Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë, falimentim për shkak të energjisë

Çështja e furnizimit të rregullt me energji elektrike që nga kompanitë vendore ishte vlerësuar si i tejkaluar, është rikthyer muajt e fundit. Paralajmërimet që janë bërë nga Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), për ndërprerje të herë pas hershme të energjisë elektrike gjatë ditëve të ftohta, kur konsumi rritet ka rritur shqetësimin te bizneset.

Kompania “Pestova”, e cila prodhon dhe përpunon patate, është njëra që pritet të ballafaqohet me probleme të mëdha për shkak të reduktimeve të energjisë elektrike. Pronari i kësaj kompanie, Bedri Kosumi thotë se reduktimet e energjisë elektrike do të reflektojnë me humbje të mëdha në biznesin e tij. “Nëse kjo do të ndodhë, do të jetë katastrofë për ne, do të jetë humbje. Nëse, vërtet, do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike, do të jetë ndoshta edhe fundi i biznesit tonë”, thotë Kosumi. Problemet me furnizim të rregullt me energji elektrike janë si pasojë e shpërthimit që ka ndodhur në Termocentralin “Kosova A”, në muajin qershor të këtij viti.

Pas këtij aksidenti, në termocentralin “Kosova A”, një njësi (A3) tashmë është aktivizuar dhe është duke prodhuar, ndërsa në dy njësitë tjera aktive të termocentralit “Kosova A” ( A4 dhe A5) janë jashtë funksionit, ku është duke u bërë riparimi kapital i tyre.

Këto dy njësi nuk do të arrihet të fillojnë operimin deri në muajin dhjetor të këtij viti.

Bizneset, duke parë në vazhdimësi jostabilitetin me energji elektrike në Kosovë, kishin investuar mjaft shumë në blerjen e gjeneratorëve.

Pronari i kompanisë “Pestova”, Bedri Kosumi, tregon se kanë investuar mjaft shumë në biznesin e tyre. Për shkak të reduktimet të shpeshta të energjisë elektrike, ata janë të pajisur edhe me gjenerator 400 kilovat, por gjeneratorët, siç thotë ai, nuk e zëvendësojnë energjinë dhe, po ashtu, kanë kosto të lartë.

Revista Monitor, 29.09.2014