Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tarifa dimërore e KEDS, më e shtrenjtë

Kërkesa për shtrenjtimin e energjisë elektrike nga ana e Korporatës Energjetike e Kosovës (KESK), dhe KEDS-i konsiderohen si e papranueshme dhe e cila do të vështirësoj edhe më shumë jetën e qytetarëve të Kosovës. Sipas njohësve të kësaj fushe, përveç shtrenjtimit, tash konsumatorët do të ngarkohen edhe me tarifat dimërore, e cila është më e shtrenjtë se sa ajo verore.

Tarifa dimërore e llogaritjes së shpenzimeve të energjisë elektrike fillon nga data 1 tetor deri më 31 mars.

Profesori i ekonomisë Muhamet Mustafa, shtrenjtimin e rrymës, dy herë brenda dy muajve e konsideron një ngjarje nonsens. Sipas tij, nuk është arsyetim shtrenjtimi i rrymës me shpërthimin e ndodhur në Termocentralin “Kosova A” më 6 qershor.

“Kjo vetvetiu përbën absurd sepse çmimi nuk mund të ngarkohet me asnjë logjikë dhe standard, përkatësisht lëvizjet e çmimeve nuk duhet të lidhen me ngjarje dhe incidente. Kjo duhet të mbulohet nga korporata ose nga qeveria me burime të veçanta, sepse kur ky 5.3 për qind hyn në strukturë, çmimi edhe kur të sanohet dëmi do të ngelë në strukturë të çmimit?”, tha Mustafa.

Por sipas tij, shtrenjtimi nuk do të ndalet vetëm me ngritjen e tarifave, por konsumatorët do të ngarkohen edhe me tarifat dimërore. “Veç kësaj, ky çmim do të hyjë si bazë e tarifës dimërore, e cila çmimin sidomos në bllokun e tretë tarifor e bënë thuaja se më të shtrenjtin në rajon. Shih për këtë, Komisioni hetimor parlamentar ka gjetur shumë anomali në komponentët e të ardhurave maksimale të lejuara për KEDS-in”, thekson profesori Muhamet Mustafa, për Telegrafin.

Kurse zëdhënësi i KEDS-it Guri Shkodra ka bërë të ditur për Telegrafin se tarifat dimërore të llogaritjes së shpenzimit të energjisë elektrike fillojnë nga tetori.

“Llogaritja e tarifave dimërore të shpenzimit të energjisë elektrike fillojnë nga 1 tetori, e vazhdojnë deri më 31 mars”, ka treguar ai duke u bërë apel konsumatorëve për të kursyer sa më shumë energjinë elektrike kur dihen problemet me gjenerim të cilat janë kohëve të fundit.

Ndërkaq, Visar Azemi nga Konsorciumi i Shoqërisë civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), thotë se kërkesa për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike është e pabazuar dhe e paargumentuar.

Sipas tij, KEDS-i po tenton të përdorë situatën e krijuar nga shpërthimet në Termocentralin “Kosovën A” për të pasur një ngritje të çmimit akoma pa kaluar dy muaj nga rritja e fundit dhe kur e dimë mirë së kërkesa për energji në këto muaj të verës është stabile dhe nuk kërkon import shtesë.

“Situatat e krijuara momentale po shfrytëzohen për qëllime të përfitimeve ekonomike të cilat do të kenë impakt të përhershëm. Vakuumi institucional i krijuar këto ditë në mungesë të funksionimit të qeverisë dhe parlamentit, nuk duhet të përdoret as nga KEDS-i e as nga ZRRE-ja. Dështimet e qeverisë dhe operatorëve energjetik në vend, në asnjë mënyrë nuk duhet t’u ngarkohen qytetarëve të Kosovës, të cilët edhe ashtu janë në gjendje jo të mirë ekonomike”, tha Azemi, për Telegrafin.

Sipas tij, KOSID është kundër çdo vendimi të tillë, i cili do të shkonte në dëm të qytetarëve të Kosovës. “ZRRE nuk duhet të aprovoj një kërkesë të tillë dhe duhet të jetë e përgjegjshme karshi qytetarëve të Kosovës, duke mos i shërbyer politikave ditore në kurriz të qytetarëve të vendit”, thekson Visar Azemi nga KOSID.

Ndryshe tarifa dimërore e llogaritjes së faturave të energjisë elektrike aplikohej edhe para privatizimit të rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike.

Portali Telegrafi, 28.08.2014