Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vazhdon protesta në HEC-in e Banjës

Punëtorët protestues në HEC-in e Banjës në Elbasan kanë bllokuar të martën të gjitha hyrjet e kantierit të ndërtimit, duke mos lejuar askënd të hyjë për të vazhduar punimet.

Lajmin e bëjnë të ditur burime nga vendi i ngjarjes, sipas të cilave puna në kantier është ndërprerë tërësisht, me punëtorët që kërkojnë nënshkrimin e kontratës kolektive, stabilizimin e orëve të punës dhe pagesën për punën jashtë orarit.

Ndërkohë, katër punonjës të HEC-it janë liruar pas mesnate, pasi më herët gjatë së hënës ishin shoqëruar nga policia.

Policia e Elbasanit përmes një komunikate ka sqaruar se 4 personat u shoqëruan në komisariat pas denocimit të bërë nga punonjësit e sigurisë së kompanisë “Limak”.

Në komunikatë thuhet se, duke vepruar me vetëgjyqësi, shtetasit Arben Hoxha, Besnik Xhika, Rifat Rami dhe Flamur Sulmina kishin hyrë në ambientet e kantierit të HEC-it të Banjës duke penguar punimet.

Sipas policisë, në momentin e ndalimit në flagrancë atyre iu gjetën shkopinj të përmasave të ndryshme. Më pas materialet i kaluan prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme.

Nga ana tjetër, drejtuesit e Konfederatës së sindikatave e kanë konsideruar ndërhyrjen e policisë të pavend dhe në mbështetje të një kompanie private, e cila në asnjë rast nuk është cënuar nga këta punëtorë, çka do ta bënte legjitime ndërhyrjen e policisë.

Top Channel, 26.08.2014