Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Gjiknuri: TAP mundëson siguri energjitike

Ministri i Energjisë dhe Industrisë së Shqipërisë Z.Damian Gjiknuri zhvilloi një vizitë dy ditore në Baku të Azerbajxhanit ku mori pjesë në ceremonitë e organizuara për shënimin e 20 vjetorit të asaj që njihet si “Kontrata e Shekullit” dhe nisjen zyrtare të punës për ndërtimin e Korrridorit Jugor të Gazit.

Të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën “Heydar Aliyev” ishin personalitete të rëndësishme si Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev, Presidenti i Bullgarisë Rosen Pleneliev, Kryeministri i Gjeorgjisë Irakli Garibashvili, ai i Greqisë Antonis Samaras dhe i Malit të Zi Milo Gjukanoviç. Gjithashtu ishin të pranishëm edhe Ministri i Energjisë së Turqisë Taner Yildiz, zv.ministri i Zhvillimit Ekonomik të Italisë Claudio De Vincenti, i dërguari special dhe koordinatori për çështjet ndërkombëtare të energjisë në Departamentin e Shtetit Amos Hochstein.

Pasi shprehën mbështetjen dhe vlerësimin e plotë për këtë projekt të rëndësishëm ekonomik për Ballkanin dhe Evropën në tërësi, nw Terminalin e Sangaçalit, secili prej zyrtarëve të vendeve pjesëmarrëse vendosi në mënyrë simbolike firmën mbi tubin e parë të rrjetit të Korridorit Jugor të Gazit.

Në fjalën e tij përpara të pranishmëve, Ministri Gjiknuri se deklaroi se Korridori Jugor i Gazit është një projekt shumë i rëndësishëm dhe ceremonia e nisjes së punimeve është një lajm shumë i mirë që përçohet tek qytetarët e vendeve tona.

“Transportimi i gazit nga fusha e Shah Denizi përmes TANAP dhe TAP do të mund të diversifikojë burimet tona energjetike dhe do ta vendosë Shqipërinë në hartën energjitike të Evropës”, u shpreh Ministri.

Duke konstatuar me kënaqësi faktin se Shqipëria ka plotësuar të gjitha detyrimet kontraktuale për të siguruar nisjen sa më të shpejtë të punimeve për ndërtimin e gazsjellësit TAP, Ministri insistoi se ky projekt ka një rëndësi thelbësore dhe strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit.

“Ky gazsjellës, me ndihmën edhe të SOCAR dhe aksionerëve të tjerë të interesuar, mund të kthehet në një burim zhvillimi, jo vetëm për Shqipërinë, por për Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe të gjithë Evropën juglindore. Ne jemi të gatshëm për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe materiale, bazën ligjore për të garantuar suksesin e këtij projekti”, theksoi Ministri Gjiknuri.

Shqipëria, vijoi Ministri duhet ta shfrytëzojë këtë moment, jo vetëm për të plotësuar nevojat e saja të brendshme por edhe për tu bërë promotore e gazifikimit të disa vendeve të rajonit që ende nuk kanë një infrastrukturë dhe treg të gazit.

“Gjej rastin të shpreh vlerësimin tim për qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë SOCAR për vullnetin e shprehur për të ndihmuar në realizimin e këtij objektivi për ta bërë Shqipërinë pjesë të tregut të gazit”, nënvizoi Ministri.

Sipas tij, degëzimi i TAP dhe me projektin e gazsjellësit IAP do të rrisë shanset dhe mundësitë për sigurinë energjitike të gjithë rajonit.

Z.Gjiknuri tha se qeveria shqiptare po mbështet fuqishëm investimet e huaja dhe se përmes transparencës e sigurisë po krijohet mjedisi i përshtatshëm që çdo sipërmarrës ta shohë Shqipërinë si një mundësi për të investuar.

Gjatë vizitës në Baku, Ministri Gjiknuri zhvilloi takime me krerët e shteteve pjesëmarrëse në aktivitet, zyrtarët vendas dhe drejtuesit më të lartë të SOCAR dhe Grupit BP.

energjia.al 22.09.2014