Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, një mall i abuzuar

Një person ka vdekur pak ditë më parë në rrethinat e Tiranës, duke u përpjekur të lidhë një tel në një shtyllë ku kalonte linja elektrike. Po mundohej të lidhte sërish linjën e tij të paligjshme, të këputur pak më parë nga punonjësit e OSHEE. Ky rast tragjik është vetëm një episod i dhimbshëm në sagën e gjatë shumëvjeçare të abuzimit me energjinë elektrike në mbarë Shqipërinë. Ekipi task force i ngritur për të ndërprerë lidhjet e paligjshme elektrike në të gjithë territorin, ka raportuar së fundi shifra shokuese. Vetëm në gjashtë muajt e paë të vitit 2014, janë këputur 483 mijë lidhje të paligjshme elektrike, duke çuar për ndjekje penale në prokurori plot 935 raste. Një pjesë e madhe e vendit, sipas këtyre shifrave, është furnizuar me energji në mënyrë të jashtëligjshme. Një krim i stërmadh financiar, i shtrirë në të gjithë territorin shqiptar, nga Veriu në Jug.

Këto lajme u përhapën paralelisht me njoftimet e fundit të qeverisë për rritjen e çmimit të energjisë. Një temë e nxehtë, e cila tradicionalisht ka nxitur debate të shumta në skenën politike, por edhe në opinionin publik. Abuzimi me faturat e energjisë elektrike, mospagimi i sasive të konsumuara, është një plagë e vjetër financiare e sociale në vend. Prej shumë vitesh, pjesë të tëra të territorit refuzojnë ta konsiderojnë energjinë elektrike një mall që duhet paguar, si çdo mall tjetër. Nëse në dyqanin e lagjes merr nga stendat një shishe banale me ujë, e cila kushton vetëm 50 lekë, shitësi është i gatshëm, me të drejtë, të të ndjekë pas dhe që puna të shkojë deri në sherr po qe nevoja. Nuk ndodh kështu me kilovatët e energjisë që mijëra shqiptarë marrin nga shtyllat që kanë mbi krye, në qytete e fshatra.

Shteti (por edhe privatët, siç qe rasti i CEZ), e kanë humbur historikisht betejën me rregullimin e konsumit të energjisë. Kjo ka sjellë që qeveritë të bëjnë rregullisht gjënë më të lehtë: Kanë detyruar të paguajnë edhe më tepër, ata që paguajnë rregullisht. Duke provokuar thellimin e një padrejtësie të madhe sociale, me ata të tjerët, që vazhdojnë të mos paguajnë asnjë lek energji në muaj. Edhë kësaj rradhe, lajmet për ngritjen e çmimit të energjisë, ngërthejnë brenda tyre, përtej luftës politike hileqare, këtë problem të madh pabarazie mes shtetasve. Sepse është krejt e padrejtë që dikush vijon të konsiderohet i “privilegjuar” duke mos paguar për energjinë elektrike, kurse të tjerët e shohin veten të dënuar që të mbajnë mbi shpinën e tyre edhe barrën e asaj që kanë konsumuar të tjerët “falas”.

Ngritja e çmimit të energjisë është kurdoherë një lajm i keq për qytetarët, ashtu siç është një operacion me risk të lartë për qeverinë dhe imazhin e saj. Por nga ana tjetër, beteja për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë duhet të evitojë e ashpër, për të mundësuar që padrejtësia sociale që qëndron sot mes atyre që paguajnë dhe atyre që “hedhin telin majë shtyllës”, të vijë duke u zvogëluar. Vetëm kështu nuk do të ketë rrudhje buzësh kur të njoftohet ngritja e çmimit të energjisë.

Revista Java, 12.09.2014