Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rriten arkëtimet e energjisë

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njofton se për periudhën Janar – Korrik janë rritur arkëtimet nga pagesat e energjisë elektrike me 42 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Arkëtimet nga klientët familjarë, apo nga fatura korrente janë rritur për 7 mujorin me një vlerë prej 31 milionë dollarë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Mungesa e arkëtimeve dhe si pasojë e likuiditetit është kthyer në një ngërç jo vetëm për furnizuesin me pakicë të energjisë elektrike, por për të gjithë operatorët e mëdhenj në treg duke krijuar probleme të shumta financiare për buxhetin e shtetit.

KESH e ka pasur të pamundur të importojë energji për shkak të mosshlyerjes së borxhit prej 290 milionë euro nga ana e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë dhe situata është përballuar vetëm me ndërhyrje emergjente në buxhetin e shtetit si edhe me kredi që qeveria ka marrë nga Banka Botërore dhe IFC, për të përballuar stinën e ftohtë të dimrit të vitit që sapo lamë pas.

OSHEE deklaron edhe një reduktim të ndjeshëm të humbjeve në rrjetin energjetik për 6-mujorin e parë të vitit.

Vlera e humbjeve në rrjet arrin në 39 milionë dollarë, apo 12 milionë dollarë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ku totali i humbjeve në rrjet arrinte në 51 milionë dollarë.

Përmirësimi në treguesit e operatorit të shpërndarjes vjen si pasojë e rritjes së performancës të arkëtimeve me 11%, edhe pse niveli i humbjeve në vend vazhdon të jetë tepër i lartë.

Scan TV, 19.08.2014