Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervista e ministrit Gjiknuri në Vizion Plus

Intervista e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhënë për emisionin “7 pa 5” në televizionin Vizion Plus. Në fund të intervistës gjeni edhe videon shoqëruese.

Zoti Ministër, faleminderit që pranuat ftesën tonë. Jemi vetëm pak ditë pas mbërritjes suaj nga Azerbajxhani dhe Ukraina. Keni hedhur firmën në tubacionet që shënojnë nisjen e punimeve për Korridorin Jugor të Gazit. Çfarë ndodhi konkretisht në Baku?

Faleminderit që më jepni mundësinë për të sqaruar. Projekti ka patur vonesë deri më tani, dihet se në Itali ka patur pengesa për lejen mjedisore. Pas kapërcimit të pengesës së fundit që ishte Italia, punimet kanë nisur për ndërtimin e gazsjellësve TANAP dhe TAP. TANAP, ndërkohë ka nisur por do të vazhdojë dhe degëzimi me TAP-in për objektivin final drejt Bashkimit Evropian. Ceremonia kishte simbolikën e saj dhe ishte mirë që ishin të gjithë drejtuesit e shteteve. Aty ishte planifikuar të ishte dhe Kryeministri Edi Rama, por për shkak të vizitës së Papës në Tiranë, ai e kishte të pamundur dhe Shqipëria u përfaqësua në nivel Ministri. Është një ngjarje për tu shënuar për Shqipërinë pasi është një projekt strategjik për Shqipërinë, për Ballkanin dhe vet Evropën në tërësi për diversifikimin e burimeve energjitike.

Zoti Ministër, nëse çdo gjë ecën mirë, kur do të nisë puna në Shqipëri?

Në Shqipëri, puna do të fillojë më shpejt se në vendet e tjera, pasi në vendin tonë ka disa specifika që kanë të bëjnë me pregatitjen e mjedisit paraprak. Do të nisë puna për rrugët ndihmëse, me sa di unë TAP ka qenë në fazën e seleksionimit të kompanive. Ne kemi ushtruar presionin pozitiv duke kërkuar nga konsorciumi që të paktën në pjesën e ndërtimit të rrugëve, tu jepet përparësi kompanive shqiptare, pasi e kanë eksperiencën e duhur. Është mirë që këto kompani të marrin kontratat kryesore për këto punime të rrugëve. Janë rreth 70 milion dollar që do të hidhen për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Në vitin 2015 pritet që kjo të realizohet, ndërsa në vitin 2016 e tutje do të vazhdohet me shtrirjen e tubacionit të gazit, ndërtimin e stacioneve të kompresorëve të uljes së presionit në pikat dalëse.

Kjo besoj do të ketë ndikim pozitiv për zonat ku do kalojë i gjithë projekti?

Patjetër. Jo vetëm krijimi i aksesit të rrugëve, por mbi të gjitha dhe investimet që do të kryhen, paratë që do të shpërndahen për kompanitë zinxhir për shërbimet që ofrohen. Në Shqipëri investimi llogaritet diçka më shumë se 1 miliard euro çka do të thotë se sikur një pjesë e mirë e kësaj paraje të mbetet në tregun shqiptar, është një impuls i mirë për ekonominë shqiptare. Ndaj, siç dihet ky investim është ndër më madhorët që do të ketë Shqipëria në vitet e ardhshme.

Po në aspektin e vet gazsjellësit çfarë do të thotë për Shqipërinë? Nuk kemi qenë ndonjëherë në tregun evropian të gazit….

