Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Nafta, “imune” ndaj trazirave

Pavarësisht tensioneve gjeo-politike në rajone të ndryshme të botës, sidomos në Lindjen e Mesme, tregu i naftës është shfaqur më i pavarur dhe i qendrueshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Madje, analistët parashikojnë se çmimet mund të bien edhe me 10%. Nafta Brent e Londrës, në sesionin e së Martës ra poshtë 100 dollarëve për fuçi, për herë të parë në 16 muajt e fundit, pasi importet në Kinë shënuan rënie për të dytin muaj me radhë. Përveç kërkesës së butë nga Kina, edhe bota e zhvilluar po përdor më pak naftë në përgjigjësi dhe prodhimi është rritur ndjeshëm. Si rezultat, nafta e papërpunuar po ruhet për tu përdorur në të ardhmen, dhe për herë të parë në shumë vite prodhimi është më i lartë se kërkesa.

“Janë më shumë se 30 milionë fuçi, që po qendrojnë në naftëmbajtëse. Kjo situatë do të zgjidhet vetë”, deklaroi analisti i sektorit të energjisë pranë Citigroup, Eric Lee. Ai parashikon se në terma afatgjatë, nafta Brent e Londrës do të tregtohet midis 70 dhe 90 dollarë për fuçi dhe shumë shpejt do të fillojë të shkojë drejt këtij intervali. Investitorët janë treguar të kujdesshëm, në pritje që militantët e ISIS në Irak të çrregullonin tregun. Por më vonë kjo u duk e pamundur pasi kryengritësit u përqendruan larg zonave kyçe të prodhimit të “arit të zi”.

Tregtarët kanë monitoruar edhe situatën në Ukrainë, pasi Rusia është një furnizues shumë i rëndësishëm me energji për Europën. Sigurisht që këto zhvillime kanë ofruar një mbështetje, por nuk kanë “ndezur çmimet”, pasi trazirat nuk kanë prekur prodhimin. Edhe rritja e dollarit amerikan ka rënduar mbi çmimet e naftës në javët e fundit. Deri më tani, OPEC po prodhon 30 milionë fuçi në ditë, dhe Arabia Saudite, prodhuesi më i madh në botë, nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të zvogëlojë prodhimin ditor prej 10 milionë fuçi naftë.

Scan TV, 10.09.2014