Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Çmimet e energjisë, në dhjetor

Diskutimeve për rritjen ose jo të çmimit të energjisë elektrike, do t’ju vijë fundi në muajin dhjetor. Aktualisht Enti Rregullator i Energjisë është duke pritur aplikimet e operatorëve. Kjo u bë e ditur për gazetën “Shekulli” nga drejtori i ERE, Petrit Ahmeti. Sipas tij nuk ka asnjë vendim për rritjen ose jo të çmimit të energjisë, pasi kjo do të mund të thuhet vetëm pasi të ketë përfunduar dorëzimi i aplikimeve dhe përfundimi i analizës së situatës. Mbetet që në muajin dhjetor të bëhen ndryshimet e mundshme të çmimeve këtë sektor, pas studimit të këtyre elementëve. Në të njëjtën kohë Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka filluar takimet me grupet e interesit për të ndërtuar draftin, dhe më pas të prezantojë projektligjin e ri “Për energjinë elektrike”. Burime nga kjo ministri konfirmuan se ky projektligj, pritet të kalojë në komision pasi të zhvillohet edhe takimi i radhës me palët e interesit. Projektligji pritet të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave pas marrjes së vërejtjeve dhe sugjerimeve dhe më pas ti dërgohet për diskutim dhe miratim Kuvendit. Hyrja në fuqi, mund të bëhet në fillim të vitit 2015, për t’i hapur rrugë miratimit të dokumenteve të tjera të rregullimit të tregut të energjisë si Modeli i Tregut dhe Deklarata Rregullatore e tarifave të reja të energjisë për klientët tariforë. Arsyeja se po diskutohet tani çmimi i energjisë elektrike është se këtë vit, skadon deklarata rregullatore dhe çmimet e fiksuara këtu e katër vite më parë. Në këtë fundvit do të merret një vendim për çmimet. Po nga deklarimet brenda ministrisë bëhet me dije se konsumatori familjar do të jetë i mbrojtur nga ndryshimet e çmimeve. Në të njëjtën kohë premtohet se, procesi do të jetë shumë transparent.

Menaxhimi i investimit të Bankës Botërore

Kredia prej 150 milionë dollarësh, e ofruar nga Banka Botërore, do të shkojë për financimin e investimeve në sistemit energjetik të zhytur në krizë. Zëvendësministri i Energjisë, Ilir Bejtja, tha se mbi 90 milionë dollarë do të investohen në sistemin e shpërndarjes, në të cilin nuk është investuar prej vitesh. Bejtja sqaroi se investimi do të ndahet në tri komponentë kryesorë. “Lidhen kryesisht me 3 komponentë, që janë matja e energjisë, me rreth 300 mijë matës, me rrjetin e shpërndarjes si komponent i dytë, instalime që reduktojnë ndërhyrjet ilegale në rrjet, ata që vjedhin energjinë dhe komponenti i tretë është menaxhimi i sistemit”, tha Ilir Bejtja. Pjesa tjetër e kredisë, sipas zëvendësministrit, është fond që do të lëvrohet nga Koorporata Elektro-Energjetike për blerjen e energjisë në rastet e emergjencave hidrike. “Një pjesë e rëndësishme e kësaj kredie, rreth 30 milionë dollarë, do të shpërndahen për situata të paparashikuara të gjenerimit të energjisë në vend, për të mbrojtur me furnizim tregun e rregulluar, kryesisht konsumatorin familjar që mbulohet nga KESH”, deklaroi më tej Ilir Bejtja. Ai u shpreh se kredia i jep mundësinë Operatorëve të Shpërndarjes e Transmetimit si dhe KESH-it, që për shtatë vite të fokusohen vetëm në kryerjen e reformave për të nisur likuidimin pas kësaj periudhe për 22 vite.

Bisedimet me grupet e interesit

Ministria e Energjisë dhe Industrisë nisi para 2 ditësh, fazën e konsultimeve me aktorët dhe grupet e interesit në kuadër të hartimit të Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Në takimin e parë, të mbajtur në ambientet e Ministrisë u prezantua drafti paraprak me atë çka parashikohet të përmbajë nisma ligjore. Projektligji “Për Sektorin e Energjisë Elektrike” ka si objektiv krijimin e kuadrit ligjor për funksionimin efiçent dhe konkurrues të tregut të energjisë elektrike që do të mundësojë një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike të klientëve, duke marrë në konsideratë interesat e klientëve, minimizimin e kostos së shërbimit të furnizimit më energjisë elektrike dhe përshtatshmërinë e tij me mjedisin. Vetë kreu i dikasterit, ka deklaruar se sektori elektro- energjetik duhet të funksionojë në përputhje të plotë me parimet e një tregu të lirë, të liberalizuar, konkurrent, të aftë për të siguruar efiçencën e tij dhe kthimin në një burim të ardhurash për Buxhetin e Shtetit. Pritet që efektet e këtij ligji do të jenë të menjëhershme në pikëpamje të ristrukturimit të sektorit të energjisë elektrike, të liberalizimit të tij dhe të efiçencës së sektorit.

Sugjerimet në draftin e projektligjit

Ministria e Industrisë dhe Energjetikës sapo ka hapur diskutimet për njërin nga disa dokumentet e rëndësishëm që pritet të miratohen mundësisht para 1 janarit 2015 siç është projektligji “Për energjinë elektrike”. Ky projektligj pritet të ketë efekte reale në tregun e energjisë që lidhen me procesin e ndarjes së furnizimit me shpërndarjen që është dhe instrumenti kryesor për liberalizimin e tregut. Objekti kryesor i ligjit është organizimi i një tregu konkurrues, dhënia e autorizimeve dhe licencave, rregullimi i tregut për furnizimin me energji dhe mbrojtjen e klientëve si dhe integrimi në tregjet rajonale të energjisë. Sipas nenit 20 të draftit, tarifat e aplikuara nga operatorët për aksesin në rrjet duhet të jenë transparente dhe të orientuara drejt kostos. Sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së transmetimit dhe shpërndarjes duhet të ofrojë lidhjet e energjisë mbi parimin e mosdiskriminimit dhe të mbajnë llogari të ndara për shmangien e diskrinimit, ndër subvencionimit dhe cenimit të konkurrencës. Ndërsa në nenin 67 të projektligjit që po diskutohet me grupet e interesit parashikon që “operatori i sistemit të shpërndarjes duhet të jetë i ndarë dhe i pavarur ligjërisht nga aktivitetet e tjera të cilat nuk kanë të bëjnë me shpërndarjen e energjisë elektrike, përfshi furnizimin në aspektin e formës së saj të ligjshme”. Gjithashtu draft-ligji në nenin 63 parashikon se operatori i sistemit të shpërndarjes(OSSHEE) pa diskriminim e ofron shërbimin e shpërndarjes për të gjithë përdoruesit e rrjetit duke siguruar akses dhe përdorim të rrjetit të shpërndarjes për të gjithë aplikuesit që plotësojnë kërkesat e përcaktuara në këtë ligj dhe aktet ligjore ndërkohë që monitoron respektimin e kërkesave dhe normave të performancës të parashikuara nga rregulloret teknike në fuqi. Ligji parashikon që rrjeti i shpërndarjes zhvillohet mbi parimet e kostove efektive në përputhje me planifikimin urban, të drejtat e pronësisë, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njerëzve dhe përdorimin efikas të energjisë.

Gazeta Shekulli, 01.10.2014