Nga pikëpamja strategjike është shumë e rëndësishme që Shqipëria hyn vërtet në hartën evropiane të gazit. Ju e dini shumë mirë se burimet e gazit apo linjat e gazit kanë një rëndësi shumë të madhe gjeostrategjike. Vet konfliktet e sotme zhvillohen kryesisht për aksesin në burimet e energjisë. Pa opsione energjie edhe vet Evropa nuk do të ketë të ardhme, pasi do të jetë shumë e varur nga Rusia. Ka shumë rëndësi për Shqipërinë ky projekt edhe për gazifikimin e vendit. Ne kemi nisur realisht punën për këtë objektiv, kemi siguruar financimet për gazifikimin e Shqipërisë, për masterplanin dhe kemi nisur procesin e hartimit të tij. Gjithashtu, kemi siguruar një marrëveshje me SOCAR-in e Azerbajxhanit që edhe ata të jenë mbështetës për pjesën e gazifikimit të Shqipërisë. Kompania shtetërore e Azerbajxhanit e cila është shumë e interesuar, i ka të gjitha mundësitë financiare, është prezente edhe në tregun grek ku ka privatizuar shpërndarjen dhe pret vetëm hapat e fundit të miratimit nga Komisioni Evropian. Këto procedura në Bashkimin Evropian kanë një lloj filtri nga Brukseli. Pra, janë hapa të sigurtë se edhe Shqipëria do të përfitojë nga gazi. Ndërkaq, po negociojmë sërish me SOCAR-in për të patur një sasi, të paktën minimale me çmime të favorshme për prodhimin e energjisë elektrike, për ti dhënë jetë edhe TEC-eve. TEC-i i Vlorës, siç ju e dini, ka qenë një projekt i dështuar, i menduar me naftë por kostoja e naftës është e tillë që e bën jokonkurues nga pikëpamja e çmimit. Në këtë drejtim është shumë e nevojshme dhe ndihma që po jep kjo kompani. Shpresojmë që pasi të kemi bërë masterplanin dhe fizibilitetin për gazin, këtu do të hapet një sektor i ri i ekonomisë. Gazi është një burim i nevojshëm energjie jo vetëm për konsumatorët familjarë, që do të dojë kohë pasi Shqipëria është vend kryesisht i ngrohtë, por mbi të gjitha për industrinë. Ka shumë industri që janë të varura nga furnizimi me gaz dhe gazi është shumë i nevojshëm për rafineri, për industritë e tjera kimike. Ky zinxhir vlerash, nëse krijohet, fillon dhe krijon një vlerë të shtuar për industri të tjera që lidhen me gazin. Duhet thënë gjithashtu se ka kapur mangësi marrëveshja e TAP-it me qeverinë shqiptare, që është negociuar nga qeverisja e mëparshme, e që ka të bëjë me mos garantimin e pikës dalëse. Pika e daljes ishte e lidhur me një minimum të garantuar të furnizimit me gaz në Shqipëri, nëse ajo nuk sigurohej pika e daljes nuk garantohej. Një pikë dalëse do të thotë një investim qindra milionë dollarësh pasi është një stacion më vete për të ulur presionin e gazit duke e bërë të vlefshëm për tregun shqiptar. Ne arritëm të negociojmë me sukses me konsorciumin TAP dhe morëm konfirmimin me shkrim, se pavarësisht nga mungesa e tregut për momentin në Shqipëri, kjo pikë daljeje do të garantohet.

Pra, deri para negociimit tuaj kjo pikë dalëse mungonte dhe ne ishim vetëm një vend transit për gazsjellësin?

Ishte e kushtëzuar me një minimum prej 300 milionë metër kub të garantuar, pra kontratë të garantuar gazi në Shqipëri, çka nuk ishte. Edhe mund të rrezikohej nëse nuk do të ishin bërë këto hapa paralel. Pra, marrja e mbështetjes nga Bashkimi Evropian për gazifikimin, futja në proces edhe e kompanisë SOCAR, dhe mbi të gjitha negocimi që pavarësisht se nuk e kemi të garantuar këtë treg gazi, stacioni do ndërtohet. Kjo është diçka shumë e rëndësishme, pasi përndryshe Shqipëria do të humbte një shans. Vendi ynë nuk mund të ishte i kënaqur vetëm me faktin se do të kalonte një tubacion aty. Puna është çfarë do të përfitonim nga pikëpamja energjitike më vonë, dhe jo thjesht investimet gjatë ndërtimit. Kjo i hap mundësinë edhe atij degëzimit tjetër, për tu lidhur me gazsjellësin Adriatiko-Jonian, për tu lidhur me rrjetet në pjesën e Evropës qendrore. Kjo e bën Shqipërinë të jetë në një pozicion të rëndësishëm nga pikëpamja e sigurisë energjitike dhe të fitojë një peshë tjetër. Në këtë drejtim, po punojmë me vendet fqinje, është një proces që do të dojë kohë, janë edhe elementët e fizibilitetit nga ana ekonomike.

Ndalesa juaj e rradhës ishte Ukraina ku sërish energjia ishte në qendër të vëmendjes. Çfarë u diskutua aty?

