Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Intervistë me David French, CEO i Bankers

INTERVISTA/ Flet David French, President & CEO i Bankers Petroleum Ltd

Si e vlerësoni ecurinë e Bankers Petroleum Albania në vitin 2013?

Në 2013-n, Bankers Petroleum ka shënuar disa arritje të rëndësishme përmes strategjisë sonë për një zhvillim të besueshëm dhe rritje sistematike.

-Kemi investuar një total prej 234,000,000 $ në asetet tona në Shqipëri në 2013 dhe kemi kontribuar më shumë se 94.000.000 $ për qeverinë shqiptare nëpërmjet taksave vendore dhe taksave të drejtpërdrejta për qeverinë dhe Albpetrol.
-Rritëm prodhimin me 21%, duke e çuar prodhimin mesatar në 18.169 fuçi nafte në ditë, një rekord për kompaninë dhe historinë 85-vjeçare të fushës naftëmbajtëse të Patos-Marinzës.
-Kompania ka shpuar një rekord prej 145 pusesh horizontale.
-Kemi zgjeruar tregun për naftën bruto shqiptare, duke shpërndarë ngarkesat e naftës së papërpunuar të Patos-Marinzës në Indi dhe Azi për herë të parë.
-Bankers filloi pilotimin e zbatimit të metodave të dyta për zgjerimin e rezervave të nxjerrshme të naftës, për të parë se si teknologjia mund të aplikohet për të rritur potencialin në Patos-Marinëz.

Ju jeni kompania më e madhe në Shqipëri, cilat janë ndikimet në ekonominë e vendit?

Bankers është investitori i huaj direkt më i madh në Shqipëri, ne kemi investuar mbi 1.4 miliardë dollarë në operacionet tona gjatë dhjetë viteve të fundit. Bankers është edhe kontribuuesi më i madh në taksat në vend, duke kontribuar 94.000.000 $ në taksa dhe kontribute për qeverinë dhe kontributin në natyrë të naftës së papërpunuar, për Albpetrol në 2013-n dhe ky numër do të rritet në mbi 100 $ milionë këtë vit. Ne jemi edhe një punëdhënës i rëndësishëm, duke punësuar mbi 500 punonjës direkt dhe 1700 punonjës indirekt në rajonin e Fierit.

Ndonjë informacion mbi situatën në vendburimin e Kuçovës dhe Bllokun F dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Së fundmi, ne kemi filluar punën në Kuçovë, duke marrë përsipër një numër pusesh nga Albpetrol, kompania shtetërore e naftës. Ne gjithashtu kemi në plan të shpojmë pusin e parë horizontal në këtë zonë brenda këtij viti. Nëse kemi sukses, kjo do të çojë në zgjerimin e aktivitetit në 2015. Blloku F është një bllok kërkimi me potencial të përmbajë rezerva të gazit natyror. Ne jemi në fazën e dytë të kërkimit në bllok dhe aktualisht jemi në mes të punës për studimin gjeofizik 3D për herë të parë në vend, për të parë imazhet e nëntokës dhe për të kuptuar më mirë perspektivën e zonës.

david-french ceo i bankersNë deklaratat tuaja të fundit për shtyp ju keni njoftuar për ndërmarrjen teknikave të avancuara për rikuperimin e naftës …A mund të na ofroni më shumë detaje mbi këto teknologji?

Përdorimi i ujit dhe polimerit për të menaxhuar presionin e rezervuarit është një koncept i thjeshtë që është provuar edhe në shumë vendburime të tjera të naftës, veçanërisht në Amerikën e Veriut. Zgjedhjet e ujit ose polimerit janë përdorur për të zëvendësuar presionin e humbur në rezervuar, gjë e cila ndihmon në lëvizjen e naftës drejt puseve të prodhimit. Duke zëvendësuar energjinë e shtresës në rezervuar, ne do të jemi në gjendje të zbusim rënien e prodhimit dhe rritjen e koeficientit të nxjerrjes së naftës. Ne filluam pilotimin e polimerit dhe ujit në vendburim, në fillim të vitit 2013, me konvertimin e puseve të prodhimit ekzistuese horizontale në puse uji dhe polimeri duke pritur 9-12 muaj për të parë një rezultat në puset e afërta të prodhimit. Deri më sot, të gjitha rezultatet e prodhimit janë në përputhje me të dhënat për një potencial rritje të rezervave në zonat që kemi testuar prej 5-10%. Këto rezultate pozitive na kanë inkurajuar të vazhdojmë të zgjerojmë këto projekte pilot, për të testuar zona të tjera të vendburimit për 2014-n, dhe 2015-n.

Cilat janë planet dhe objektivat tuaja për pjesën tjetër të vitit 2014? Si e parashikoni mbylljen e këtij viti?

Për këtë vit ne jemi në rrugën e duhur për të investuar 313.000.000 $ dhe për të arritur 10 – 15% rritje të prodhimit vjetor. Prodhimi aktual është mbi 21.000 fuçi nafte në ditë. Me shtimin e sondës së 6-të në pranverë, ne kemi shpuar 76 puse horizontale deri në fund të tremujorit të dytë, nga 150-170 puse horizontale që është plani vjetor. Ne jemi duke vazhduar në strategjinë tonë me tre pjesë për ekzekutimin e programit tonë primar të shpimit, duke zgjeruar marzhin tonë të produktit dhe vlerësimin e modeleve tona të ujit dhe polimerit.

Ka pasur shumë diskutime dhe debate se Bankers nuk paguan tatimin mbi fitimin. A keni ndonjë kohë kur kompania do të paguajë tatimin mbi fitimin, i cili për industrinë e naftës është 50%?

Aktualisht Bankers paguan ~ 17% të të ardhurave tona në detyrime dhe pagesa tatimore për Albpetrol, që barazohet me 94.000.000 dollarë në vitin 2013 dhe do të jetë mbi 100 milionë dollarë në vitin 2014. Aktualisht ne parashikojmë të jemi në pozitën për të pagur tatimin mbi fitim në 2017-2018, kohë në të cilën kompania do të jetë subjekt i një niveli prej 50% të fluksit tonë të parasë. Tatimi mbi fitim aplikohet mbi të ardhurat e gjeneruara mbi investimet që ne kemi bërë. Sepse investimi, deri më sot, është ende shumë më i madh se të ardhurat e realizuara dhe do të jetë kështu disa vite deri sa ne të gjenerojmë fitimin që do të taksohet.

Bankers ka deklaruar se është duke negociuar me qeverinë shqiptare, duke u përpjekur të zbusë ndikimet e paketës së re fiskale të imponuara nga qeveria në fillim të këtij viti. Ku jeni ju në lidhje me këtë?

Ne kemi bërë progres të rëndësishëm në diskutimet tona me qeverinë dhe kemi marrë garanci të shkruar se disa nga ndryshimet fiskale do të zbuten në përputhje me klauzolën e stabilizimit brenda Marrëveshjes sonë Hidrokarbure. Ne presim që të kemi marrëveshje zbutjeje formale të nënshkruar këtë tremujor, që ne besojmë do të jetë një mesazh shumë pozitiv për investitorët e huaj të tanishëm dhe të ardhshëm në Shqipëri.

Revista Monitor, 13.09.2014