Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

HEC-et private me fitime të larta

Teksa është ashpërsuar debati dhe shoqëria civile ka shtuar protestat për ndikimin e hidrocentraleve private në mjedis (kujtojmë këtu rastin konkret të Langaricës), kompanitë private të prodhimit të energjisë kanë filluar të gjenerojnë fitime të larta.

Erdat Lura, kompania më e madhe private per prodhim energjie, që ka ndërtuar në vitet e fundit me skemën koncesionare, që menaxhon hidrocentralet Lura 1, 2 dhe 3 ka deklaruar në bilancin e 2013-s, një fitim prej 364 milionë lekësh, duke u renditur e 35, sipas kompanive me fitim më të madh në vend, nga një humbje prej 33 milionë lekësh një vit më parë. Të ardhurat nga shitja e energjisë në 2013-n ishin 577 milionë lekë. Kompania gjeneroi një prodhim prej 53,296 MWh në 2013-n, sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë.

Kompania HEC i Tërvolit, një tjetër koncesionar që operon me hidrocentralin me të njëjtin emër, ka dyfishuar fitimet në 230 milionë lekë në 2013-n.

GJO-SPA POWER, është operatori tjetër në këtë segment, që sërish ka rezultuar me një rezultat pozitiv prej 243 milionë lekësh, duke u renditur në vendin e 59 ndër 100 kompanitë me fitim më të madh në vend.

EURON ENERGY GROUP është një tjetër operator privat energjie, që hyn në listën e 100 më të mëdhenjve sipas fitimeve, me një rezultat financiar para taksave prej 171 milionë lekësh, në vitin e parë që ka shitur energji.

HEC-et privateNdonëse kanë rezultuar me fitime në bilance, një pjesë e tyre kanë probleme me arkëtimin e pagesave nga shitja e energjisë, duke hyrë në vorbullën e krizës që po kalon sistemi energjetik në Shqipëri, në të gjitha hallkat e tij, nga prodhimi deri tek shpërndarja te konsumatori fundor. Ministria e Energjetikës ndërkohë ka deklaruar se do të rishikojë kontratat favorizuese që qeveria e mëparshme kishte nënshkruar me këta operatorë (sipas të cilave KESH ua ble prodhimin 10% më shtrenjtë se çmimi i tregut, pasi kjo po krijon një barrë tjetër për operatorin shtetëror të prodhimit të energjisë.

Gjatë vitit 2013, në Shqipëri prodhuan energji elektrike 80 centrale hidrike me fuqi të përgjithshme të instaluar prej rreth 240 MW, nga të cilat rreth 44 MW përbëjnë HEC-et që nisën prodhimin po gjatë këtij viti. Sipas të dhënave të ERE-s, prodhimi i përgjithshëm për vitin 2013 nga gjeneruesit privatë/koncesion ishte 759 GWh duke kontribuar me 11.1% ne prodhimin e përgjithshëm neto te energjise elektrike vendas të vitit 2013. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013, ndodhi edhe shkëputja e HEC-eve Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 nga prodhuesi publik KESH sh.a. Në gjashtëmujorin e dytë, këto HEC-e u administruan nga Kurum International sh.a. dhe realizuan një prodhim prej 126 GWh nën administrimin e shoqërisë Kurum International. Të dyja kompanitë kanë gjeneruar një fitim prej 573 milionë lekësh. Në fund të vitit 2013, Ulëz, Shkopet dhe Bistrica 1, 2 janë çregjistruar pa likuidim dhe janë përthithur nga mëma, Kurum International.

Revista monitor, 15.10.2014