Në Ukrainë ishte mbledhja e Komunitetit të Energjisë që është një “armë” e Bashkimit Evropian, ngritur për të asistuar vendet kandidate apo më gjërë për tu integruar në tregun evropian të energjisë dhe për të zbatuar reformat. Pra, drejt liberalizimit, drejt zbatimit të direktivave të Bashkimit Evropian apo sistemit energjitik që operon sot në familjen evropiane. Shqipëria mori edhe kryesimin pasi ky organizëm ka një rotacion kryesimi. Në pozicionin e vendit kryesues, përfitova të imponoj edhe vendosjen në axhendën finale si projekt prioritar dhe me interes gazsjellësin dhe sidomos dhënien jetë të degëzimit me IAP-in. Ishte dhe Komisioneti Otinger, i cili e mbështeti kërkesën tonë pasi edhe Gjermania ka qenë mbështetëse e flaktë e këtij procesi. I pranishëm ishte dhe Kryeministri i Ukrainës dhe patjetër që diskutimi u përqëndrua edhe tek nevoja e diversifikimit të burimeve të Bashkimit Evropian pasi ekziston problemi i varësisë nga gazi rus.

Kur shikon luftërat që po zhvillohen në Evropë Zoti Ministër, shkaqet janë tek energjia apo burimet nëntokësore. Dy javë më parë, pasi i thashë se kemi dhe nxjerrim rezerva të mëdha nafte e gazi, një gjerman më pyeste se si ka mundësi që çmimin e naftës e kemi njësoj sa në Gjermani?!

Gjermania nuk ka naftë dhe kujtojnë se ne kemi shumë naftë. Duhet të kuptojmë sepse nganjëherë ka edhe pak folklor në këtë çështje. Nafta jonë është naftë e rëndë dhe kostoja për të prodhuar produktet e nivelit të tregut është shumë e lartë. Ndërkaq, ne nuk kemi kapacitetet e përpunimit në vend. Së fundi ka një riaktivizim të industrisë përpunuese të naftës, më shumë për nënproduktet e tjera me më pak vlerë si solari, bitumi apo nafta virxhin etj. Ka një riaktivizim të rafinerisë së Ballshit dhe Fierit dhe kjo është një gjë e mire, pasi kanë nisur të funksionojnë. Por, nga ana tjetër çmimi i naftës ka të bëjë edhe me element fiskalë, ndërsa varet nga luhatjet e çmimeve ndërkombëtare. Këto të fundit kanë ndikimin jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, përfshirë Gjermaninë. Unë them se çmimi i naftës në Shqipëri është i përafërt me çmimin e vendeve të rajonit, nuk besoj se është më shtrenjtë se sa në Gjermani. Çmimet e naftës shkojnë drejt një uniformiteti ose pastaj ka skema subvencionimi siç janë në vendet e Lindjes së Mesme për shtresa të ndryshme të popullatës. Nëse do të rritet më shumë prodhimi i naftës në Shqipëri, sot është 1.4 milion ton në vit dhe synojmë ta çojmë në 2 milion ton, atëherë do të krijohej ajo ekonomia e mjaftueshme e shkallës për të zgjeruar edhe kapacitetet e rafinimit. Pra, do të kishte volum të tillë që e bën të justifikueshme një rafineri, megjithëse ato kudo në Evropë janë një biznes i vështirë. Ky biznes kërkon shumë kapital dhe treg të gjërë, ndërsa Shqipëria është një treg i vogël. Shqipëria mbase me Kosovën apo shtrirë më gjërë mund të bëhej një treg. Gjithësesi, përpunimi i naftës në vend është një vlerë e shtuar, shton vendet e punës.

Zoti Gjiknuri, firmat që operojnë në tregun e hidrokabureve janë vënë shpesh në shënjestër të opozitës së djeshme dhe mazhorancës së sotme, për mënyrën se si merrnin koncesionet por edhe shmangies së detyrimeve. Sot kur keni një vit në pushte a ka ndryshuar situata?

Për cilat firma hidrokarbure po flisni, ato në tregtim apo kërkim dhe nxjerrje nafte?

Po flasim për nxjerrjen e naftës….

