Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ja si shmanget “mallkimi i naftës”

Nga Sarah Treanor, BBC

I rrethuar nga malet dhe me një bregdet befasues fjordesh, Bergen, qyteti i dytë më i madh në Norvegji, të ofron pamje për kartolina.

Si qendra e industrisë në lulëzim të naftës dhe gazit në Norvegji, ai është edhe shumë i pasur.

Por rrallë të takon të shohësh shpenzime të tepruara- nuk ka supermakina me xhama të zi, nuk ka dyqane çantash dore të stilistëve të famshëm dhe as radhë njerëzish përpara ndonjë klubi nate ekskluziv.

Ndërsa vende të tjera që kanë zbuluar naftë e gaz e kanë tepruar duke shpenzuar të ardhurat prej tyre, në Norvegji ka ndodhur e kundërta, ata kanë vazhduar që të investojnë të ardhurat nga nafta e gazi për një fond gjigand sovran.

Fondi, që mendohet se kap vlerën 800 miliardë dollarë, ka në pronësi 1 përqind të të gjithë aksioneve në mbarë botë, mjaftueshëm për të bërë çdo qytetar milioner. Në fakt është një llogari gjigande kursimesh.

Dhe shumica e norvegjezëve duken shumë të kënaqur me këtë- sipas një studimi të vitit 2012 nga Universiteti i Columbia-s në Nju Jork, Norvegjia është vendi më i lumtur në botë.

“Ne duhet të investojmë shumë para përpara se të shpenzojmë diçka,” thotë profesor Alexander Cappelen, nga Shkolla Ekonomike e Norvegjisë, duke shpjeguar se përse vendi ka shmanguar mesa duket kurthet që të krijon pasuria e madhe.

“Në disa vende të tjera, nafta nxirret më kollaj, kështu që ata i shpenzojnë kollaj paratë. Ne kemi pasur gjithmonë një plan afatgjatë”.

Pra nuk ka shpenzime të tepruara në Norvegji. Në fakt ka një udhëzim që vetëm 4 përqind e tepricës së fondit mund të shpenzohet ose të investohet në projekte publike.

“Aktualisht ne shpenzojmë më pak se 4 përqind,” thotë profesor Cappelen.

Ka disa arsye, thotë ai, pse Norvegjia është e lumtur që po kursen pasurinë e saj dhe po shmang tundimet e jetës luksoze.

“Që një sistem i tillë të funksionojë, duhet të kesh një nivel shumë të madh besimi. Besimi do të thotë që paratë nuk do keqmenaxhohen- që nuk do shpenzohen në mënyrën që ti nuk e dëshiron. Si rezultat i demokracisë sociale dhe politikave për barazi kjo është një shoqëri homogjene dhe ka ndërtuar një nivel të lartë besimi. Ne i besojmë qeverisë. Ne besojmë se paratë tona do shpenzohen me mençuri. Në momentin që ti nis të besosh se edhe të tjerët po kontribuojnë, edhe ti je i lumtur që kontribuon”.

Bergen Norway norvegji

Pra, Norvegjia është e pasur për shkak se norvegjezët kanë një nivel të lartë besimi apo janë qytetarët besimplotë për shkak se janë të pasur?

“Mendoj se të dyja. Niveli i lartë i besimit e bën rritjen ekomomike më të thjeshtë,” thotë Cappelen.

Megjithatë bumit të naftës po i vjen fundi. Çfarë do ndodhë më tej?

“Ekonomia norvegjeze është në një situatë fatlume. Ne po flasim për një spostim gradual përgjatë viteve të ardhshme,” thotë ministri i Financave, Siv Jensen.

“Ne kemi pasur një rritje të ngadaltë në prodhueshmëri gjatë viteve të fundit dhe për këtë arsye qeveria rishikoi nivelin e taksës së konkurrueshmërisë për të tërhequr investime. Por është e vërtetë që kemi një nivel më të lartë kostosh se çdo vend i krahasueshëm. Këto kosto mund të jenë shokuese për një vizitor. Në kafenenë me pamje nga tregu i peshkut në Bergen, një kapuçino kushton thuajse 10 dollarë.”

Tone Hartvedt nga Bussines Region Bergen shpjegon se kostot janë të krahasueshme me pagat. Një vizitor i painformuar do habitej kur të shihte se në supermarket një pako me makaronat më të lira, buka, djathi dhe salca e domateve kushtojnë në total 50 dollarë.

“Por ne i paguajmë punonjësit me një pagë të tillë që do të thotë se ata kanë një cilësi të mirë jetese. Ne kemi respekt për punën e vështirë, por besojmë se punonjësi më i paguar në kompani nuk duhet të marrë shumë më teper se paga më e ulët. Kjo do të thotë se disa persona të talentuar largohen në vende të tjera, ku mund të paguhen më shumë,” thotë Hartvedt.

Por a e shohin norvegjezët veten e tyre si të pasur?

“Jo, nuk mendojmë për gjëra të tilla, është për të ardhmen,” thotë ajo.

norvegji bergen nafte norwayNë një ishull gjysëm ore larg Bergen është Coast Center Base (CCB), një qendër gjigande suporti për industrinë e naftës dhe të gazit.

“I kujtoj ditët kur kishte shumë fermerë dhe peshkatarë në Norvegji. Jeta ka ndryshuar shumë për një norvegjez mesatar,” thotë shefi ekzekutiv i CCB, Kurt Andreassen. “Kjo bazë u ngrit në vitin 1974 dhe që prej atëherë ka pasur ndryshime të mëdha. Mirëqenia tani është shumë e lartë. Është krejt ndryshe nga 40 vjet më parë, shumë njerëz janë të arsimuar- gjërat kanë ndryshuar. Kur nafta të mbarojë, Norvegjia do të mbijetojë, por do jetë një sfidë për të gjithë,” thotë ai.

“Sfida jonë është që të përdorim ekspertizën tonë dhe në fusha të tjera”.

Rektori i Universitetit të Bergen-it, Dag Rune Olsen, thotë: “Jam i shqetësuar sepse nuk investojmë sa duhet në mënyra të tjera për të gjeneruar të ardhura në dekadat që do vijnë. Ne jemi të ndërgjegjshëm se nafta dhe burimet e gazit do mbarojnë. Është e dukshme që kemi nevojë të gjejmë burime të tjera të ardhurash dhe tani kemi mundësinë për të investuar- ndaj është themelore që të bëjmë diçka të tillë”.

Ndoshta ky vetëndërgjegjësim se gjërat nuk zgjasin gjithmonë bën që në rrugët e Bergen të shohësh kaq shumë Volvo të dorës së dytë, në vend që të shohësh Porsche apo Bentley, si në rrugët e pasura të Londrës.

Maturia dhe pragmatizmi është qëndrimi i duhur, në vend të ekspozimit.

Ndërkohë që ka një shqetësim se çfarë do bëhet në Bergen, kur të mbarojë nafta- shumica e norvegjezëve janë të sigurt për perspektivën e tyre.

“Ne jemi në Norvegji, ne nuk shqetësohemi për këto gjëra,” thotë një student në Shkollën Ekonomike të Norvegjisë, duke u ndjerë pak në sikletë kur pyetet nëse është i shqetësuar për vendet e punës.

“Do të punojmë shumë dhe do sigurojmë vendet e punës”.

Gazeta Dita, 26.08.2014