Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Garancia: Për CEZ-in, 86 mln euro

Shqipëria ngrin 86 milionë euro në një bankë sllovake si garanci për marrëveshjen me CEZ-in. Në Kuvend ka mbërritur të enjten projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje me bankën sllovake. Përveç shumës së mësipërme, sipas dokumentit, OSHEE sha mori përsipër t’i paguajë bankës sllovake koston e garancisë bankare dhe, nëse ekzekutohet garancia, shumën e garancisë bankare. Kjo është shuma që nuk kalon 86,000,000.00 euro, e garantuar nga banka sllovake. Në bazë të pikës 4, të marrëveshjes së palës shqiptare me CEZ-in, ku trajtohen kushtet, ndërmjet të tjerave, parashikohet si kusht për hyrjen në fuqi të saj lëshimi nga ana e shoqërisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (njohur më parë si CEZ Shpërndarje), i një garancie, në bazë të së cilës do të sigurohej përmbushja e detyrimeve ndaj CEZ a.s. Kjo garanci bankare duhet të jetë e pavarur, e plotë, e pakushtëzuar, e parevokueshme dhe e pagueshme me kërkesën e parë. Në vijim të këtij detyrimi, nga ana e shoqërisë OSHEE, u kërkoi të gjitha bankave të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë një kërkesë për shprehje interesi në lidhje me lëshimin e një garancie bankare referuar kushteve të përcaktuara në marrëveshjen ndërmjet palëve, duke vendosur si afat të fundit për dorëzim të ofertave paraprake datën 21.7.2014. Në përgjigje të kërkesës së shoqërisë OSHEE, sipas relacionit të qeverisë, shfaqën interes disa banka, ndërkohë që disa të tjera nuk kanë demonstruar interes për këtë proces ose kanë refuzuar të përgjigjen. Propozimi i paraqitur nga banka sllovake, pas një procesi të gjatë negociimi, plotësonte kushtet. Duke marrë në konsideratë afatet e shkurtra kohore të përmbushjes së kushteve paraprake të parashikuara në marrëveshjen e mirëkuptimit me CEZ a.s., thuhet në relacion, del si nevojë që ratifikimi i këtij ligji të kalojë me procedurë të përshpejtuar.

Gazeta Shqip, 20.09.2014