Ka ndryshuar situata në shumë drejtime. Për herë të pare, ato po auditohen rreptësisht ndërsa ne bëmë ndryshime fiskale me të cilat mbyllëm disa shtigje ku besonim se ka evasion. Kështu, futëm akcizën për produktet e importit që përdoreshin në industrinë nxjerrëse të naftës. Rezultati tregohet tek të ardhurat në favor të shtetit, të cilat këtë vit janë më shumë, jo vetëm për shkak të rritjes së prodhimit por edhe për shkak të një auditimi më të mirë, me standarde të larta. Duhet të kuptojmë se këto nganjëherë janë edhe kontrata koncesionare shumë të vështira për ti negociuar dhe ndryshuar termat. Nga ana tjetër, është një tension që ekziston kudo ku ka prodhim nafte; publiku pret më shumë për vete dhe kompanitë kanë rriskun e tyre. Duhet të gjendet një balancë e drejtë mes rriskut që marrin kompanitë, pasi nafta kërkon kapitale të mëdha për tu nxjerrë, por edhe shteti shqiptar meriton të marrë pjesën që i takon. Vet të ardhurat më të mëdha të Albpetrolit, që vjen si rezultat i mirëadministrimit dhe monitorimit, dhe të ardhurat në favor të shtetit tregojnë se kontributi ka qenë më i madh se një vit më parë.

Meqe po flasim për Albpetrolin, edhe privatizimi i tij ka qenë në shënjestrën e opozitës së djeshme, për shkak të mungesës së pagesës së garancisë. Çfarë ndodh, ka një proces të hapur?

Ka një proces të hapur. Të them të drejtën, kjo është një fushë jo direkt kompetencë e Ministrisë sime, por e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e cila përgjigjet për privatizimin. Ka një proces penal të hapur dhe le të presim atë proces. Kam frikë se koha ka kaluar dhe prokuroria nuk është se ka bërë shumë në këtë gjë. Edhe në këtë proces privatizimi mendoj se kemi të bëjmë me një nga dështimet që lidhen me procese jo mirë të strukturuara dhe jo të mirë menduara. Normalisht ato para duhet të rekuperohen por nuk mund të flas për një gjë që nuk jam direkt kompetent dhe nuk kam dijeni për procesin hetimor.

Ishit pjesë e një kongresi të gjeologjisë ku u ndalet edhe tek kjo fushë…..

Ishte një aktivitet i rëndësishëm pasi Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka një traditë shumë të mirë dhe ka patur arritje shumë të mëdha. Është një shërbim që mund ti vlejë shumë edhe kohës së sotme për zbulimin por edhe studimin e strukturave të tokës. Një studim që vlen jo vetëm për minierat por për çdo vepër tjetër.

Ndalemi tek minierat, si paraqitet situate atje?

Situata atje paraqitet shumë më e mirë se sa ka qenë. Së pari, kemi anuluar dhe shmangur koncesione dhe leje minerare që nuk po përformonin dhe nuk paguanin detyrimet ndaj shtetit. Janë hequr mbi 170 të tilla dhe jemi munduar të eleminojmë fragmentimin e lejeve. Po bëjmë ndryshimet në ligjin minerar dhe po diskutohen në Kuvend këto ditë. Synohet ti jepen zgjidhje edhe një pjese të problemeve të krijuara në Bulqizë për sa i përket mbivendosjes apo çështjes së të drejtave të kalimit që janë kthyer në burime aksidentesh, duke marrë fizikisht kolona e duke gërmuar por duke shëmbur kështu strukturën që mban minierën. Këto probleme, tanimë i dinë shqiptarët përmes aksidenteve që kanë ndodhur aty. Po punojmë edhe me elementë të tjerë për të shmangur fragmentimin, pra duke u dhënë mundësi firmave që punojnë ta konsolidojnë territorin e tyre minerar e jo të ndahen në parcela dhe miniparcela që kthehen në burime konflikti më së shpeshti duke mos krijuar asnjëherë ekonominë e shkallës për të mobilizuar kapitale të rëndësishme apo nxitur përpunimin. Së fundi, për shkak të kontrolleve tona edhe ndaj koncesionarit ACR, bëmë të mundur nisjen e punës për hapjen e pusit nr.9, një nga dështimet e mëdha të koncesionit deri më tani. Miniera e Bulqizës rrezikonte të zhdukej dhe ne penalizuam subjektin duke ja kushtëzuar që nëse nuk do të bënte investimin, koncesioni do ti anulohej. Kjo e detyroi koncesionarin të mobilizojë fondet dhe të kontraktojë një kompani për të nisur punën për hapjen e pusit të thellësisë. Një veprim që i shton jetën edhe me së paku 20 vite minierës së Bulqizës. Nga ana tjetër është zgjeruar edhe procesi i përpunimit minerar, shkrirjes, duke aktivizuar fabrikën në Burrel, kompania po aktivizon edhe traverbanin e Klosit. Ka kërkesa edhe nga subjekte private për ndërtimin e uzinave të tjera të ferrokromit. Shoh një sinjal shumë pozitiv në këtë drejtim, megjithëse çmimi i mineraleve luhatet shpesh dhe ka rrisqet e veta si industri. Industria minerare është shumë e varur nga kërkesa, kur bie çmimi i kromit goditet e gjithë industria. Kur ka çmim të lartë ndërkombëtar edhe industria reagon pozitivisht, kjo ndodh me bakrin, kromin dhe mineralet e tjera.

