Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritja e gjigandëve të naftës

Xhirot e të mëdhenjve të naftës dhe gara mes tyre. Sipërmarrjet e naftës janë rritur ndjeshëm në vitin 2013. Disa importues janë fuqizuar ndjeshëm, të tjerë kanë dalë nga tregu….

Dy kompanitë e para në listën e 100 më të mëdhave nga qarkullimi vjetor gjatë vitit 2013 janë në fushën e naftës, Bankers Petroleum, e cila është aktive në zbulim e nxjerrje të naftës dhe Kastrati, e dyta, në tregtimin me shumicë e pakicë të produkteve të hidrokarbureve.

Bankers Petroleum është operatori i vetëm, që shfrytëzon me koncesion fushën naftëmbajtëse në Shqipëri, Patos Marinzë, një nga më të mëdhatë në Europë, duke prodhuar 1.06 milionë tonë naftë në vitin 2013, nga 1.2 milionë tonë, që ishte prodhimi gjithsej po atë vit, sipas të dhënave të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës. Kjo rritje i ka sjellë kompanisë një nivel rekord të ardhurash prej rreth 68 miliardë lekësh (Të ardhurat e rakorduara me deklarimet tatimore PDF për efekt të TVSH-së) me një zgjerim prej 28% me bazë vjetore, sipas bilancit të saj të vitit 2013, duke u bërë për dytin vit radhazi, sipërmarrja më e madhe në vend, e matur nga qarkullimi vjetor.

Bankers ka qenë një ndër udhëheqësit kryesorë të eksporteve shqiptare vitet e fundit, me grupin e “Lëndëve djegëse minerale, vajrat minerale”, që u zgjerua me 34% me bazë vjetore në 2013-n, e duke ndikuar në gati 60% të rritjes së eksporteve shqiptare në total dhe duke qenë sektori që “shpëton” statistikat shqiptare për rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke i mbajtur ato në zonë pozitive.

grafiku celularet 1Kompania rezulton me një tatimfitim kontabël të shtyrë prej 8.2 miliardë lekësh në 2013, nga 6.5 miliardë lekë në 2012-n. Por, sipas shpjegimit në bilancin e saj të vitit 2013, “rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës, rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori. Si rrjedhojë, kompania nuk rezulton me fitim të tatueshëm, përkundrazi, humbja e tatueshme, e deklaruar nga Bankers për vitin 2013, është 20 miliardë lekë (gati 30% e të ardhurave të deklaruara).

Kastrati është sërish në vendin e dytë në renditjen e 100 sipërmarrjeve më të mëdha në vend. Me një xhiro prej rreth 64 miliardë lekësh, kompania e tregtimit të naftës, pa një rritje të qarkullimit vjetor me 35% gjatë vitit 2013.

Një biznes i vështirë do ta quante Luigji Aliaj, një ndër aksionerët dhe drejtuesit e Kastratit, që i kontaktuar nga “Monitor”, nuk është shumë entuziast për zgjerimin galopant të kompanisë në vitin 2013, duke e vënë theksin te disa faktorë si shtrenjtimi i çmimit të naftës, apo shtimi i taksave, që e kanë ndikuar rritjen e qarkullimit vjetor, ndonëse importet e naftës në total në 2013-n u zgjeruan me vetëm 6.5%. Të gjitha këto, në fakt, i kanë shtuar kostot, duke bërë që Kastrati të përgjysmojë fitimet në 2013-n.

Ndërsa, aktiviteti si nënkontraktor i Bankers Petroleum ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në shtimin e xhiros së kompanisë, për arsye të marzheve të ulëta me të cilat bëhet kjo xhiro.

Edhe kompania tjetër e grupit, Kastrati sh.p.k. (që tregton me pakicë) e rriti ndjeshëm qarkullimin vjetor, nga 2.1 miliardë lekë, në 8.6 miliardë lekë, duke u renditur në vendin e 28, nga i 89-i në 2012-n.

Konkurrenti më i afërt importues i naftës është Europetrol Durrës Albania (marka në tregtimin me pakicë është Elda), i cili dy vitet e fundit nuk ka arritur të ndjekë ritmet e rritjes së Kastratit, ndonëse deri dy-tre vjet më parë, dy konkurrentët ishin “rrotë më rrotë”. Për vitin 2013, Europetrol deklaroi 22.6 miliardë lekë xhiro, me një rritje prej 1%, duke u ngjitur në vendin e shtatë, nga i dhjeti një vit më parë. Kompania tjetër e grupit, Skënderi G, që tregton naftën me pakicë, realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 7 miliardë lekësh, duke u renditur në vendin e 32.

Tea Construction & Petrol, pjesë e Tea Oil Group, ka katërfishuar aktivitetin e saj në 2013-n, duke arritur një xhiro prej 8.7 miliardë lekësh, për t’u ngjitur në vendin e 27, nga i 68-i që ishte vetëm një vit më parë. Sipas burimeve zyrtare të kompanisë, aktiviteti i saj kryesor është shitja me shumicë dhe pakicë e naftës, ndërtimi i rrugëve, import-eksporti etj. Së fundmi ajo zotëron dhe markat e naftës Alpet dhe Cyclon. Kompania shet gjithashtu produkte të distiluara nga rafineritë lokale. Produktet e përpunuara si bitum, solar, etj., eksportohen në vende të tjera të rajonit si Kosova dhe Maqedonia.

Operatori i katërt më i madh tregtues i naftës në 2013-n ishte Genklaudis, me një qarkullim vjetor prej 12.7 miliardë lekësh, me një rritje prej rreth 6%, duke u pozicionuar në vendin e 15-të në renditjen totale.

Taçi Oil, që në vitin 2012 ishte sipërmarrësi i dytë më i madh i naftës në vend, ka shënuar rënie të ndjeshme të xhiros me 77%, nga 32.8 miliardë lekë, në 9.1 miliardë lekë, teksa ka ushtruar aktivitet vetëm gjysmën e parë të vitit, për të dalë më pas nga tregu i naftës (shiko nënndarjen Viti i mbrapshtë i…). Kompania ka zbritur nga vendi i 5-të në vitin 2012, në të 26-in në vitin 2013, ndërsa në 2014-n pritet të dalë fare nga lista e 100 të mëdhenjve.

Klodi sha ka qenë një tjetër operatori në tregun e naftës, që ka parë një rritje prej 44% të faturimit vjetor, në 4.52 miliardë lekë.

Edhe ARMO, që vitet e fundit ishte bërë faktor në tregun e naftës ka zbritur në vendin e 57, me vetëm 3 miliardë lekë xhiro nga pozicioni i 11-të në 2012-n (për performancën më të detajuar të ARMO-s shiko sërish nënndarjen (Viti i mbrapshtë i…).

Vil Oil (i cili tregtonte markën Alpet) është një tjetër kompani nafte që ka dalë nga lista e 100 më të mëdhenjve, ndërsa kompania është vënë nën sekuestro konservative që nga mesi i vitit 2013, sipas të dhënave nga QKR dhe marka Alpet tashmë tregtohet nga Tea Construction & Petrol.

Operatorët e rinj që po marrin tregun e Taçi Oil dhe Alpet (përkatësisht IT Oil dhe Gulf International) nuk figurojnë në 2013-n në listën e 100 më të mëdhenjve.

Revista Monitor, 13.09.2014