Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qytetarët kosovarë kundër ZRRE

Mbi 30 mijë nënshkrime të qytetarëve në 22 komuna të Kosovës janë mbledhur për peticionin kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike, për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Koalicioni i shoqërisë civile, sindikatave dhe konsumatorëve, sot ka bërë thirrje që Kuvendi i Kosovës të funksionalizohet sa më shpejtë, pasi që nisma dhe vullneti i qytetarëve për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së duhet të përkrahet edhe nga institucionet e vendit.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike brenda dy muajve dy herë, çmimet e larta, politika të tilla nga institucionet e shtetit, tek qytetarët e Kosovës thuhet se janë duke u shfaqur më shumë stres e madje atyre po u shfaqen edhe sëmundje të ndryshme.

Kështu u tha në një konferencë të organizuar nga koalicioni i shoqërisë civile, sindikatave dhe konsumatorëve.

Visar Azemi, kryesues i koalicionit nga KOSID, tha se peticioni vazhdon të nënshkruhet ende edhe në disa komuna të tjera, në Gjakovë, Kamenicë e të tjera, por se brenda kësaj jave, ky peticion do të përmbyllet.

“Koalicioni i shoqërisë civile, sindikatave dhe konsumatorëve, sot ka ardhur para Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të bëjë thirrje kuvendit që të funksionalizohen sa më shpejtë, sepse kjo nismë dhe ky vullnet i qytetarëve për të kundërshtuar këtë vendim të zyrës së ZRRE-së, kërkon edhe përkrahjen e institucioneve të Kosovës, me ç‘rast ne kemi arritur t’i mbledhim mbi 30 mijë nënshkrime, i cili vullnet nuk është pak, dhe i cili vullnet nuk duhet të refuzohet nga asnjë organ nga asnjë institucion, por duhet të merren parasysh këto kërkesa dhe të mbrohet interesi i qytetarëve. Janë 22 komuna të cilat e kanë nënshkruar këtë peticion, akoma vazhdon edhe sot nënshkrimi i këtij peticioni nga njerëzit dhe qytetarët të cilët nuk kanë arritur që ta nënshkruajnë”, tha ai.

Ky peticion duket se po përkrahet dhe mirëpritet në të gjitha komunat e Kosovës.

Organizatori i këtij peticioni në Obiliq, Liridon Durmishi nga iniciativa për ambientin dhe zhvillim lokal tha se interesimi i qytetarëve të Obiliqit për të nënshkruar peticionin ka qenë mjaftë i madh.

Përveç shtrenjtimit të rrymës, Durmishi tha se shqetësim për qytetarët e kësaj komune është edhe ndërprerja e energjisë, ku brenda ditës ndodhë që të mos kenë rreth 12 orë.

Edhe organizatorja e peticionit në Prishtinë, Arbëresha Bytyqi, thotë se ky peticion ka marr përkrahje të madhe nga qytetarët. “Ky peticion në Komunën e Prishtinës ka marr një përkrahje shumë të madhe nga qytetarët e vendit, duke e ditur që Komuna e Prishtinës është e frekuentuar nga studentët edhe nga gjitha qytetet e tjera, kështu që jemi të kënaqur me përkrahjen qytetare. I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës, gjithashtu edhe Qeverisë së Kosovës dhe ZRRE-së të anulojë për rritjen e çmimit të energjisë elektrikes, për arsye se prapa vetës kemi edhe shumë qytetarë të pakënaqur, të cilët me anë të peticionit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike” tha ajo.

Shqipe Qatkaj- Kadrio, organizatore në Mitrovicë, tha se në komunën e saj, ka qenë një numër rekord i nënshkrimeve, ku vetëm brenda 1 dite, kanë arritur t’i mbledhin 1400 sosh.

Ngritja e çmimit të energjisë elektrike brenda dy muajve dy herë, politika të tilla, tek qytetarët e Kosovës janë duke u shfaqur me shumë stres.

Selatin Kaqaniku, nga shoqata Konsumatori tha se gjitha këto me këtë stres e presion e që po shkaktojnë institucionet e vendit dhe ndotja e madhe e ajrit nga termocentralet, qytetarëve po shkaktojnë edhe sëmundje të ndryshme. “Dy ngritje çmimesh për dy muaj jo të plotë, përshfaqin një karakter një kulturë që është një recidiv i institucioneve asociacioneve dhe mekanizmave të shtetit karshi konsumatorit taksapagues dhe gjenerues kryesorë të buxhetit të Republikës së Kosovës. Kanë nis me na imponuar, edhe tri fazave të bllok tarifës, shkallë këto që e prodhojnë edhe shkallën e katër, për të cilën nuk flet askush”, tha Kaqaniku.

Portali Telegrafi, 01.10.2014