Zoti Ministër po në Zharrëz çfarë ndodh? A vazhdojnë lëkundjet?

E rëndësishme është që ne vumë stacionet sizmike për monitorim. Probleme nuk ka patur, në çdo zonë naftëmbajtëse ka lëkundje të lehta. Nuk është se e kemi të konsoliduar opinionin nëse lëvizje të caktuara kanë lidhje me aktivitetin naftëmbajtës. Ne po bëjmë monitorim dhe nuk ka patur problem. Një gjë duhet kuptuar, ku ka aktivitet naftënxjerrës ka dhe lëvizje të lehta. Edhe të dhënat historike kanë treguar se në atë zona ka patur vazhdimisht lëvizje sizmike. Mund të them se ministria ka marrë masat, autoritetet kanë bërë veprimet e nevojshme. Na takon të bëjmë monitorimin dhe nëse do të ketë probleme, gjithmonë do të jemi të gatshëm të kuptojmë përmes monitorimit e të mësojmë shkaqet dhe devijimin nga lëkundjet e zakonshme.

Le të flasim pak zoti Ministër për energjinë e erës dhe atë diellore. Çfarë po ndodh me parqet eolike dhe licencat e dhëna nga qeveria Berisha?

Asgjë nga këto nuk ka funksionuar dhe kjo për disa arsye. Së pari, nuk kanë patur fizibilitet ekonomik, kanë menduar mbase do të merrnin fonde nga Bashkimi Evropian ose kanë qenë projekte në letër që mendonin të mobilizonin fonde nga burime të tjera. Edhe koncesionet, siç e kam thënë dhe po e përsëris, janë dhënë në mënyrë të paplanifikuar, nuk janë vlerësuar drejt burimet dhe eficienca e tyre ekonomike. Për pjesën e burimeve ujore, gjithçka është bazuar mbi incentivat apo garancitë e blerjes së energjisë që bënte KESH-i (pra shteti) me një vlerë shumë të lartë se sa importi.

E keni fjalën për hidrocentralet private?

Po. Ndërkohë, energjitë e tjera nuk kanë patur incentivat e duhura. Ka një tension të madh dhe duhet kuptuar nga njerëzit. Një gjë nuk është kuptuar nga koncesionet në Shqipëri; çdo investim privat në fushën e energjisë, që bazohet tek incentivat duhet të paguhet nga konsumatori final. Pra, nuk merr privati rrisk pa u garantuar se fatura shkon tek publiku. Ndaj, ne sot kemi një tension të madh, sepse nga njëra anë nuk përballojmë dot rritjen e çmimit të energjisë, kemi një sektor me problem likujditeti por nga ana tjetër duam të shtojmë gjenerimin. Ky është një tension që do të jetë i vazhdueshëm dhe duhen gjetur zgjidhje më inteligjente në ato projekte që kanë fizibilitet ekonomik. Jo çdo lloj koncesioni i dhënë diku larg, ku nuk ka asnjë lloj vlerë për shkak të humbjeve teknike, ndaj nuk di pse duhet ta nxisësh atë burim. Përkundrazi, shumë përrenj e lumenj janë kthyer në burim konflikti me banorët e komunitetit. Është me rëndësi që të targetohen brenda një plani të caktuar energjitik.

Pra mund të themi se kishim një flluskë të super fuqisë energjitike që reklamonte qeveria Berisha?

Flluskë të plotë. Nuk bazohej në terma reale ekonomike. Ishte për mendimin tim një skemë më shumë e karakterit korruptiv, për të dhënë sa më shumë, një lloj piramide me shitje letrash, krijimi i pritshmërisë por përballja me një realitet shumë të vështirë. Me vështirësi po përballemi dhe përpiqemi tua njohim rriskun që përballojnë, por ajo do një zgjidhje të qëndrueshme, e cila nuk mund të dalë jashtë logjikës ekonomike ku është vendi. Përndryshe, Shqipëria do të ishte një Gjermani, e cila faturën e energjisë e ka pesëfishin e Shqipërisë, pasi një pjesë të mirë të faturës e kanë për stimulimin e energjisë së rinovueshme.

