Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala e Gjiknurit për efiçencën energjitike

Më poshtë është fjala e plotë e ministrit Gjiknuri në konferencën me temë:’Politikat e efiçiences se energjise ne Ballkan: Mundesi bashkepunimi rajonal’.

Përshëndetje,

Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen,

Një falënderim të veçantë do të doja ta bëja për “Balkan Forum” dhe “Rockefeller Brothers Fund” që bashkëpunuan dhe na mbështetën në organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm. Jam shumë i kënaqur, që këtu pranë meje është edhe Ministri i Kosovës Z.Fadil Ismaili, me të cilin kemi një bashkëpunim të gjërë, bashkëpunim në shumë fusha të zhvillimit energjitik në Shqipëri e Kosovë. Një bashkëpunim që edhe në të ardhmen do të ndikojë në një furnizim më të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës me energji. Gjithashtu, falenderoj për pjesëmarrjen edhe Z.Clive Rumbold nga Komisioni Evropian, që na nderon me prezencën e tij në këtë tavolinë.

Kjo tryezë synon që të promovojë dhe të nxisë bashkëpunimin për përdorimin sa më efiçent të burimeve energjitike.

Nuk ka dyshim se efiçenca e energjisë është një prioritet i rëndësishëm si politik ashtu edhe ekonomik. Efiçenca sot konsiderohet si një nga ato burime, akoma të pashfrytëzuara mirë, vërtet një burim alternativ energjie, në mënyrë indirekte. Kursimi i energjisë, do të thotë një përdorim më efikas, më eficent i energjisë, në mënyrë që për të njëjtin input, të keni më tepër output.

Përmirësimet në efiçencën e energjisë janë të rëndësishme, pasi në radhë të parë zvogëlojne shpenzimet për energji, rrisin konkurrencën e ekonomive rajonale dhe krijojnë mundesi të reja pune.

Qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, se rritja e efiçencës së energjisë jo vetëm redukton drejtpërdrejtë faturën, por sjell një ndikim jo të vogël në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe në shëndetin e njeriut, i cili vërtet është i vështirë të matet por ka një impakt të dukshmëm në shoqëri.

Qeveria është e vendosur që paralelisht me luftën pa kompromis ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë, të ndërgjegjësojë opinionin publik për vlerën, avantazhet që sjell efiçenca energjitike por dhe të promovojë politikat dhe investimet që shkojnë në këtë drejtim.

Kursimi i energjise nuk do të thotë të kufizosh aktivitetet e tua jetësore, por ti menaxhosh ato e njëkohësisht të arrish të kursesh energji. Pikërisht, këtu hyn efiçenca. Realisht, Shqipëria duhet të kushtojë vëmendjen e saj dhe të tregojë shumë kujdes dhe duhet t’i shfrytëzojë këto burime.

Sot, ne përballemi me një nivel të lartë të humbjeve të energjisë, që janë humbje teknike ose jo teknike të cilat kryesisht vijnë nga abuzimi. Në Shqipëri konsumojmë energji më tepër se ç’duhet. Nga viti në vit rritet kërkesa dhe përdorimi i energjisë, ndonjëherë në situate që nuk shkojnë në proporcion me rritje ekonomike.

Ç’rregullimi i tregut nga çmime të cilat nuk reflektojnë koston reale, i bën konsumatorët jo të interesuar drejt investimeve për një përdorim efiçent të energjisë. Shpeshherë, duke qenë se energjia konsiderohet si mall pa zot, asnjë nuk investon në forma alternative për të kursyer energjinë e për të qenë sa më efiçient. Kjo në Shqipëri është shumë e dukshme.

Aty ku energjia ka kosto reale, njerëzit janë të detyruar të gjejnë mënyra alternative dhe efiçente, sipas standardeve që kanë të bëjnë me ndërtimin, si një burim vërtet shumë i mirë për të kursyer energjinë elektrike, për të ulur koston e faturës dhe për të kontribuar direkt në mbarëvajtjen e sektorit energjetik.

Një numër i madh donatorësh dhe institucionesh financiare janë aktive në këtë fushë dhe efiçenca e energjisë është kthyer sot në një prioritet rajonal dhe pjesë e rëndësishme e programeve dhe strategjive të Ballkanit Perendimor, gjë të cilën e dëshmon edhe ky takim i sotëm.

Qeveria shqiptare ka një program konkret dhe po merr disa masa të rëndësishme edhe në këtë fushë, masa të cilat shprësojmë se do të sjellin gradualisht uljen e konsumit të energjisë elektrike.

Synojmë përmirësimin e mbledhjes së të dhënave të konsumit të energjisë nga të gjitha agjencitë e specializuara dhe të ngarkuara me ligj për këtë aktivitet.

