Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rusia mbyll rubinetat e gazit për Poloninë

Rusia redukton me 45 për qind furnizimin e Polonisë me gaz, deklaroi sot kompania shtetërore polake PGNiG.

Më herët gjatë ditës, Varshava ndaloi dërgesat e gazit në Ukrainë përmes tubacioneve me fluks të kthyeshëm. Autoritetet e argumentuan këtë lëvizje për faktin se volumi i gazit rus ishte të martën 24 për qind më i ulët.

Si Polonia, ashtu edhe Ukraina varen shumë nga gazi natyror rus, për çmimin e të cilit Moska aktualisht është në konflikt me Kievin.

Disa ekspertë mendojnë se vendimi i Kremlinit, që në muajin qershor ia mbylli Ukrainës rubinetët e gazit, është një lloj ndëshkimi për Poloninë për shkak se ka dërguar gaz atje.

Sipas të përditshmes financiare ruse “Kommersant”, Varshava i kishte kërkuar këtë javë Moskës të shtonte nivelin e furnizimit me gaz për shkak të një vale të papritur të ftohti, por Gazprom ka refuzuar t’ia përmbushë këtë nevojë me pretendimin se nuk kishte gaz mjaftueshëm.

Nga ana tjetër, Rusia nuk ka marrë të njëjtën masë të ashpër ndaj Hungarisë dhe Sllovakisë, që nëpërmjet naftësjellësve me fluks të kthyeshëm kanë dërguar shumë më tepër gaz në Ukrainë sesa Polonia.

Pak kohë më parë, “Gazprom” dhe presidenti rus, Vladimir Putin paralajmëruan se vendet anëtare të Bashkimit Europian do të kishin pasoja nëse furnizonin me gaz shtetin fqinj. Putin ka argumentuar se të tilla dërgesa do të minonin kontratat ekzistuese të gazit me BE-në.

Gazeta Shekulli, 11.09.2014