Edhe këto lloj energjish po rezultojnë me probleme….

Mjafton tu përmend Spanjën, Bullgarinë apo shumë shtete që kanë hyrë në krizë. Bullgaria është shembull tipik që ka dhënë shumë nga këto burime dhe ka hyrë në krizë totale pasi nuk i përballon. Mekanizmi është shumë i thjeshtë; çdo investim do tia faturosh publikut. Nëse investohen 100 milion dhe për të larë koston e kapitalit, për ta bërë projektin fizibël do incentivë 10 milion euro, këtë do ta shkarkosh tek publiku. Nëse nuk e rregullon këtë tension, problemet do të jenë të vazhdueshme. Cila është zgjidhja? Liberalizimi i një pjese tëtregut që këtyre tu gjendet një treg. Le të mos marrin atë çmimin e lartë të garantuar, por të jenë në parametra normale dhe të shfrytëzojnë ato burime që janë të qëndrueshme e planifikojnë energji. Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të mendojë për diversifikim pasi uji sado i mirë të jetë, na bën të jemi shumë të varur nga luhajtjet e motit. Unë e them se burimi më i mirë është qymyri i Kosovës dhe ndërtimi i TEC-it në Kosovë mund të bënte të mundur shkëmbimin e energjisë. Stabiliteti që jep TEC-i për energjinë bazë, i kombinuar me energjinë e pikut që është në HEC-et shqiptare do të ishte një zgjidhje shumë e mirë. Nga ana tjetër, mund të shikohen projekte rajonale të caktuara si fotovoltaikët për ngrohjen apo projekte të tjera që duan studime. Nuk mund të flasësh apriori pa patur një studim fizibiliteti të caktuar. Ne jemi të fokusuar tek reformat në energji, liberalizimi i sektorit, stabilizimi i situatës monetare të kompanive, rritja e arkëtimeve e lufta e humbjeve. Në këtë mënyrë mund të mendojmë për zgjerimin e kapaciteteve afatgjata.

Zoti Ministër, jemi në minutat e fundit të emisionit. Është një pyetje me shumë interes për qytetarët shqiptare. A do të ketë rritje të çmimit të energjisë?

Më vjen keq që në media është spekuluar me një deklaratë të pathënë timen. Shpesh, njerëzit janë të prirur të kapin më të keqen. Media,, e bëri fakt të kryer por unë në fakt kam thënë se çmimin e energjisë e përcakton Enti Rregullator, pas aplikimeve që bëjnë kompanitë. Këtë vit, skadon deklarata rregullatore dhe çmimet e fiksuara këtu e katër vite më parë. Pra, do të merret një vendim për çmimet. Qeveria do të reagojë pasi të shikojë edhe aplikimet që do të bëjnë kompanitë. Ne e kemi thënë se duke kuptuar kushtet ekonomike të Shqipërisë, duke kuptuar vështirësitë që ka konsumatori shqiptar, duke u fokusuar tek rritja e arkëtimeve dhe lufta ndaj vjedhjeve, ne gjithmonë do të mbrojmë konsumatorët familjarë. Pra, nuk duam që familjet shqiptare të preken. Le të shikojmë politikat që do të ndjekë Enti Rregullator, procesi do të jetë shumë transparent, pra opozita merr pjesë, organizatat e ndryshme me interesa ekonomike e shoqërore gjithashtu. Të gjithë janë pjesëmarrës të këtij procesi dhe patjetër edhe qeveria shqiptare që ka zërin e saj. Pra, duhet parë për të gjetur se çfarë kostojë do mbajë shteti. Politikën e çmimit po e bën ERE, ne në çdo rast nuk do të lejojmë të ndikohen konsumatorët familjarë. Ne, këtu jemi dhe do të presim, janë dhënë në shtyp edhe të dhëna sikur Shqipëria ka çmimet më të larta të rajonit. Unë garantoj shqiptarët se çmimi i energjisë në çdo rast është shumë më i ulët se sa ato që deklarohen në media.

Zoti Gjiknuri faleminderit që pranuat ftesën tonë,

Faleminderit dhe juve.

energjia.al 25.09.2014