Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Minatorët, 55 vjeç në pension

Parlamenti pritet të marrë në shqyrtim projektligjin për pensionin e minatorëve të përgatitur nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH). Disa çështje të rëndësishme të projektligjit janë sqaruar për gazetën “Shekulli” nga nëndrejtori i ISSH, Ali Emini. Sipas këtij projektligji, minatorët e nëntokës pritet të përfitojnë pension të parakohshëm në rast se kanë 12 vjet e gjysmë punë në nëntokë. Shpenzimet për këtë pension, sipas projektligjit pritet të mbulohen nga buxheti i shtetit dhe punëdhënësit e tyre.

Pse u pa e nevojshme ndryshimi i ligjit për minatorët e nëntokës?

Qeveria, kohët e fundit ka paraqitur në Kuvend për shqyrtim, një projektligj që lidhet me shqetësimet e punonjësve që kanë punuar në minierat në nëntokë. Punonjësit që kanë punuar në miniera në nëntokë deri në vitin 1993, me ligjin e vjetër dilnin në pension në kushtet e kategorisë së parë të punëve. Pra ishte e mjaftueshme që një minator të ishte në pension në moshën 50 vjeçare, të kishte bërë 20 vjet punë dhe të paktën 10 vjet t’i kishte në punë në minierë nën tokë. Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 1993, si për të gjithë shqiptarët edhe mosha e minatorëve, u rrit gradualisht dhe me një ligj të vitit 2009, ajo qëndroi në këto kushte dhe në këto nivele. Sipas ligjit të 2009, çdo njeri që kishte punuar në miniera në nëntokë dhe që kishte jo më pak se 15 vjet punë në këto kategori pune, pra duke punuar si minator apo në profesione të tjera në nëntokë, dilte në pension në moshën 60 vjeç, por me kusht që të kishte gjithsej 30 vite punë. Natyrisht, që tashmë në vitin 2014 ka disa persona që kanë plotësuar këto kushte dhe që kanë bërë edhe kërkesë për të dalë në pension. Mirëpo ndërkohë në kuadrin e reformës së pensioneve, qeveria, përveç studimit që i bëri skemës së pensionit në përgjithësi, pa të arsyeshme që të ndalet dhe të shqyrtojë problemet e pensioneve dhe moshës së minatorëve. Kemi të bëjmë me një kategori njerëzish, që në fakt punojnë nëntokë. Është një profesion shumë i vështirë, është një profesion që kryhet në disa miniera, ku edhe kujdesi nga investitorët nuk ka qenë në nivelin e duhur, megjithëse jemi në vitin 2014, praktikisht ne po shohim që në miniera, teknologjia që përdoret, është ajo e viteve 1985. Ka shumë nga këta punonjës dhe sidomos ata që kanë punuar në minierat e bakrit që janë të sëmurë nga sëmundje profesionale që kanë nevojë edhe për rehabilitim. Ndërkohë që mbi 3600 persona marrin një trajtim të veçantë financiar por që për shumë njerëz, për mbi 70 për qind e tyre është në nivelin minimal të pensionit. Të gjithë këto kushte, për këta persona që kanë punuar në miniera nëntokë, që vazhdojnë të punojnë në këtë industri, që vijon të punojë në kushte të rënda dhe të veçanta pune, qeveria arsyetoi që mosha e daljes në pension, si për të gjithë shqiptarët 60 dhe 65 vjeç është shumë e gjatë. ndërkohë që edhe jetëgjatësia mesatare e kësaj kategorie, për shkak të vështirësive të punës është edhe më e ulët. Në projektligjin që është paraqitur për shqyrtim, është parashikuar që mosha e daljes në pension, për të gjithë ata persona që kanë punuar në miniera nëntokë të jetë 55 vjeç. Ndërkohë ata duhet të plotësojnë dy kushte të vjetërsisë në punë. E para, të kenë një periudhë të përgjithshme sigurimi në punë për 30 vjet, të cilën mund ta kenë kryer në punë në minierë nëntoke, ose në sipërfaqe, apo edhe në profesione të tjera. Po ndërkohë, detyrimisht ata do të kenë jo më pak se 12.5 vjet si punonjës të nëntokës. Kur flasim për punonjës të nëntokës, kam parasysh që mund të ketë qenë edhe një inxhinier, apo edhe punëtor, vagonist, por që mjafton të ketë punuar në nëntokë.

Çfarë përjashtimesh ka në ligj?

Po ligji ka edhe një përjashtim. Ai është bërë për ata punonjës që realisht kanë punuar në miniera në nëntokë, janë kategori mjaft e madhe punonjësish dhe që marrin trajtime të veçanta financiare, për shkak se kanë punuar në nëntokë dhe nuk arrijnë aktualisht që të bëjnë 12 vjet e gjysmë në nëntokë, megjithëse vjetërsinë e përgjithshme të punës e kanë mbi 30 vjet. Ka patur raste dhe vetëm për këta persona që tashmë janë në listat e sigurimeve shoqërore dhe marrin trajtimet e veçanta, mosha e pensionit është parashikuar që të jetë 55 vjeç. Vjetërsia e përgjithshme në punë edhe nga persona të tjerë është mbi 30 vjet, por vjetërsia e punës në nëntokë të jetë 11 vjet e 6 muaj. Jo 12 vjet e 6 muaj, siç janë për gjithë të tjerët. Më lejoni të them që vjetërsia e punës në nëntokë 12 vjet e 6 muaj, nuk është plotësuar deri sa të hyjë ligji në fuqi, ajo mund të plotësohet edhe më vonë. Me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave, pas miratimit të ligjit, do të përcaktohet qartë se si do të evidentohet vjetërsia dhe lloji i punës që kryen. Ndërkohë që, për të gjithë ata që do të vazhdojnë të punojnë, punëdhënësit e tyre do të vazhdojnë për japin një kontribut shtesë. Sepse për të gjithë këta persona që do të punojnë dhe marrin pension përpara të tjerëve duhet të ketë një fond të veçantë që do të financojë pensionet e tyre.

