirë por; falë mbështetjes nga Banka Botërore, nga KfW dhe nga gjithë donatorët e rëndësishëm që janë të interesuar për sektorin energjitik; falë edhe një vizioni e këndvështrimi të ri të qeverisë shqiptare që sektorin energjitik ta kthejë vërtet në sektor fitimprurës, likuid dhe motor të zhvillimit të ekonomisë; unë mendoj se në vitet në vijim do të jetë periudha më e rëndësishme e investimeve në këtë sektor. Investimet në sektorin energjitik, janë investime të cilat sjellin cilësi, siguri në furnizimin energjitik dhe mbi të gjitha sjellin qëndrueshmëri edhe në çmimet e energjisë. Kjo është shumë e rëndësishme sepse vetëm me një siguri të furnizimit energjitik dhe me një kosto të pranueshme, ekonomia shqiptare do të ketë bazën e nevojshme për zhvillim”.

Administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Engjëll Zeqo: “Kjo linjë do të japë një impakt të rëndësishëm në reduktimin e humbjeve, gjë e cila ka të bëjë edhe me fizibilitetin e këtij projekti. Deri në zonën e Përmetit, ne vijmë me një linjë shumë të gjatë 110 kv dhe të amortizuar si nga pjesa e Memaliajt ashtu edhe nga pjesa e Gjirokastrës. Pra, do të thotë se ka një impakt shumë të rëndësishëm edhe në rritjen e rezervës së furnizimit, pasi prej 20 vitesh ka qenë një ndër projektet që janë përfolur shumë e është kërkuar shumë nga ana e sistemit të transmetimit por më në fund është bërë realitet në sajë të ndihmës shumë të madhe të dhënë nga banka gjermane KfW, qeveria gjermane por edhe suportin e plotë të qeverisë shqiptare”.

energjia.al 15.10.2014