Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

KOSID kundër rritjes së energjisë në Kosovë

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) kundërshton zyrtarisht vendimin të fundit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë, dhe kërkon nga Bordi i ZRRE-së anulimin e vendimit të për rritjen e të hyrave të lejuara për Furnizuesin Publik KEDS për shkak të kundërligjshmërisë së tij dhe shkeljes së Rregullës për vendosjen e çmimeve të furnizuesit publik të energjisë elektrike, Shtojca 5 (paragrafi 2).

KOSID vlerëson që Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka shkelur detyrimin e saj që të mos ndërmarrë ndonjë hap në rritjen e tarifave përkatësisht të hyrave të lejuara për furnizuesit publik në afat prej 3 muajsh pas vendimit të fundit për një rritje të tillë, e përcaktuar specifikisht në Shtojcën 5.1 të Rregullës për Çmimet e FPEE-së.

Një veprim i tillë i Bordit të ZRRE-së sipas KOSID-it përbën shkelje serioze të mandatit të tij të besuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për të mbrojtur tregun dhe konsumatorin e energjisë në Republikën e Kosovës, dhe natyrisht që përbën edhe veprim të ndaluar në kuptim të Nenit 1.3 të Ligjit mbi ZRRE-në.

Në anën tjetër, KOSID vlerëson që vendimi në fjalë i Bordit të ZRRE-së përbën gjithashtu shkelje të Nenit 3.1 të Ligjit për ZRRE-në, meqë e ndërmerr një veprim të tillë rregullativ pa transparencë, duke shkelur parimet e mbrojtjes së konsumatorit dhe të veprimeve jo-monopoliste të tregut.

Një rritje e tillë e çmimit përbën një veprim që i shkon në dëm serioz konsumatorëve final të energjisë në Kosovë, dhe në anën tjetër shërben si mjet monopolistik që kënaq interesat private të furnizuesit publik, KEDS.

Prandaj, KOSID i ka kërkuar ZRRE-së që në periudhë sa më të shpejtë kohore të bëjë anulimin e një vendimit të tillë, në mënyrë që të ndërpriten efektet e kundërligjshme të faturimit të energjisë tek konsumatorët final.

Në rast të mos anulimit të një vendimi të tillë, Bordi i ZRRE-së do të mbaj përgjegjësi ligjore për të gjitha pasojat e shkaktuara tek konsumatori final dhe tregu i energjisë.

Në anën tjetër, KOSID i bën thirrje të gjitha mediave në Kosovë që të ndjekin me shqetësim tendencën e ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë në Kosovë në këtë periudhë kohore, dhe dëmtimin me çdo kusht të konsumatorit të energjisë.

“Vlerësojmë që një sjellje e tillë e ZRRE-së jo vetëm që përbën shkelje ligjore, por edhe një papërgjegjësi totale ndaj publikut dhe qytetarëve te varfër të vendit tonë. KOSID për këtë shkak do të vazhdoj me mobilizimin e publikut dhe të organizatave të shoqërisë civile për ta kundërshtuar një proces të tillë në vazhdimësi”, thuhet në reagimin e KOSID.

Agjensia e lajmeve ekonomia, 02.09.2014