A do të ketë pasoja në buxhet nga dalja në pension përpara kohe?

Është parashikuar që fondi i sigurimeve shoqërore do të ketë pasoja nga dalja në pension përpara kohe të minatorëve, sepse buxheti i shtetit do të ndërhyjë dhe do të mbulojë të gjitha kostot e pensioneve nga mosha 55 vjeç dhe deri në moshën që miratohet dhe që realisht është mosha 60 vjeç.

Si do të përllogaritet pensioni i minatorëve të nëntokës?

Parashikohet që nga ky projekt ligj të përfitojë dhe të kenë përfitim të menjëhershëm rreth 3600 minatorë, të cilët, nëse deri sot marrin një pension mesatar që është afërsisht 9 500 deri në 10 mijë lekë të reja, do të kenë në të ardhmen një pension që do të jetë jo më i vogël se pensioni minimal që është aktualisht dhe afërsisht sa është pensioni mesatar që merr pensioni i pleqërisë. Duke ju shtuar atyre edhe kompensimet që ju jepen për çmimin e bukës dhe çmimin e energjisë elektrike, një minator që plotëson kushtet e ligjit të ri nuk mund të marrë më pak se 14 300 lekë të reja në muaj, por mund të marrë edhe një pension që është më i lartë, por që nuk është më shumë se 25 mijë lekë të reja në muaj. Projektligji do të ketë edhe dispozita shoqëruese të tjera, menjëherë Instituti i Sigurimeve Shoqërore do të fillojë përllogaritjet e pensioneve.

Si do të shpërndahen pensionet që do të dalin nga ndryshimi i ligjit?

Pensionet do të jepen me kërkesë të personave që janë të interesuar, me kërkesë të atyre që mendojnë se plotësojnë kushtet. Prandaj me daljen e ligjit dhe dispozitave të tjera, të gjithë ata persona që kanë punuar në miniera nëntokë dhe plotësojnë kushtet, duhet të bëjnë kërkesë pranë agjencive të sigurimeve shoqërore. Ndërkohë Instituti i Sigurimeve Shoqërore, nëpërmjet bazës së të dhënave që ka, për pension për trajtime të veçanta, në bazë të të dhënave për sigurimin e kontributeve mund të marrë përfitimin. Këta janë një masë e madhe njerëzish që do të përballojnë këtë volum punë që është shumë i ngjeshur.

Sa parashikohet të jetë numri i përfituesve?

Përfituesit e ligjit, që dalin në pension në vitin 2015 janë 3600 persona. Pastaj në vazhdim vijnë në rritje vit pas viti. Të gjithë ata që plotësojnë kushtet, gradualisht do të dalin në pension kur të plotësojnë moshën 55 vjeç dhe vjetërsinë e përgjithshme të punës 30 vjet dhe nën tokë 12 vjet e gjysmë. Kjo do të jetë një skemë që do të qëndrojë në vazhdimësi dhe do të quhet skema e minatorëve, e cila natyrisht, për atë pjesë të periudhës që do të dalin në pension para kohe, do të financohen nga buxheti i shtetit dhe nga kontributet që do të paguajnë punëdhënësit e minatorëve. Kjo skemë është vetëm për ata punonjës që kanë punuar në miniera nën tokë. Ka shumë profesione të tjera që janë të vështira por nuk kanë kushtet e vështirësisë së punës në nëntokë apo të asaj pune që shpesh herë ka mjaft sëmundje profesionale të cilat sjellin pasoja edhe në jetëgjatësinë e kësaj shtrese.

Kur do të hyjë në fuqi ky ligj?

Në fillim do të kalojë në Kuvend, të miratohet dhe më pas, sipas rregullave do të botohet në Fletoren Zyrtare. Hyn në fuqi 15 ditë pasi të jetë publikuar në këtë fletore.

Numri i minatorëve që marrin pension

Industria e minierave ka pasur një numër të caktuar punëtorësh. Fillimisht kanë dalë në pension në moshën 45 vjeç deri në vitin 1993. Pastaj ka pasur një skemë tjetër të dytë të pensioneve të parakohshme për punonjësit e nëntokës në vitin 1995, kur dolën rreth 18 mijë punonjës në pension. Ka pasur një skemë tjetër të trajtimit të veçantë të nëntokës kur dolën në pension 4300 punonjës të nëntokës. Tani kemi skemën përfundimtare e cila do të japë pension në moshën 55 vjeç të gjithë ish- punonjësve të nëntokës që kanë plotësuar kushtet e cilësuara më sipër, por që edhe do të vazhdojë si një skemë e mirëfilltë e pensioneve në të ardhmen. Pensioni i tyre do të llogaritet njësoj siç llogaritet pensioni i pleqërisë. Do të kenë formulat dhe të gjitha shtesat dhe kompensimet që marrin edhe pensionet e pleqërisë. Thjesht për këta persona mosha e daljes në pension nuk është 60 vjeç, por është 55 vjeç. Nënvizoj që faktikisht, mosha e daljes në pension është 60 vjeç. Nga analizimi që kemi bërë në bazën tonë të të dhënave na rezulton që për këtë vit, kanë plotësuar moshën për pension 60 vjeç dhe vjetërsinë e punës në nëntokë 4 minatorë, të cilët ende nuk kanë dalë në pension.

Gazeta Shekulli, 30.09.2014