Do të miratojmë një Plani-Veprimi të qëndrueshëm në përputhje me Direktivën e BE dhe udhëzimet e Komunitetit të Energjisë.

Do të implementojmë Direktivat e BE për efiçencën nëpërmjet transpozimit të normave dhe rregullave të BE në legjislacionin shqiptar.

Do të nxisim sektorin publik, ashtu si në vendet e BE, që të marrë rolin e liderit në zbatimin e projekteve për efiçencën e energjisë, duke filluar që nga ministritë, spitalet, shkollat, institucionet e tjera publike. Në këtë fushë, në vitet e fundit Shqipëria ka patur disa projekte konkrete, edhe nga donator konkret siç është KfW e Gjermanisë apo para të Bashkimit Evropian që janë përdorur me efikasitet në investime në disa godina publike, në arsim apo projekte të tjera.

Do t’i kushtojmë rëndësi aplikimit të teknologjive të reja për përdorimin me efiçencë të energjisë.

Do të nxisim në aspekte të ndryshme si në atë të financimeve të sipërmarrjeve të reja në këtë fushë, lehtësira për importin e pajisjeve për rritjen e efiçencës së energjisë.

Do të miratohet dhe forcohet kodi i ndërtimit si dhe aplikimi i standarteve të reja për efiçencën për pajisjet dhe aparaturat e tjera elektroshtëpiake.

Qeveria do të mund të krijojë fondin e efiçencës së energjisë që për herë të parë parashikohet në ligjin e ri për efiçencën, i cili po përgatitet dhe për të është marrë dhe mbështetja e Komunitetit të Energjisë.

Është e rëndësishme të diskutohet për format e financimit në të cilat mund të përfshihen edhe organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare. Donatorët të mund të krijojnë për herë të parë një fond i cili do të bëjë të mundur në këtë mënyrë nxitjen e këtyre iniciativa që kanë të bëjnë me standardet më të mira përsa i përket efiçencës.

Me anë të disa programeve kohët e fundit ka pasur perpjekje për ta incentivuar këtë fushë. Siç e thashë, shteti duhet të jetë i pari që të luajë rolin e promotorit në programet e efiçiencës. Kam patur edhe diskutime me institucione të tjera ndërkombëtare siç është BERZH-i që ka një ekspertizë shumë të mirë për efiçiencën energjitike.

Duhet të synojmë që të ecim përpara me “project financing”, pra me projekte të mirëfillta financiare që i interesojnë edhe biznesit.

Sidomos në sektorë të industries, në te cilat ka shumë leverdi imponimi i efiçencës së energjisë elektrike, pasi aty mund të nxirren edhe shumë fitime.

Përmirësimi i ventilimit, përmirësimi i ndriçimit, përmirësimi i materialeve në shumë vende industriale, megjithëse këtu po flasim për banesat, por le ta fillojmë dhe nga komplekset industriale. Duhet ta kuptojmë se nëse do të kemi banesa me efiçiencë më të mirë energjitike, një pjesë e mirë e konsumit që shpenzojmë për ngrohje apo ftohje do të ulej dhe fatura do bëhej më e lehtë për qytetarët.

Është momenti që Shqipëria të ecë në këtë rrugë, krahas sfidave të tjera që kemi në sektorin energjitik. Siç duhet të luftojmë vjedhjet e enërgjisë, duhet edhe të bëjmë koshient njerëzit që përdorimi i energjisë të jetë me përgjegjshmëri dhe të nxisim politikat qeveritare me çdo masë që bën të mundur këtë.

Ka shumë programe që bëjnë auditin e efiçencës energjetike dhe nxjerr realisht kosto/përfitimin e saj. Do të thotë që vërtet do të shpenzosh disa para për të përmirësuar infrastrukturën, por në terma afatgjatë do ta nxjerrësh fitimin.

Është momenti i duhur që edhe në Shqipëri, sensibiliteti të rritet. Çdo investim në eficencën e energjisë, është eficencë ekonomike, është kursim, është fitim më i sigurtë.

Ju falenderoj për mundësinë që më dhatë të mbaj këtë fjalë dhe njëkohësisht kërkoj një pjesëmarrje sa më active nga të gjithë për të shkëmbyer ide, për të marrë më të mirën nga kjo tavolinë. Shpresoj që dhe “Balkan Forum” të jetë edhe më aktiv në zhvillimet e sektorit energjitik në Shqipëri dhe jam i bindur se ky do të jetë fillimi i një bashkëpunimi të gjatë.

Ju faleminderit.

energjia.al 14.09.2014